Lajm i mirë : Kampioni i xhudos Indrit Çullhaj, merr ftesën për lojrat olimpike “Tokio 2020”

Indrit Cullhaj Tokio | Lexotani

Indrit Çullhaj është sportisti i nëntë i Shqipërisë që sapo ka marrë ftesën për të përfaqësuar Shqipërinë në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”. 
Ky sukses ka ardhur pas përkushtimit dhe punës së madhe që ai ka bërë. Për shkak të pikëve të grumbulluara në aktivitetet ndërkombëtare, Çullhaj ka përfituar ftesën nga Federata Botërore e Xhudos dhe Komiteti Olimpik Ndërkombëtar. Tanimë mundi i tij u shpagua dhe ai i bashkohet skuadrës olimpike shqiptar, që në përbërje ka Luiza Gegën, Briken Caljen, Erkand Qerimajn, Izmir Smajlajn, Matvei Petrovin, Manuela Delilajn, Nikol Merizajn dhe Kledi Kadiun.

Në rrjetet sociale ai ka ndarë lajmin e mirë dhe një mesazh falenderimi : 

Drejt Lojrave Olimpike #Tokyo2020🇯🇵. 
Zoti Vonon por nuk Harron, një ditë djersa dhe mundi shpërblehet☝️
Një lajm i madh për mua dhe për të gjithë Shqiptarët kudo që janë. I jam shumë mirnjohës të gjithë miqve që më kanë mbështetur ndër vite. Mirnjohës veçanërisht miqve tanë të Kosovës, në veçanti Z. Driton Toni Kuka dhe Z. Agron Kuka, për përkrahjen 5 vjeçare që më kanë dhënë, që Shqipëria të përfaqësohet denjësisht nga unë dhe të ngre sa më lart flamurin Shqiptar në Arenat Ndërkombëtare 🇦🇱. Ju jam shumë mirnjohës të gjithëve 🙏- shprehet Indriti. 

Indriti është përfaqësues i klubit Tirana, ndërsa është katërmbëdhjetë herë Kampion i Shqipërisë. Jo vetëm kaq, por në muzeun e tij të trofeve ka dhe titullin Kampion Ballkanik plot tre herë, ndërsa të fundit e pat marrë në 31 mars 2019 në Tiranë. I vetmi sportist shqiptar që në Lojërat Olimpike Europiane në Minsk ishte me normë kualifikimi, sikurse ka qenë pjesëmarrës i rregullt në Kampionatet Europiane dhe Botërore.

Për rrjedhojë pjesëmarrja e gjërë në aktivitetet ndërkombëtare i jep dhe ftesën për në Lojërat Olimpike, ndërsa shënon herën e parë të tij në këtë lëvizje të olimpizmit botëror. Për xhudon shqiptare, Çullhaj është sportisti i tretë që merr pjesë në Lojërat Olimpike. Më parë ka konkurruar Edmond Topalli në “Pekin 2008” dhe më pas Majlinda Kelmendi në “Londër 2012”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *