Çfarë lloj revolucioni duan shqiptarët?

Revolucioni Shqiptar, Flamuri Shqiptar, Dora

Çdo ditë e më tepër populli jonë e individët në veçanti po përballen me një fenomen tashmë të njohur : humbjen e dinjitetit njerëzor dhe mungesën e kulturës së punës në institucionet që ata përfaqësojnë. 

Prandaj, rishtazi lind pyetja : a mund të ruhet dinjiteti tek shqiptarët dhe si ndikon ai në kulturën e tyre të punës dhe në pozitat e përgjegjësitë që ata mbajnë?

Nëse marrim si shembull nivelin e lartë të korrupsionit në administratën publike, mungesën e meritokracisë, egoizmin e ç’thurur, apo dhe përhapjen e krimit kudo, mund ta kemi më të thjeshtëzuar konkluzionin ndaj supozimit të mësipërm. Por, siç e dimë, këto shqetësime e sfida, kanë një burim kryesor, individin dhe familjen. Po çfarë nuk shkon me individin?

Kësaj pyetje nuk është e lehtë t’i përgjigjesh. Ajo që mund të themi me siguri është se të gjitha këto sfida, probleme apo boshllëqe, u përçohen institucioneve shoqërore e shtetërore. Kjo gjëndje pastaj shkakton boshllëk, krisje e keqfunksionim të këtyre institucioneve dhe eventualisht stagnacion të shoqërisë në tërësi.

Nga ana tjetër, shoqëritë të cilat janë ndërtuar mbi bazat e forta të edukimit, kulturës, përgjegjësisë e dinjitetit as nuk tunden apo lëkunden nga këto sfida. 

Në këtë këndvështrim, nëse në shoqërinë tonë shqiptare ekzistojnë defekte të tilla kërcënuese, mund të thuhet se ne kemi nevojë për një reformim të përgjithshëm. Ky lloj reformimi apo revolucioni pozitiv e konstruktiv duhet të fillojë që nga bërthama, familja. Duke rritur breza të denjë, me vlera e morale të larta, ata do të ndjehen të aftë të prodhojnë një kulturë pozitive dhe një aspekt më dinjitoz të vetvetes. Eventualisht, ata do të jenë edhe arkitektët e vizionit pozitiv shqiptar, duke na përfaqësuar dhe duke i shërbyer çdokujt me drejtësi.

Vetëm në këtë mënyrë mund të shkulim prej nesh, rrënjët e këqija që na kanë mbirë përgjatë historisë sonë. 

 Ardit Kuqa është menaxher projektesh në fushën e biznesit dhe inovacionit social. Aktualisht punon si menaxher dhe drejtues projektesh në “Etude Plus” në zonën e Parisit. Arditi ka studiuar Inxhinjeri Biznesi, Studime Evropiane dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare. Ai është i apasionuar pas edukimit dhe sipermarrjes, si mekanizma për të përmirësuar jetën e qytetarëve, shoqërisë dhe funksionimin e demokracisë. LexoTani është njëra prej disa nismave që kontribuon në këtë aspekt. Arditi është i hapur kurdoherë për bashkëpunime dhe propozime; mund ta kontaktoni në [email protected] ose në profilin e tij LinkedIn – https://www.linkedin.com/in/kuqaardit-yourchoice/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *