Ekuilibri I Besimtarit Dhe E Mesmja E Artë.

E Mesmja E Arte

Prej moralit të njeriut dhe treguesit që ai është një besimtar i mirë dhe që përpiqet të jetojë një jetë fetare të denjë, të qetë, me qëllim arritjen e kënaqësisë së Zotit të Lartësuar, është të qënurit njeri i së mesmes dhe njeri i ekuilibruar. Ekuilibri dhe mesatarja në këtë jetë dhe në çdo çështje të saj, e cila ka të bëjë me marrëdhënien me Zotin, është një prej aspekteve më me rëndësi dhe më me shumë vlerë në besimin islam. Kjo sjellje ka aq shumë vlerë të madhe, saqë edhe Zoti i Lartësuar e ka përmendur në Kur’an si një cilësi të bashkësisë islame, ku thuhet : “dhe kështu ju bëmë juve një popull, një ummet të së mesmes”. (Surja Bekare, Ajeti 143).

Pra, ruajtja e mesatares në çdo sferë të jetës së besimtarit është e rëndësishme, por më me rëndësi është ruajtja e këtij parimi në sferë e besimit dhe praktikimit të tij. Në këtë aspekt, duke qenë mesatar në raportet reciproke ndaj Krijuesit, dhe në ato njerëzore, ne do të arrijmë me sukses zbatimin e urdhëresave fetare dhe rrjedhimisht një bashkëjetesë të lumtur me njerzit që na rrethojnë. Sigurisht më e rëndësishmja prej tyre për një besimtar është fitimi i kënaqësisë dhe dalja faqebardhë para Allahut në Ditën e Gjykimit.

Të qënit besimtar do të thotë se ne i njohim, i pranojmë dhe i praktikojmë të drejtat dhe detyrimet tona. Gjithashtu, ne jemi të vetëdijshëm për detyrimet fetare që duhet të zbatojmë, por jemi edhe koshient se jemi qënie të dobëta njerëzore. Të qënit njeri na bën që herë pas here të jemi në gjëndje pamundësie për të qënë korrekt në zbatimin e përpiktë të këtyre detyrimeve fetare. Kjo dëshmon nevojën dhe dobësinë tonë ndaj Krijuesit sepse ku ka njerëz ka dhe gabime e aty ku gjendet gabimi gjendet edhe mëshira e pafundme e Krijuesit.

Allahu (xh.sh) në Kur’an thotë se: “Allahu nuk merr në përgjegjësi askënd përtej mundësive të tij” (Surja Bekare, Ajeti 286), dhe pikërisht kjo Fjalë e Zotit tregon shumë për mënyrën se si jemi të krijuar ne si njerëz. Njeriu është një qënie e pajisur me ndjenja dhe emocione, të cilat në bazë të situatave të ndryshme ndërveprojnë me aspektin trupor të tij, për ti përkthyer ato ndjenja dhe emocione në veprime të dukshme e të matshme.

Kur bëhet fjalë për praktikimin e ritualeve fetare, çfardo qofshin ato, Profeti Muhammed (a.s) ka vendosur një parim madhështor dhe universal në të cilin thuhet: “lehtësoni dhe mos vështirësoni, përgëzoni dhe mos urreni”. (Muttefekun alejhi). Pikërisht këto parime na bëjnë neve, si besimtarë, të jemi të pajisur me morale të larta dhe të aftë të ndërveprojmë me njeri-tjetrin me anë të frymës së mirëkuptimit, tolerances dhe vëllazërisë. Kjo e gjitha, sepse ne kurrë nuk e lëmë në baltë njëri-tjetrin për shkak të një gabimi apo neglizhence, por përkundrazi, e këshillojmë njëri-tjetrin me urtësi dhe sinqeritet duke synuar kënaqësinë e Allahut të Lartësuar.

Në karakterin e besimtarit duhet të mbizotërojë butësia dhe mëshira, sepse udhërrëfyesi i tij, Muhammedi (a.s), ishte i butë, i mëshirshëm, i dashur dhe gjithmonë i’a lehtësonte barrën besimtarëve. Allahu këtë fakt e ka përmendur në Kur’an ku thotë: “Ti ishe i butë ndaj atyre ngase Allahu të dhuroi mëshirë, e sikur të ishe i vrazhdë e zemërfortë, ata do të shkapërderdheshin prej teje” (Ali Imran,159).

Ky ajet shpjegon qartësisht se njerëzit nuk i durojnë dot ata që janë të ashpër dhe të vrazhdë dhe nuk mund të qëndrojnë pranë tyre. Me ashpërsi dhe vrazhdësi nuk mund të transmetohet feja e Zotit. Me ashpërsi dhe vrazhdësi nuk mund të ketë vëllazëri midis besimtarëve. Prandaj, Ne duhet të ruajmë të mesmen e artë në çdo çështje jetësore dhe fetare dhe kurrë nuk duhet të jemi ekzagjerues.

Ka shumë situata ku ne mund të tregohemi ekzagjerues, të cilat kanë nevojë për një kujdes e butësi të veçantë.
Disa nga këto situata janë si mëposhtë:

– Kokëfortësia dhe mospranimi i mendimit dhe gjykimit të të tjetrëve është një ekzagjerim. Ne duhet të jemi gjithmonë mendjehapur e mirëpritës të mendimit ndryshe.
 
– Të kushtuarit rëndësi detajeve fetare dytësore dhe prezantimi i tyre ndaj njerëzve sikur ato janë themeli i fesë dhe besimit është ekzagjerim. Ne duhet të jemi të kujdesshëm dhe ti shpjegojmë njerëzve çështjet themelore të Islamit.
 
– Të qënit i vrazhdë dhe i ashpër në transmetimin e mësimeve fetare tek familja, kolegët apo në rrethin shoqëror është ekzagjerim. Ne duhet të jemi shembuj të butësisë e tolerancës.
 
– Të paragjykosh njerëzit për mendimet, vizionet apo besimet e tyre është ekzagjerim. Ne duhet të jemi të kuptueshëm e të respektueshëm ndaj çdokujt.

– Të kërkosh prej njerëzve të kryejn detyra përtej fuqisë dhe mundësive së tyre eshtë ekzagjerim. Ne duhet të lehtësojmë e jo të ngarkojmë. Etj.

Ne nuk duhet të harrojmë se jemi ndjekësit e Profetit Muhammed (a.s) dhe prej nesh pritet që njerëzve t’u japim shpresë, lehtësi e butësi dhe jo t’ua humbim shpresat dhe dashurinë për besimin me anë të sjelljeve tona të nxituara dhe të ekzagjeruara. Një shembull përfekt i mirëkuptimit tonë është sesi ne nuk përjashtojmë askënd nga mesi jonë edhe pse ai ose ajo mund të ketë humbur busullën e udhëzimit dhe mund të jenë hutuar nga tundimet e kësaj bote.

Shëmbulli më i bukur i kësaj është kur miku i dashur i Profetit Muhammed (a.s), Omeri (r.a) interesohet rreth halleve dhe problemeve të një personi me emër nga zona e Shamit (Sirisë) të asaj kohe. 

Omeri (r.a) filloi të interesohej për të sepse ky person nuk po e vizitonte më Omerin (r.a) siç e vizitonte më parë, ku vinte pranë tij dhe kalonin kohë së bashku.
Shpejt lajmet vijnë dhe e njoftojnë se ai person nuk i ka punët në rregull. Ai i ishte futur alkolit dhe nuk ishte kthyer nga ajo rrugë edhe pse shumica e kishin këshilluar.

Çfarë bëri Omeri (r.a)?!

Ai urdhëroi shkrimtarin e tij të shkruaj një letër në mënyrë që t’ia dërgojnë personit në fjalë.
Letra e tij përmbante këtë shkrim:
“Ha, Mimë”.
“Shpallja e librit është prej Allahut, Fuqiplotit, Gjithëdijshmit”.
“I cili fal mëkatin dhe pranon pendimin, dhe që është ndëshkues i ashpër, por edhe bamirës. Nuk ka zot tjetër përveç Atij. Te Ai është e ardhmja e çdokujt”.
(Sureja Gafir, Ajeti 1-3.)

Mbasi shkruajnë letrën, Omeri (r.a) i drejtohet të pranishmëve dhe u thotë kështu: “lutuni për vëllain tuaj që të pendohet dhe të kthehet në rrugën e drejtë”.

Mbasi personi e merr letrën prej Omerit (r.a), ai duke lotuar me të madhe lexon disa herë pa pushim ajetin, “I cili fal mëkatin dhe pranon pendimin, dhe që është ndëshkues i ashpër, por edhe bamirës. Nuk ka zot tjetër përveç Atij. Te Ai është e ardhmja e çdokujt” dhe thotë se: “Allahu më ka kërcënuar me dënim, por më ka premtuar edhe falje për gjynahet e mia“, dhe ashtu i penduar ky njeri kthehet në rrugën e drejtë.
Kur i vjen lajmi Omerit (r.a) ai thotë kështu: “Nëse një vëlla i juaji bie në gabim, këshillojeni atë dhe lutjuni Allahut që ta drejtojë atë në rrugën e drejtë dhe kurrësesi mos u bëni prej atyre të cilët mallkojnë kundra tij, sepse kështu ju jeni duke ndihmuar shejtanin e mallkuar“. (Kurtu i el-Câmi).

Kjo pra është ti japësh shpresë njerëzimit dhe mos ti largosh ata nga mëshira e Allahut të Lartësuar me sjelljen tënde arrogante. 
Vetë Zoti i Lartësuar i’a ka lënë hapur derën e pendimit gjithëkujt që dëshiron të pendohet. Prandaj duhet të pyesim veten se kush jemi ne që me arrogancen tonë, me paragjykimet tona, me vrazhdësinë tonë t’ua mbyllim atyre atë derë.

Thotë Zoti në Kur’anin Fisnik: Thuaj: “O robërit e Mi, të cilët e keni ngarkuar me shumë gabime veten tuaj, mos e humbni shpresën ndaj mëshirës së Allahut, pse Allahu i falë të gjitha mëkatet, Ai është që shumë falë dhe është mëshirues!” (Surja Zumer, Ajeti 53).

Ne duhet të jemi të vetëdijshëm se besimtari duhet të jetë gjithmonë i pajisur me ndjenjën e mirëkuptimit ndaj të tjerëve.
Ne duhet të jemi të aftë që të vendosim veten tonë në vend të personit përballë dhe të reflektojmë se si do të ndiheshim sikur të na trajtonin me vrazhdësi.
Kur të arrijmë në një pikë të atillë me anë të veprave tona por edhe ndjesive tona shpirtërore, do të shikojmë se do të jemi më mirkuptues dhe tolerantë ndaj njëri-tjetrit në çfarëdo situate.
Për më tepër, dijetarët myslimanë gjithmonë kanë qënë të këtij mendimi, ndërsa, veprimi kundra këtyre parimeve universale dhe themelore islame, nuk është gjë tjetër vetëm se keqkuptim i mësimeve islame dhe një hutim në udhëkryq pa krye.
Allahu është më i dituri.

Imam Leonard Çela ka mbaruar studimet në nivel master në degën “Shkencat Themelore Islame“ në Universitetin Bedër në Tiranë. Ai punon pranë KMSH-së si imam në qytetin e Tiranës. Më parë ai ka punuar si Imam në Laç, Vlorë, dhe në Gjermani. Imam Leonard Çela beson fort se edukimi i shoqërisë dhe brezave të rinj kalon nëpërmjet edukimit moral, shkencor dhe kulturor. Si Imam, ai përqiqet të japë shembullin e mirë të një besimtari dhe të kontribojë pozitivisht për komunitetin e tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *