Drejtësia
“Në përputhje me zotimet tona, u votua projektligji për themelimin e Gjykatës Komerciale, si një nga veprimet konkrete drejt shtetit të së drejtës, dhe mekanizëm që u hap rrugë investimeve të huaja dhe të mërgatës sonë.
Mërgata
Obligimet e primit të sigurimit kufitar, apo siç njihet Kartoni i Gjelbër, do të mbulohen plotësisht nga Qeveria, për bashkatdhetarët dhe të huajt që vijnë në Kosovë deri në fund të vitit 2021. Do të fillojmë emetimin e “Bonove të diasporës” për t’iu mundësuar bashkatdhetarëve tanë që kursimet t’i orientojnë në investime zhvillimore.
Luftimi i pandemisë COVID-19
Vazhduam lehtësimin e masave që mundësojnë aktivitet të shtuar ekonomik dhe njëkohësisht synojnë kontrollimin e përhapjes së infeksionit. I hapëm rrugë financimit të një projekti 40 milionë euro në kuadër të ndihmës financiare për rimëkëmbje të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, si dhe një projekti tjetër për forcimin e ofrimit të shërbimeve mjekësore për të prekurit nga COVID-19 dhe për mbështetje sociale dhe ekonomike gjatë periudhës së izolimit.
Ndihmë Preshevës
Ndamë njëqind mijë euro (100,000.00 €) për t’i dalë në ndihmë Komunës së Preshevës pas vërshimeve.
Të drejtat e njeriut
Ndamë 20.000 euro, si mbështetje simbolike për familjen e Kujtim Veselit, 11 vjeçarit nga Fushë Kosova. Themelimi i Këshillit për Persona me Aftësi të Kufizuara është në përputhje me objektivat strategjike të Qeverisë, për zbatimin e legjislacionit dhe politikave që përmbushin të drejtat e të gjithë qytetarëve.
Ekonomia
Miratuam projektligjin i cili lehtëson dhe nxitë ndërtimin e rrjeteve të komunikimeve elektronike me shpejtësi të lartë dhe që mundëson shtrirjen e këtyre rrjeteve me kosto më të ulët.
Infrastruktura dhe mjedisi
Oda e Arkitektëve si dhe Oda e Inxhinierëve do të rregullojnë mes tjerash edukimin e vazhdueshëm të arkitektëve dhe inxhinierëve në fushën e ndërtimit. Adresuam domosdoshmërinë që informacionet kryesore të sistemohen në një bazë të të dhënave që do ta përbëjnë infrastrukturën kombëtare të informacioneve hapësinore për Republikën e Kosovës.
E drejta pronësore dhe banesore
Të drejtat pronësore të personave të huaj fizik dhe juridik, si dhe e drejta banesore do të rregullohen me plotësim ndryshimet e projektligjeve të miratuara.
Mbrojtja
Lejimi i qëndrimit të përkohshëm dhe transit të forcave tona ushtarake për të marrë pjesë në kuadër të misioneve të forcave amerikane, në Republikën e Irakut, u trajtua nëpërmjet propozim-vendimit që miratuam.
Arsimi
Pas ratifikimit të marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Agjencisë Austriake për Zhvillim – ADA, do të fillojë zbatimi i projektit 36 mujor “Hulumtimi dhe shkencat e aplikuara në arsimin e lartë + (Heras)”.
Të drejtat e autorit
Mbrojtja e të drejtave të autorit është nxitje për thellim të imagjinatës, rritje të kreativitetit dhe krijimtari kulturore. Këtë garanci e filluam sot si formë për kompensime adekuate të krijuesve dhe ndërmarrëseve në vendin tonë.
OShP
Emëruam Komisionin Përzgjedhës për rekomandimin e kandidatëve për kryetar dhe dy anëtarë të Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit.
Lëvizja e lirë e mallrave dhe eliminimi i barrierave tregtare
Me vendimin e sotëm, inicuam formimin e Grupit Punues Ndërministror për koordinim rreth legjislacionit teknik për lëvizjen e lirë të mallrave. Po ashtu, u miratua edhe propozim-vendimi lidhur me Programin për eliminimin e barrierave tregtare sipas neneve 34-36 të Traktatit për Funksionimin e BE-së.
Instrumenti për Ndihmën e Para-Anëtarësimit dhe bashkëpunimi ndërkufitar
U miratua nisma për negocimin e marrëveshjes ndërkombëtare të partneritetit në kuadër të Programit për bashkëpunim ndërkufitar Mal i Zi – Kosovë nën IPA II dhe u inicua procesi për ratifikimin e marrëveshjes financiare për IPA 2020 ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian“. – deklaroi kryeministri ne rrjetet sociale.