Kosovë Vjosa Osmani shkarkon kryetaren e KQZ-së Valdete Daka, “kryesuesi i KQZ-së duhet të jetë i pavarur”!

Vjosa Osmani Dhe Valdete Daka

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka shkarkuar Kryesuesen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka.

Në arsyetimin e Presidencës thuhet se Kushtetuta parasheh që Kryesuesi i KQZ-së duhet të jetë një figurë e lartë gjyqësore, me një mandat burimor në Gjykatën e Apelit apo Gjykatën Supreme të Republiëks së Kosovës.

Po ashtu thuhet se KQZ është organ kushtetues dhe i pavarur dhe se kriteri i të qenit organ i pavarur duhet të sigurohet nga gjitha institucionet relevante dhe duhet të menaxhohet nga brenda nga kryesuesi së bashku me anëtarët e KQZ-së.

Pas 11 vitesh, Valdete Daka mund ta përfundojë rrugëtimin e saj si kryetare e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve

Sot, gjatë një takimi në presidencë, Dakës iu është kërkuar nga Vjosa Osmani që të lirojë pozitën e saj në krye të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, derisa, të njëjtës ia ka ofruar edhe një mirënjohje për punën e saj.

Daka që nuk e ka pranuar dorëheqjen, një ditë më parë kishte folur për një presion që tha se po iu bëhet nga anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ.

Ajo ka thënë se nuk do t’i dorëzohet presionit të anëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ.

 “Në fakt ata kanë problem me mua, jo unë me ata… Jo, sepse konsideroj që unë vetëm jam duke e kryer punën time ashtu siç kërkon Kushtetuta dhe ligji për zgjedhje dhe natyrisht që po të kishte ndonjë shkelje eventuale nga unë me siguri që të gjithë do të reagonin, e jo vetëm një subjekt i caktuar”, ka thënë ajo.

Në arsyetimin e Presidentes, thuhet se kryesuesi i KQZ-së duhet të jetë i pavarur.

“Znj. Valdete Daka i ndërpritet mandati si Kryesuese e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Republikës së Kosovës. Vendimi hyn në fuqi në datën e nënshkrimit”, thuhet në vendim.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) është organ kushtetues dhe i pavarur, i cili drejton dhe i verifikon të gjitha veprimet që kanë të bëjnë me procesin e zgjedhjeve dhe gjithashtu i shpall rezultatet e tyre.

Zgjedhjet, si elementi më i rëndësishëm i demokracisë, sidomos asaj përfaqësuese, janë të një rëndësie të veçantë për secilin shtet.

Ndërmarrja e veprimeve relevante në lidhje me zgjedhjet, përfshirë organizimin dhe mbarëvajtjen e tyre nënkupton edhe obligimin themelor të KQZ-së si organ menaxhues i zgjedhjeve. Kriteri i të qënit organ i pavarur duhet të sigurohet nga të gjitha institucionet relevante dhe duhet të menaxhohet nga brenda nga kryesuesi së bashku me anëtarët e KQZ- së”, thuhet ndër të tjera në vendim.

Daka fillimisht, kishte refuzuar kërkesën e Osmanit duke deklaruar se detyrën e saj e ka kryer në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Ndryshe, Daka është emëruar kryetare e KQZ-së më 27 prill të vitit 2018, nga ish-Presidenti Hashim Thaçi, ndërkaq mandati i saj është7-vjeçar.

Ky ishte mandati i dytë i Dakës në krye të KQZ-së.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *