Lajm i mirë : Gërmimet arkeologjike në Amantia zbulojnë strukturat arkitektonike të varrit monumental

Zbulimet Ne Vlore | Lexotani

Në parkun arkeologjik të Amantias, në Vlorë kanë përfunduar gërmimet arkeologjike të shpëtimit të varrit monumental në varrezën antike.

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Vlorë bëri të ditur sot se “si rezultat i gërmimit arkeologjik të kryer në harkun kohor të dy muajve, u zbulua e gjithë struktura arkitektonike e monumentit antik”.

“Varri, i cili i përket tipit të mbuluar me qemer është një ndër ekzemplarët e rrallë të këtij tipi, që i ruan pothuajse të gjithë elementët arkitektonik. Përmasat e mëdha, veçoritë në elementët e ndërtimit, si dhe veçoritë në elementët e mbulimit i japin monumentit vlera unikale”, thekson DRTK.

Sipas DRTK, falë kësaj ndërhyrje, monumenteve të shumta dhe unikale të parkut arkeologjik të Amantias i shtohet tashmë edhe një tjetër pikë e vizitueshme në itinerarin turistik.

Rezultatet e procesit të gërmimit dhe dokumentimit janë ende në fazë studimi nga specialistët përkatës, kështu që për kronologjinë e ndërtimit të varrit monumental mund të propozohet vetëm një datim paraprak, i cili mendohet që daton rreth shek. III p.Kr.

Amantia u themelua në fund të shekullit V para Krishtit. Ajo ndodhet në një kodër dhe është e fortifikuar me mure. Në shekullin III para Krishtit qyteti u forcua ekonomikisht dhe nxori monedhat e tij të para. Në vitin 268 para Krishtit, qyteti preu monedhën e vet. Ka ende gjurmë të tempullit të Afërditës, teatrit dhe stadiumit.

Ndër mundësitë interesante dhe atraktive, që parku arkeologjik i Amantias ofron janë edhe monumentet e saj unike si, stadiumi antik, bazilika paleokristiane, tempulli i Afërditës, varret monumentale të nekropolit verilindor etj

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *