Rindërtimi i Teatrit Kombëtar në Qendrën Historike – Deklaratë e Lëvizjes Vetvendosje Shqipëri

Teatri Kombetar | Lexotani

“Ditën e djeshme u bë publik prej kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, lajmi se Këshilli Kombëtar i Territorit ka miratuar lejen për ndërtimin e një objekti të ri në vendi ku ishte Teatri Kombëtar. Ndërkohë që çështja e shkatërrimit kriminal të Teatrit Kombëtar, më 17 maj 2020, gjendet e depozituar në Gjykatën Kushtetuese dhe pritet të shqyrtohet, ky vendim i institucioneve të varura prej pushtetit thellon frymën antikushtetuese. Vendimi i KKT-s nuk është bërë ende transparent, por qartazi urdhëruesit e prishjes së Teatrit po synojnë të ushtrojnë presion në mënyrë antiligjore mbi Gjykatën Kushtetuese.

Teatri Kombëtar ishte Monument Kulture i njohur jo vetëm prej shtetit shqiptar por edhe prej organizatës prestigjoze ndërkombëtare “Europa Nostra” – ai është pjesë e trashëgimisë sonë kulturore dhe historike. Aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Shqipëri kanë qenë së bashku me qytetarët dhe aktivistët për mbrojtjen e Teatrit si vlerë e patjetërsueshme urbane, historike dhe kulturore. Një teatër i ri do të ishte i mirëpritur në një tjetër pjesë të kryeqytetit. Veprimi i fundit i KKT-së tregon se pushteti tashmë i rikonfirmuar përmes manipulimit industrial të zgjedhjeve dhe mbështetjes së oligarkëve, nuk konsideron më asnjë pengesë, as Gjykatën Kushtetuese, as vullnetin qytetar.

Lëvizja VETËVENDOSJE! në Shqipëri bën thirrje që në vend të presionit mbi institucionet dhe lejeve për ndërtesa të jashtëligjshme, të rindërtohet menjëherë Teatri Kombëtar aty ku ishte, me teknikat dhe materialet autentike për të ruajtur memorien kolektive dhe trashëgiminë tonë të përbashkët. Gjithashtu u bëjmë apel institucioneve të drejtësisë që të nisin hetimet mbi shkeljen e rëndë të Kushtetutës e ligjeve dhe të vendosin përpara përgjegjësisë jo vetëm urdhëruesit e prishjes së Teatrit Kombëtar por edhe ata të dhunës policore mbi qytetarët ditën e 17 majit 2020.

Tiranë, 30 qershor 2021

Lëvizja VETËVENDOSJE!

Qendra në Shqipëri“

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *