Zyber Hallulli, kryetari i parë i bashkisë së Tiranës.

Zyber Hallulli,Kryetari I Parë I Bashkisë Së Tiranës

Zyber efendi Hallulli (1842-1927) i biri i Mehmetit, lindi në Tiranë në një familje fetare. Studimet e para i kreu në vendlindje dhe pastaj vazhdoi studimet e larta në Stamboll. Pasi i mbaron studimet kthehet në Tiranë, ku fillon shërbimin e tij fetar.

Nismat e para të ndërmarra nga Zyber Hallulli

Bashkë me patriotë të tjerë tiranas ai është përpjekur për shkollën shqipe, merr pjesë në ngritjen e flamurit në Tiranë më 26 nëntor 1912, ngre zërin në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve etj. Kështu ai është nënshkruesi i parë në telegramin-kërkesë, që i dërgohet Esad Pashë Toptanit, deputeti i Durrësit në Stamboll më 25 korrik 1912, ku në formë kërkese parashtrohet: “se shqiptarët presin prej një qeverie të tillë (qeverisë xhonturke), që t’i marrë parasysh me kujdes të drejtat dhe kërkesat e arsyeshme të tyne”. Ky telegram bëhet nga e gjithë paria e Tiranës, nënshkruar në emër të popullit nga 21 veta, ndër të cilët: Zyber Haxhi- kryetar bashkie, Ismail Ndroqi- myderriz, Xhemal Pazari- myderriz, Murat bej Toptani, Masar bej Qorraliu, Xhemal agë Beshiri, Muharrem aga Karapici, Fan Koja etj. Pas ngritjes së flamurit në Tiranë dhe në Vlorë zgjidhet në postin e kryetarit të bashkisë së Tiranës, gjithashtu ndihmoi në hapjen e shkollave shqipe.

Nismat kryesore të bamirësisë

 Më 28 nëntor 1917, ishte njëri ndër iniciatorët për hapjen e strehës së parë për të varfrit, ku u zgjodh edhe drejtues i Këshillit të kësaj strehe. Kjo strehë pati edhe mbështetjen e gjerë të parisë së Tiranës, ku tregohej një kujdes i veçantë për jetimët aty, numri i të cilëve erdhi duke u shtuar. Zyber efendiu veç të tjerash ndihmonte edhe vajzat e familjeve të varfra, duke iu siguruar atyre pajën e martesës. Ai ndihmonte edhe në lagje familjet me jetimë, duke i furnizuar me ushqime dhe veshmbathje. Ai vazhdoi ta administrojë Strehën e të varfërve nga themelimi i saj e deri sa ndërroi jetë dhe për këtë gjë u mbiquajt edhe “Babai i jetimëve”. Një fushë tjetër e veprimtarisë së tij ka qenë edhe ajo patriotike.Para se të vdiste edhe atë pasuri që kishte në zotërim ua la jetimëve në strehën e të varfërve.

 Ndërroi jetë në 25 dhjetor 1927. Për veprimtarinë e tij patriotike dhe bamirëse ka marrë disa tituj e medalje falenderimi. Me vendim të Këshillit Bashkiak të Bashkisë së Tiranës Shtëpia e Fëmijës ka marrë emrin “Zyber Hallulli” dhe është dekoruar nga presidenti Sali Berisha në vitin 1995 me medaljen për “Veprimtari Patriotike”

Orgest Met’hasa është student i fakultetit të shkencave humane në Universitetin e Elbasanit në degën gazetari. Aktualiteti, zhvillimet e vazhdueshme në rang kombëtar dhe ndërkombëtar nxisin interesin e tij për këtë fushë. Orgesti është i angazhuar në iniciativa sociale dhe sipërmarrje. Përveç studimeve, ai punon si menaxher në “MH HORIZONT”. Orgesti është gjithashtu kontribues në LexoTani me qëllim për ti ardhur në shërbim lexuesit shqiptar dhe për ta njohur atë me tematika të rëndësishme, të cilat prekin jetën e tyre në mënyrë direkte apo indirekte. Orgesti është kurdoherë i hapur për propozime dhe bashkëpunime: mund ta kontaktoni në [email protected]

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *