Për 15 vite, çdo natë dhe vullnetarisht, kjo grua e moshuar ia ka kushtuar kohën e saj, fëmijëve që vijnë në këtë botë. Ka bërë një punë që kërkon kohë dhe pa kërkuar asgjë në këmbim. Quhet Jeanie Shaffer dhe është 90 vjeçe. E moshuara bën thuajse përditë kapuçë të vegjël për foshnjet që lindin në një spital në Maryland (SHBA). Në spital të gjithë i janë mirënjohës.
“Normalisht foshnjave ia vendosim kapuçët menjëherë sapo ua thajmë kokat. Kjo sepse kapuçi i mban kokën ngrohtë dhe i ndihmon të ruajnë temperaturën e tyre”-tha një nga mjeket për mediat.
Në shenjë falenderimi, administrata e spitalit i ka kërkuar familjeve që kanë dëshirë, që të dërgojnë fotot e foshnjeve të tyre, për t’i përgatitur një surprizë të moshuarës. Reagimi ishte masiv. Mijëra familje e nëna kanë përcjellë fotot e foshnjeve të tyre, të veshur me kapuçët e thurur nga duart e të moshuarës. Nuk janë të pakët kapuçët e vegjël që ka bërë 90 vjeçarja në 15 vitet e fundit, por plot 11 mijë të tilla.
“Më bën të ndihem krenare, të ndihem mirë, që mund t’i dhuroj fëmijëve që vijnë në këtë botë, diçka për t’i ngrohur kokën.”-thotë e moshuara.
Spitali i printoi disa prej fotove që u dërguan, për ti vendosur në një album e për t’ja dorëzuar të moshuarës, si një shenjë e vogël falenderimi për punën e saj 15 vjeçare. E duket se albumi, i ka dhënë një kuptim më shumë jetës së kësaj gruaje, e cila shpreson të jetojë më gjatë për të dhuruar sa më shumë kapuçë për foshnjet që i bashkohen kësaj bote.
“Dua të jetoj deri në 100 vjeç. 90 vjeç i mbusha në shkurt dhe derisa të kem jetë, dua të thur kapuçë për fëmijët, derisa të kem mundësi.”-tha Jeanie.