Kur shteti dhe policia bëhen cigare!

Shtetl, Policia, Gjygjsori

Policia është manifestimi ose imazhi më i qartë i autoritetit shtetëror. Këto dy institucione kanë një marrëdhënie të ndërsjellë. Kjo do të thotë se, nëse shteti është i drejtë dhe zbaton ligjet dhe kushtetutën, edhe institucioni policor bën të njëjtën gjë. Nëse shteti vepron të kundërtën, kjo pasqyrohet edhe tek policia.

Në parim, të dyja këto institucione kanë si qëllim dhe përparësi ti përgjigjen nevojave dhe pritshmërive të popullit, mbi të cilin mbajnë përgjegjësi morale dhe ligjore. Në praktikë, pothuajse të gjitha institucionet e qeverisjes, ruajtjes së rendit dhe drejtësisë cilësohen si “cigare“ për qytetarët e vendit.
Çfarë nënkupton kjo?!

Pothuajse në të gjithë historinë e vendit tonë që pas formimit të strukturave shtetërore, institucionet e ndryshme në aspektin “de jure“, pra ligjërisht, supozohen të jenë në shërbim të qytetarëve. Por, në realitet, ato janë përdorur si instrumente, prej çdo kahu politik, në mënyrë që të arrihen qëllime të ndryshme për përfitime vetjake apo klanoro-partiake. 
Këtë fenomen negativ e kemi hasur prej vitesh dhe po e hasim edhe sot. Tanimë, pyetja që ngrihet është; a duhet ta lejojmë të përballemi me të njëjtin fenomen edhe nesër e në të ardhmen?!

Shokuese janë  statistikat e përftuara nga studimi i 2019-ës nga SELDI* (Udhëheqja Evropiane Jug-Lindore për Zhvillim dhe Integritet), mbi sistemin gjygjësor në Ballkanin Perëndimor dhe perceptimin e korrupsionit. Në bazë të statistikave, Shqipëria mban vendin e parë, me nivelet më të larta, kundrejt 6 shteteve në total. Nga ana tjetër, Serbia qëndron me nivelet më të ulëta.

Për ta vënë në prespektivë, siaps studimit nga SELDI, rezultatet e Shqipërisë janë pothuaj dyfish në krahasim me vendet e tjera:
– Mbi zyrtarët e administratës në sistemin gjygjësor – korrupsioni 87%, kundrejt Serbisë 46%.
– Mbi gjygjtarët – korrupsioni 94%, kundrejt Serbisë 55%.
– Mbi juristët – korrupsioni 80%, kundrejt Serbisë 51%.
– Mbi prokurorët publik – korrupsioni 91%, kundrejt Serbisë 51%.

Çfarë nënkupton kjo për qytetarët e thjeshtë dhe taksapaguesit e rregullt shqiptarë?! 
Pa asnjë dyshim që ky është një alarm negativ për të gjithë, pavarësisht kaheve politike të cilave i përkasim ose edhe në qofshim apolitik. Këto rezultate, përveçse rrezikojnë të ardhmen europiane, njëkohësisht vënë në rrezik të ardhmen dhe dinjitetin e secilit prej nesh dhe brezave të ardhshëm. 

Çilat janë arsyet apo shkaqet e këtyre shifrave shqetësuese?
Kjo ka vetëm një përgjigje të arsyeshme dhe një mori shkaqesh; sjellja dhe veprimet antikushtetuese të institucioneve shtetërore dhe institucioneve vartëse të saj. Janë po këto sjellje antikushtetuese me të cilat po ndeshemi, sidomos në ditët e fundit, ku policia, për shkaqe banale, guxon ti marrë jetën një të riu 25 vjeçar. 
Nga ana tjetër, pas ngritjes së qytetarëve në protestë, institucioni policor ka përdorur pa të drejtë dhunën, në mënyrë jo proporcionale,  për të shtypur protestuesit. Këto veprime nga policia janë në shkelje të Nenit 133**, (pikat 1, 2, 3, 5 dhe 6)*** të parashikuara nga ligji për “Policinë e Shtetit“. 

Kjo shkelje detyre vjen si pasojë e një periudhe shumë kritike në të cilën po kalon vendi, ku mazhoranca në fuqi me dy mandate, po kërkon me çdo mjet mbajtjen e fuqisë diktatoriale që ka akumuluar.
Arsye këto që e kanë kthyer shtetin, policinë dhe të gjitha institucionet vartëse në cigare. Pra, ashtu siç duhani dëmton e vret; ai vret me paratë e duhanpirësit, po ashtu, edhe shteti, bashke me institucionet e tyre dëmtojnë, dhunojnë e vrasin qytetarët e pafajshëm, po me taksat e këtyre të fundit.

Por, në momentin që ne si qytetarë paguajmë këto taksa, duhet të jemi të vetëdijshëm se jemi ne blerësit e shërbimeve publike, dhe si blerës kemi “pronësinë” mbi qeverisjen e vendit; dhe kemi të drejtë të kërkojnë llogari se si përdoren taksat tona. 
Nëse nuk e bëjmë këtë, taksat që qytetarët po i paguajnë, dhe që supozohet të përdoren për mirëqënien e përbashkët po shfrytëzohen për nënshtrim e dhunim, me qëllim ruajtjen e fuqisë dhe trashëgimisë diktatoriale. 

Kur shteti dhe policia bëhen cigare, neve na vrasin, na shtypin e na i djegin ëndrrat!

Referencat:
* SELDI policy brief no. 12, December 2020 : Judiciary in the Western Balkans: the long road from political dependence towards EU standards. https://seldi.net/wp-content/uploads/2020/12/Policy-brief-The-Judiciary-in-Anticorruption-final-web.pdf
** Neni 133, mbi kuadron e lejueshmërisë se përdorimit të forcës. https://www.mb.gov.al/wp-content/uploads/2018/02/LIGJI_I_POLICISE_SE_SHTETIT_-_2014.pdf
*** Të detajuar pikat (1, 2, 3, 5 dhe 6) të nenit 133.
1. Punonjësi i policisë përdor forcën për të përmbushur detyrën vetëm kur kjo është e nevojshme dhe vetëm nëse të gjitha masat e tjera janë të pasuksesshme apo të pamundura.
2. Punonjësi i policisë përdor forcën në përputhje me parimin e proporcionalitetit.
3. Punonjësi i policisë përzgjedh nivelin e nevojshëm të forcës ndërmjet mundësive të përshkallëzuara, që, ndër të tjera, përfshijnë bindje me fjalë, shtrëngim fizik, mjete goditëse, mjete me lëndë paralizuese, mjete me goditje elektrike, qen policie dhe armë zjarri.
5. Punonjësi i policisë duhet të paralajmërojë se do të përdorë forcën para përdorimit të saj. Ky paralajmërim mund të mos kryhet nëse rrethanat nuk e lejojnë, veçanërisht kur përdorimi i menjëhershëm i forcës është i nevojshëm për të parandaluar një rrezik real dhe të çastit.
6. Grupe personash paralajmërohen sa më shpejt të jetë e mundur se do të përdoret forcë ose forma e forcës së përdorur do të ndryshohet, në mënyrë që pjesëmarrësit të lejohen të largohen.

Ardit Kuqa, është i apasionuar pas edukimit dhe sipërmarrjes. Atij i pëlqen ta sfidojë veten me gjëra të reja. Arditi ka studiuar Marrëdhënie Ndërkombëtare, Studime Europiane dhe Inxhinjeri Biznesi. Punon si menaxher dhe drejtues projektesh në NGO të ndryshme në Paris, Francë. Ai është CEO i LexoTani dhe disa nismave të tjera.
Kontakto: [email protected]

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *