Katër të vrarë për rërën. Vjet e kishte njëri, e sivjet ia dhanë tjetrit. Djegim çadrat për inat të njëri-tjetrit, policia që ndërhyn për të hequr çadra e shezllonge në pikun e sezonit…”Pronarë” rëre që të zënë me shkelma po të panë me çadër e termus me vete…
Nuk dimë?
Nuk mundemi?
Apo nuk duam të menaxhohemi!
Nuk ka rëndësi.
Rëndësi ka që jemi për faqe të zezë. Ndaj unë kam një propozim…
Të dërgojmë 10 ditë për pushime, jo shumë larg, por në Mal të Zi:
– Kryeministrin
– Ministrin e Brendshëm
– Ministrin e Turizmit
– Drejtuesit e Agjensisë së Turizmit, Mjedisit dhe Agjensisë së Bregdetit
– Kryetarët e bashkive të zonave bregdetare
– Edhe kreun e opozitës, që të jetë gjithësesi
Këta, të shkojnë me radhë në çdo plazh, nga Ulqini, matanë Bunës, e deri në Kotorr, në fund fare. Të shikojnë sesi menaxhohet rëra, plazhet me guralecë dhe pllakat e shkëmbinjve.
– Të shikojnë sesi një vend që ka më pak së gjysmën e hapësirës tonë, menaxhon 10 herë më shumë turistë.
– Të shikojnë atje sesi në plazhe të mëdha ka edhe shezllongë edhe çadra personale.
– Të shikojnë se si edhe në një copë gji, alternohen hapësirat, publik + privat.
– Sesi ka plazhe ku nuk ka fare shezllonge dhe njerëzia rrinë shtrirë mbi pllaka gurësh.
– Të shikojnë sesi detin e shijojnë njësoj, si të kamurit edhe të varfërit.
– Të shikojnë sesi në një gji 300 metra vijë bregdetare, pushojnë 50 mijë njerëz, e ku janë të gjithë të kënaqur.
– Të shikojnë sesi në çdo plazh ka roje dhe një kordon që tregon zonën e sigurisë në ujë dhe ku nuk afrohet asnjë kapadai me motor.
– Të shikojnë sesi ka alternativa për tu ushqyer, nga 1.5 Euro vakti deri në 1.500 Euro vakti.
Koston e këtij udhëtimi turistik, propozoj ta paguajmë ne, nga 1 Euro për person, vetëm të shpëtojmë nga ky mallkim që na ka gjetur me detin tonë.