102 vite nga vendosja në Shkodër e Komitetit për Mbrojtjen Kombëtare të Kosovës – nga Albin Kurti

Albin Kurti

Një shekull më parë, më 7 nëntor të vitit 1918, u vendos në Shkodër Komiteti për Mbrojtjen Kombëtare të Kosovës (KMKK).

Kjo organizatë politike e ideuar fillimisht nga Bedri Pejani (me origjinë nga Peja) e Sali Nivica (me origjinë nga Tepelena), u krijua më 1 maj të vitit 1918 dhe fillimisht operoi në kushte ilegaliteti. Por në 7 nëntor u vendos zyrtarisht në Shkodër, duke zgjedhur kryetar Hoxhë Kadri Prishtinën, e me anëtarësi të figurave të shquara kombëtare nga Kosova e nga trojet e mbetura nën Serbi e Mal të Zi: Bajram Currin, Hasan Prishtinën, Bedri Pejanin, Qamil Balën, Sali Ramën, Hafiz Ismet Dibrën, Halim Gostivarin, Hysni Currin, Nexhip Dragën etj.

Synimi kryesor i KMKK-së ishte çlirimi i Kosovës dhe i trojeve kombëtare dhe bashkimi i tyre me Shqipërinë, por gjatë viteve veprimtaria e KMKK-së mori dimensione të ndryshme, duke reflektuar edhe zhvillimet globale dhe nacionale që zunë vend.

Në muajt e parë të krijimit qëllimi imediat i KMKK-së ishte protesta para fuqive fituese të Luftës I Botërore, për t’i ndërgjegjësuar ato për mizorinë serbe në trojet shqiptare e për nevojën e bashkimit kombëtar. Më pas KMKK e zhvilloi edhe një program politik të përkohshëm, për administrimin e Kosovës nën Serbi deri në vitin 1919, sepse besonin se më 1919 Fuqitë e Mëdha do të merrnin vendim për largimin e Serbisë nga trojet shqiptare.

Por traktati i Versajës mori vendime të tjera, dhe shqiptarët e trojeve mbetën në Mal të Zi dhe Serbi, e në Greqi çamët, që asokohe ende nuk ishin spastruar.

Pas 1919, KMKK merr vendim të udhëheqë organizimin e rezistencës së armatosur, por prej fillimit ata shfaqin natyrë progresive në politikat e tyre pasi e theksojnë qartë se popullsia civile serbe nuk duhet të preket, duke treguar kështu një nivel qytetarie e vetëdije kulturore ku e ku më të lartë se armiqtë të cilët u njohën botërisht për masakrat ndaj shqiptarëve.

KMKK nuk u përqendrua vetëm te çështja e Kosovës, por u angazhua edhe gjerësisht për çështjen shqiptare, sepse çështja shqiptare është Një, ashtu siç jemi një komb shqiptar. 

Kështu KMKK u angazhua edhe në ndihmë të çlirimit të Vlorës prej italianëve, por edhe me lëvizjet progresiste e demokratike brenda shtetit shqiptar, duke u afruar me politikat e Fan Nolit. Me rrëzimin e Nolit nga pushteti e me rikthimin e Ahmet Zogut, në marrëveshjen e Zogut me mbretërinë serbe që e ndihmoi, ishte edhe suprimimi i KMKK-së, e cila kështu u detyrua pas vitit 1925 të dalë sërish në ilegalitet e të veprojë në mërgatë. Liderë të organizatës, si Hasan Prishtina e Bajram Curri u vranë, megjithatë veprimtaria vazhdoi, duke u afruar në bashkëpunim edhe me Komitetin Nacional Revolucionar (KONARE) të fanolistëve.

KMKK-ja është një nga nyjet fillestare të lëvizjes kombëtare dhe organizimit politik e popullor i cili na u trashëgua brez pas brezi, e sot e kemi Lëvizjen VETËVENDOSJE!. Është detyrë e jona historike ta vazhdojmë kapacitetin organizativ dhe lëvizjen, si mjet të popullit shqiptar, për të ruajtur të drejtat e veta e për të fituar Bashkimin. Një popull i mbetur pa lëvizje e pa organizim, mbetet i pashpresë. Por një popull si yni, ku lëvizja ka ekzistuar prej më se një shekulli, e ku sot është e fortë dhe e organizuar, nuk do ta ketë të ardhmen e keqe, edhe pse e tashmja lë shumë për të dëshiruar.

Nga Albin Kurti, shkruar më 7 nëntor 2018

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *