Në ditët e sotme e gjithë bota është kthyer në një fshat të vogël. Teknologjia dhe metodat e komunikimit e kanë lehtësuar ndërveprimin midis kombeve. Nga ana tjetër, edhe ndikimi midis tyre është akoma më i ndjeshëm. Tanimë, ndodhitë, katastrofat, vendimet por edhe ligjet e një shteti apo rajoni ndikojnë edhe shtetet e tjera përreth. Siç e dimë, çdo komb ka të mirat, por edhe sfidat e tij. Prandaj, mund të themi se çdokush ka të drejta dhe detyrime ndaj njëri-tjetrit. Ne jemi të ndërlidhur; qoftë kjo nëpërmjet vlerave, ideologjive, kulturave, sfidave, vuajtjeve apo edhe historisë.
Edhe ne vetë si individë, si shqiptarë, që jetojmë në treva të ndryshme dhe në diasporë kemi përgjegjësitë tona. Kombi ynë, njerzit tanë por edhe mbarë njerzimi kanë disa të drejta thelbësore kundrejt nesh. Këto të drejta mund ti gjejmë në traditë, në zakone, në ligje por edhe të mishëruara përgjatë historisë dhe jetës së përditshme.
Ne të gjithë duhet të kuptojmë se është detyrim i gjithësecilit prej nesh, të jemi shembull dhe të përmirësojmë imazhin e shqiptarëve kudo në botë. Kjo bëhet me anë të një përpjekje të përbashkët dhe të vazhdueshme. Këto qëllime arrihen me anë të kontributit në fusha të ndryshme si shkenca, arti, kultura, siguria, dialogu etj., të cilat duhet të kenë dinamikat e veta individuale dhe të përbashkëta.
Gjithashtu, ne nuk duhet të harrojmë se figurat më të rëndësishme të historisë sonë, duke filluar që nga herojtë, tek rilindasit e deri tek pishtarët e kohës së tanishme, kanë bërë përpjekjet e tyre rreth këtyre çështjeve. Tanimë, na përket neve ta çojmë përpara vendin tonë, popullin tonë, njerzit tanë. Shqipëria duhet të avancojë dhe të pozicionohet në kahun e së drejtës, si e vetmja rrugë për të zënë një vend në anën pozitive të historisë njerzore.
Pra, nëse disa e kanë kryer këtë detyrë, e më pas na e kanë kaluar neve flamurin, është tashmë përgjegjësia jonë që ky flamur i pavarësisë, i ardhur nga duart e Ismail Qemalit të valvitet krenar. Kjo sepse, deri më sot, shumë janë sakrifikuar, burgosur dhe kanë duruar vuajtje të cilat në ditët tona të paqta, as nuk imagjinohen nga brezat e rinj! Prandaj, kjo paqe që gëzojmë sot, vjen falë sakrificave të të parëve tanë.
Për këto arsye, përgjegjësia jonë e përbashkët, në përmirësimin e imazhit të shqiptarëve kudo në botë, por edhe përparimi i popullit tonë, është e drejta e këtyre heronjve por edhe detyrimi ynë moral e njerëzor.
Gjithashtu, edhe për kombet e tjera që nuk na përkrahin, nuk na vlersojnë e për disa që mundohen të na përçajnë e dëmtojnë, është sërish detyrimi ynë që me përpjekje pozitive t’ja përmirësojmë gjykimet dhe mendimet. Në këtë mënyrë, edhe trevat tona do mirëpriten krahëhapur nëpër institucionet ndërkombëtare, si ai i Bashkimit Europian.
Secili prej nesh duhet të synojë të kthejë në realitet fjalët e Gjerg Fishtës i cili me aq ëndje shprehet se :
Edhe hâna do t’a dije,
Edhe dielli do t’ket pa,
Se përqark ksaj rrokullie,
Si Shqypnija vend nuk ka.
Pra, nëse ti si individ i ke mundësitë, duhet të bësh një përpjekje të palodhshme për tu edukuar e më pas duke kontribuar në fushën e aftësive të tua, qoftë kjo në aspektin social, kulturor, artistik, shkencor, filozofik, teologjik etj.
Për ta përmirësuar imazhin e një Shqipërie më të mirë, ka tre mënyra kryesore :
– së pari, nëse ndryshimin mund ta bësh me dorën tënde, atëhere bëje,
– së dyti, nëse mund ta bësh me gjuhë e me fjalë, ashtu bëje,
– së treti, nëse nuk e bën as me dorë e as me fjalë atëherë bëj përpjekje e vlerëso mundësi e metoda të tjera, por bëje, ndryshoje, përmirësoje.
Sigurisht, ndryshimi i imazhit të një kombi nuk është i lehtë, ai nuk bëhet me zemërim e duke shtrënguar dhëmbët apo duke u turfullosur. Ai ndryshim arrihet vetëm me anë të një pune individuale dhe të përbashkët rigoroze.
Ai ndryshim arrihet duke lexuar realitetin dhe duke gjetur zgjidhje, të cilat mund të kthehen në strategji të mirëplanifikuara dhe detajisht të aplikuara. Ne duhet të kuptojmë se, asgjë nuk del në dritë kur punët bëhen kuturu, pa strukturë dhe pa një vizion afatgjatë.
Ardit Kuqa është menaxher projektesh në fushën e biznesit dhe inovacionit social. Aktualisht punon si menaxher dhe drejtues projektesh në “Etude Plus” në zonën e Parisit. Arditi ka studiuar Inxhinjeri Biznesi, Studime Evropiane dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare. Ai është i apasionuar pas edukimit dhe sipermarrjes, si mekanizma për të përmirësuar jetën e qytetarëve, shoqërisë dhe funksionimin e demokracisë. LexoTani është njëra prej disa nismave që kontribuon në këtë aspekt. Arditi është i hapur kurdoherë për bashkëpunime dhe propozime; mund ta kontaktoni në [email protected] ose në profilin e tij LinkedIn – https://www.linkedin.com/in/kuqaardit-yourchoice/