Përse SHBA i ka shpallur luftë Sali Berishës? – nga Mentor Kikia

Sali Berisha Dhe Kim | Lexotani

Sezoni i ri politik mund të jetë më interesanti i periudhës postkomuniste. SHBA janë në një aksion të hapur për ta nxjerrë Sali Berishën jashtë skenës politike. Qëndrimet e Ambasadës së SHBA ndaj Berishës janë aq flagrante, sa ç’ishin edhe tri dekada më parë, kur ambasadori Rajerson dilte në mitingje përkrah tij, duke e shtyrë drejt pushtetit.

Gjatë tri dekadave, Berisha ka luajtur një politikë me shumë ulje-ngritje në marrëdhëniet me SHBA, por gjithmonë ai ka dalë jo thjeshtë i fituar, por i përfituar. Si politikan, ai ka qenë më i llastuari i Uashingtonit, për shkak të rrethanave historike nëpër të cilat ka kaluar Shqipëria, por mbi të gjitha rajoni. Megjithatë, Berisha tashmë e shikon veten në ring. I plakur, i lodhur, por me vullnet. Atij i duhet të ndeshet, pasi refuzon të dorëzohet.

Por, përse SHBA kërkon ta nxjerrë Berishën jashtë parlamentit dhe politikës? A është ai një anti-amerikan? Padyshim që jo. Sepse në Shqipëri mund të ketë politikanë anti-shqiptarë, por kurrësesi jo anti-amerikanë. Vetë Berisha e ka varur pushkën e rezistencës në gozhdën e Xhorxh Soros, filantropit që thuhet se mbështet politika të “ribërjes” së Ballkanit të trazuar ndër shekuj. Mërrëdhënia e tyre ka qenë e vështirë që në kohën kur Berisha ishte president dhe kërkonte dëbimin e zyrës së fondacionit nga Shqipëria. Por, a mundet që Soros jetë kaq inatçor sa të lobojë tani në Departamentin e Shtetit për tu hakmarrë ndaj Berishës, kur ai s’ka më asgjë në dorë?

Berisha thotë se po e sulmojnë sepse ai po mbron interesat shqiptare kundër idesë së Sorosit për ndryshimin e kufijve të Kosovës. Por a mundet Berisha ta pengojë një plan kaq të madh, nëse ai do të marrë vizën e Uashingtonit dhe kancelarive të tjera?

Ambasadorja Kim, thotë se “Ne nuk tërhiqemi nga lufta jonë kundër korrupsionit”. Pra, Berisha, zyrtarisht, sulmohet si një politikan i korruptuar. Për këtë edhe u shpall i padëshiruar në SHBA. Ai është i vetmi politikan, ende aktiv, në Europën Lindore, që erdhën në pushtet nga revolucionet antikomuniste. Kritikët e tij thonë se ai nuk tërhiqet, sepse e mban angazhimin si mburojë kundër ndonjë ndërhyrjeje të drejtësisë ndaj tij, apo familjes së tij. Deri tani SPAK nuk ka bërë lëvizje zyrtare për ndonjë hetim ndaj pasurive të familjes së ish kryeministrit, edhe pse indicie ka. Por, në një rast të mundëshëm, me siguri që Berisha do ta tërheqë PD-në në një luftë për mbrojtjen e vetes dhe familjes, dhe kjo do ta fuste politikën në një vorbull të re krize e konfliktesh.

Paralelisht me luftën ndaj Berishës, ambasada e SHBA duket sikur mbylli njërin sy përballë problemeve reale me zgjedhjet. Kjo të bën të mendosh se opozita e ka tashmë Berishën një barrë mbi shpinë në rrugën e saj drejt pushtetit. Në një PD në pushtet, Berisha padyshim nuk do të jetë pjesë e tij, por klani i tij ekonomik padyshim që po. Për këtë arsye, PD është tashmë në udhëkryqin e saj historik: Për të udhëtuar drejt pushtetit, ajo duhet të shkarkojë tani nga treni, pikërisht makinistin e parë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *