Dy muaj pas përfundimit të zgjedhjeve dhe me përmirësimin e situatës me koronavirusin, është vendosur të ndërpriten kontratat me mjekët specializantë. Megjithatë nga ministria deklarohet se ky është një veprim I përvitshëm, pasi çdo punësim kalon përmes portalit.
Ministria e Shëndetësisë ka urdhëruar Operatorin e Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor që të ndërpresë kontratat e punës me mjekët specializantë.
Në vendim thuhet se Drejtoria Qendrore e OSHKSH-së duhet të përgatisë listën e vendeve vakante pas largimit të mjekëve specializantë.
Mjekët specializantë kanë protestuar këtë të hënë pranë Fakultetit të Mjekësisë kundër vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë për ndërprerjen e kontratave.
Sipas tyre, nga ky vendim rreth 800 mjekë mund të mbesin të papunë, dhe kryesisht ata specializantë, të cilët nuk kanë kontratë me Ministrinë e Shëndetësisë dhe që nuk paguhen gjatë kohës së specializimit.
Sipas avokatit, Adriatik Lapaj i cili ka dalë në mbështetje të specializantëve, Ministria e Shëndetësisë është në shkelje të ligjit, pasi me këta individë duhet të negociohej para vendimit. Prandaj edhe specializantët kërkojnë takim me përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë.