“Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka bërë gabim të madh me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, gjatë takimit te tyre të zhvilluar javën e kaluar në Pallatin Elysee të Francës, nga ku Kurti tha se Franca nuk ka treguar mbështetjen e saj për liberalizimin e vizave“, ka deklaruar Raportuesja për Kosovë në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon.
Raportuesja në Parlamentin e Unionit i cili disa herë ka votuar liberalizimin e vizave për kosovarët akuzon Francën se po mban peng vendimin final që e merr Këshilli Evropian.
“Franca luan lojë të brendshme, kështu ajo po instrumentalizon e mban peng qytetarët e Kosovës”, ka thënë Von Cramon duke shtuar se nuk pajtohet assesi me presidentin Emmanuel Macron.
“Unë shpresoj që Macron do të mund t’i jepte diçka Kosovës në vend që të kërkojë nga Qeveria e Kosovës t’i ofrojë diçka BE-së”.
Von Cramon e cila të hënën takoi në bisedë të mbyllur shefat e grupeve parlamentare të partive opozitare thotë se çështja e Asociacionit duhet të adresohet me kujdes në kuadër të marrëveshjes finale.
“Në ligjet e Kosovës ekzistojnë dispozita ligjore që ofrojnë një masë autonomie për minoritetet përfshirë atë serb. Do të ishte mirë që të kemi një pasqyrë se çka ka në këto ligje dhe pastaj të flasim se si të shkohet para me procesin. Sigurimi i këtij informacioni do të ishte shumë i rëndësishëm të paktën për mua në Parlamentin e Evropës”, ka deklaruar ajo.