Për të prekur nga afër bukuritë e kësaj treve nga kryeqytetit të duhen më pak se 60 minuta, një rrugë që përshkon autostradën Tiranë-Elbasan dhe 59 kilometrash i afrohesh Dumresë dhe qytetit të Belshit, një nga 61 bashkitë e vendit. Mes kodrave e tarracave të Dumresë përshëndetjen e parë e merr nga liqenet karstike, që kufijtë e Bashkisë Belsh numërojnë plot 85 të tillë, me ujë të kristaltë.
Dikur zona e kultivimit masiv të duhanit, traditë e mbetur edhe sot, por e pasuruar dhe kultivimin e shafranit, drithërave dhe frutikulturën. Pas nuk mbetet vreshtaria e cila prodhon rakinë ndër më të njohur, ku pas asaj të Sulovës e Skraparit vjen rakia e Dumresë.
Urbanizimi i Zonës ka kthyer Belshin nga një qytezë të përhumbur nën ‘hijen’ e Elbasanit, sot në pikën e referimit për turizmin, agro-turizmin, fundjavave në natyre, historinë me parkun e memories ku rilindasi Sami Frashëri dhe heroi kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu qëndrojnë përkrah njëri-tjetrit.
Në këtë park nuk mungojnë edhe monumentet e lidhura me historinë e zonës si ai i mbretëreshës Teuta lidhur me liqenin e Seferanit apo Guri i Mullirit, që simbolizon jetën dhe lidhet me traditën e drithërave si grurë e misër.
Fauna e liqeneve është e pasur me peshq të llojeve të ndryshme, siç janë: krapi, karasi, ballgjëri, amuri, etj. Në disa liqene ka dhe ngjala, të cilat janë specie endogjene.
Liqenet e Dumresë janë formuar si rezultat i fenomeneve karstike, që kanë ndodhur dhe që vazhdojnë dhe sot në përmasa më të vogla. Sipërfaqja e tyre e përgjithshme është rreth 640 ha, ndërsa aftësia ujëmbajtëse 26 milion m3 ujë. Ata kanë madhësi dhe thellësi të ndryshme.
Janë liqene kryesisht me regjim shiu, që mbushen nga reshjet që bien. Disa nga liqenet më piktoreskë janë: ai i Belshit, Merhojes, Seferanit, Cestijes, Deges, Liqeni i Kuq, i Paraskës, i Marinzës, etj.
Në këtë zonë thuhet se: 26 nga liqenet e zonës së Dumresë shfrytëzohen për peshkim. Rreth 80 peshkatarë të zonës kanë marrë në administrim dhe shfrytëzim këto liqene, duke arritur të sigurojnë një prodhim 600-700 kv peshk në vit, i cili konsumohet tërësisht nga banorët e zonës.
– Sikur Belshi të ishte kryeqytet i Shqipërisë –
Në Belsh, të mëdhenj e të vegjël, e njohin dëshirën e Sami Frashërit që qyteza e tyre të ishte kryeqytet i Shqipërisë dhe kjo i bën të ndihen krenarë, sepse edhe pse kjo dëshirë nuk u bë realitet, ata dëshirojnë ta endërrojnë kështu vendlindjen e tyre.
Por, Belshi me liqenet e tij të panumërta, me kodrat e valëzuara, me resurset e mëdha natyrore dhe me njerëzit e tij punëtorë, mund dhe duhet të bëhet nesër një oaz i madh turistik në qendër të Shqipërisë.
Ersid Karaj, është student i Fakultetit të Shkencave Humane në Universitetin e Elbasanit në degën gazetari. Ai është i apasionuar pas poezisë dhe letërsisë. Në vitin 2019 ka botuar vëllimin e tij të parë me poezi me titullin “As në qiell, as në tokë“ në moshën 18-vjeçare. Ersidi e sheh gazetarinë si një rrugëtim drejt aktualitetit dhe ndërtimit të intelektit të tij. Ersidi kontribon me shkrimet e tij në LexoTani, me qëllimi që të mundësojë një kontakt të vazhdueshëm me lexuesit në fushën e artit, poezisë dhe letërsisë, dhe jo vetëm. Ersidi është kurdoherë i hapur për propozime dhe bashkëpunime: mund ta kontaktoni në [email protected]