Ezani nuk është as i lindjes së mesme, as i arabëve – nga Gazmend Aga

Aga | Lexotani

Ezani është thirrja për namaz e përdorur nga myslimanët 5 herë në ditë. Më pak se 15% e myslimanëve janë arabë. Edhe 90% arabë po të ishin, kjo ska asnjë domethënie. Qyteterimi islam, i krishter dhe hebre në lindjen e mesme i ka rrënjët, pavarësisht se zhvillimi i tyre hera herës mund të ketë ndodhur edhe në vende të tjera.

Duhet një trajnim i veçantë për thirrësin (myezin) dhe sistem zëri cilësor gjatë thirrjes së ezanit, në mënyrë që të përçohet vlera e vërtetë e thirrjes së ezanit. Për këtë arsye në Turqi prsh., për një kohë të gjatë u vendos sistemi qëndror i thirrjes së ezanit, ku një myezin i specializuar thërriste ezanin dhe dhjetra xhami të tjera kishin sistem zëri të lidhur me të.

Kuptimi në shqip i ezanit;
“Allahu është më i madhi (4)
Dëshmoj se s’ka zot tjetër veç Allahut (2)
Dëshmoj se Muhamedi është i Dërguari i Allahut (2)
Ejani në falje(2)
Ejani në shpëtim (2)
Allahu është më i madhi (2)
Nuk ka zot tjetër veç Allahut!”

Ezani për myslimanët ka vlerë të veçantë edhe për shkak të origjinës së tij të lidhur drejtpërdrejt me Profetin Muhamed (a.s). Është e rëndësishme që njerezit të edukohen në lidhje me të shenjtën e tjetrit, sidomos para se të shprehen për të. Kjo vlen edhe për një mysliman para se të flasë për një dukuri të krishterë etj. Është detyrë e të rriturit të mësojë dhe e fetarëve që tua mësojnë të tjerëve.

Në mes të diskutimeve për ardhjen e fatkeqëve afganë dhe djegies së sarajeve ndodhi edhe çështja e ezanit në një klub anonim ku një i ri bëri një anekdotë me ezanin. Imam Ahmet Kalaja u shpreh i indinjuar dhe bëri thirrje institucionale rreth incidentit në fjalë. Ajo që duhet të kemi kujdes ne si drejtues fetarë publik është që të mos harrojmë temperamentin e masave dhe fuqinë e mediave sociale ku gjithçka mund të kthehet në provokim.

Pas reagimeve drejtuesit e lokalit kërkuan falje dhe u shprehën se ishte jo qëllimisht. Kjo meriton vlerësim. Linçimi që iu bë djaloshit për anekdotën dhe Ahmet Kalasë për reagimin janë dy kahe të ndryshme që meritojnë vëmëndje.

Islamofobia e shprehur në rastin e parë të mundshëm në një vend postkomunist është shqetësuese. Nga ana tjetër nuk ka nevojë për mbrojtje ezani me të shara e të fyera. Nuk mund të jesh mysliman i devotshëm dhe rrugaç në fjalor. O njëra, o tjetra. Duhet të mësohemi me lirinë e fjalës, por edhe me respektin ndaj të ndryshmes dhe të shenjtës, edhe pse mund të mos besosh.

Hebrenjtë kanë institucione të veçanta ku observohen me kujdes rastet antisemitike në botë. Edhe këtu në SHBA ka institucione ku reagohet ndaj ngjarjeve me frymëzime islamofobe. Pra, liria për t’u shprehur dhe liria për të reaguar ndaj lapsuseve në të shprehur janë brenda së njëjtës paketë.

Megjithatë, këto nuk janë thelbi i problemeve të Shqiperise; korrupsioni, nepotizmi, mjeksia, arsimi, drejtsia, çmimet, varfëria, emigrimi etj. janë ato që meritojnë energjinë tonë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *