Nga pikëpamja historike dhe ajo gjeografike rajoni që është quajtur “Ballkan” (Europa juglindore) përfshin Bosnjën dhe Hercegovinën, Bullgarinë, Greqinë, Kosovën, Kroacinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Serbinë, Slloveninë dhe Shqipërinë; tekstet standarde përfshijnë edhe Rumaninë, e cila teknikisht e refuzon emërtesën “Ballkan”, por pranon përkatësinë në “Europën juglindore”.
Sipërfaqja e përgjithshme e Ballkanit jepet në standard si 666,700 km2, ndërsa popullsia si 59.297.000 (statistikat pas vitit 2000).
Të përllogarisim pak se ç’përfaqëson “Ballkani i hapur” si fantazi politike e tre kryeministrave, atij të Maqedonisë së Veriut, atij të Serbisë dhe këtij të Shqipërisë, në ballafaqim me realitetet historike dhe gjeografike të Ballkanit.
Sipërfaqja e përbashkët e Maqedonisë së Veriut (25.713 km2), Serbisë (88.361 km2) dhe Shqipërisë (28.748 km2) nuk është më shumë se 142.822 km2. Çfarë entiteti përbën ky i tre kryeministrave përkundrejt Ballkanit real prej 666,700 km2, për të pretenduar që ata ta quajnë “Ballkan i hapur”? Në fakt është vetëm ¼ për të mos thënë 1/5 e Ballkanit real. Hapje e Ballkanit është kjo apo e kundërta, mbyllje në një strofull e tri vendeve të shkëputura nga pjesa tjetër e rajonit?
Popullsia e përbashkët e Maqedonisë së Veriut (2.059.000 banorë), Serbisë (7.001.444 banorë) dhe Shqipërisë (2.845.955 banorë) rezulton 11.907.399 banorë. Edhe në këtë vështrim çfarë entiteti përbën ky i tre kryeministrave përkundrejt Ballkanit real me 59.297.000 banorë për të pretenduar që ata ta quajnë “Ballkan i hapur”? Në fakt përfaqëson vetëm 1/5 të Ballkanit real. Hapje e Ballkanit është kjo apo përsëri e kundërta, d.m.th. mbyllje në një strofull tri vendesh të shkëputura nga pjesa tjetër e rajonit?
Meqë tre kryeministrat duken të andrallosur për t’ia ndryshuar nofkën hera-herës fantazisë së tyre politike, nuk ka përse të mos e pranojnë çiltër e ta quajnë “Çerek tave Ballkan”.
Sa pa gjë, edhe çerekllëku hahet.