Nga Arbi Tarja dhe Fjoralb Pashollari.
Myslimanët anekënd botës kryejnë një herë në vit agjërimin, periudha e të cilit ndryshon sipas vitit. Në vitin 2020 në të cilin ndodhemi, agjërimi filloi më 24 Prill. Myslimanët nuk e mbajnë agjërimin me qëllim rënien në peshë apo për përfitime shëndetesore, por sepse agjerimi është shtylla e tretë e Fesë Islame dhe si e tillë urdhërohet në Kuran ku Zoti thotë:
“O besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi, ashtu si u ishte urdhëruar atyre para jush, që të mund të ruheni nga të këqijat.”
Profeti Muhamed (s.a.s) na ka këshilluar duke na thënë:
“Për Atë (Zotin), në Duart e të Cilit është shpirti im! Era që vjen nga goja e agjëruesit është më e mirë dhe më e dashur tek Zoti i Lartësuar sesa era e miskut (parfumit)“.
Ndërsa vetë Zoti thotë në një Hadith Kudsi për agjëruesin:
“Ai e ka lënë mënjanë ushqimin, pijen dhe dëshirat e tij për Hatrin Tim. Agjërimi është për Mua, kështu që Unë do ta shpërblej (agjëruesin) për të dhe shpërblimi i veprave të mira shumëfishohet dhjetë herë“. (Sahih Buhari, Nr. 1894).
Çfarë ndodh me trupin kur ne agjerojmë?
Trupi i njeriut ka tre burime kryesore energjie; karbohidratet, yndyrnat dhe proteinat. Burimi kryesor i energjisë në trup është glukoza (karbohidrat), e cila nevojitet për trurin që të funksionojë siç duhet. Glukoza ka rol kryesor në mbarëvajtjen e trurit. Pavarësisht kësaj ne duhet të dimë se mbas një dite agjërimi sasitë e glukozës fillojnë të pakësohen dhe rrezikojnë të mbarojnë.
Në bazë të kësaj na lind pyetja :Si përshtatet trupi ndaj kësaj sfide?
Sipas studimeve shkencore, menjëherë trupi i njeriut fillon të prodhojë glukozë me anë të proteinave të cilat gjenden në muskuj dhe yndyrnave të depozituara që gjenden në trup. Këto burime energjie njihen ndryshe në gjuhën e shkencës si “ketone“. Do jenë pikërisht këto ketone që do shërbejnë si burime energjie për trurin. Kjo punë kryhet nga melçia e cila është një fabrikë e vërtetë e trupit. Si pasojë e kësaj sistemi hormonal dhe ai endokrin fillojnë të ndryshojnë. Nga ana tjetër hormonet mobilizojnë rezervat e trupit, disa prej të cilave kanë dhe efekt inflamator por që mekanizmi i trupit bën balancimin e gjëndjes së tij.
Gjatë këtij proçesi në trupin e njeriut mund të vërehen shumë përmirësime si p.sh: balancimi në nivelet e glukozës, kolestrolit, triglicerideve, dhe insulinës, ndërsa enegjia e trupit bie ngadalë. Gjithashtu frymëmarrja dhe rrahjet e zemrës zvogëlohen dhe bie presioni i gjakut duke bërë që sistemi tretës të shkojë në një gjëndje “pushimi“.
Agjërimi dhe dobitë shëndetësore të tij:
Sigurisht përveç përfitimeve shpirtërore për një besimtar, agjërimi fsheh një thesar urtësish dhe përfitimesh shëndetsore si p.sh:
– Përmirëson metabolizmin duke djegur sasinë dhjamore të tepërt dhe të panevojshme.
– Pastron lëkurën, ul presionin e gjakut dhe nivelin e sheqerit në gjak.
– Ul inflamacionin dhe përmirëson rigjenerimin e qelizave.
– Përforcon zemrën dhe përmirson fuksionimin e trurit.
– Rrit sistemin imun dhe rezistencën e trupit ndaj stresit.
– Përmirëson rikuperimin ndaj dëmtimeve dhe dihmon në luftën kundër sëmundjeve duke rritur kështu jetëgjatsinë.
Agjërimi është pushim për sistemin tretës.
Sipas shkencës mjeksore sistemi jonë tretës ka nevojë të pushojë. Ramazani është një periudhë pushimi për sistemin tonë tretës, i cili është përgjegjës për tretjen dhe thithjen e ushqimit. Si pasojë dhe mëlçia, e cila është fabrika e metabolizmit do ngadalësojë ritmet e saj të shpejta. Mund të themi se ashtu siç ka nevojë një punëtor të pushojë dy ditë në javë, apo siç ka nevojë një makineri të pushojë dhe të fiket pas një pune për një kohë të gjatë, ashtu edhe trupi i njeriut , sistemet e të cilit e përbëjnë atë , kanë nevojë të pushojnë të paktën një herë në vit.
Në këtë mënyrë, ato sisteme do të rikthehen më të forta dhe më energjike pas këtij proçesi rekuperimi gjatë Muajit të Ramazanit. Sigurisht, për të arritur një përfitim të tillë, agjëruesi duhet ti përmbahet porosisë profetike për të ngrënë bollshëm në syfyr (mëngjes) dhe pak në iftar (mbrëmje).
Agjërimi është rënie e moderuar në peshë.
Gjatë agjërimit ulet konsumimi i shqernave dhe po ashtu edhe niveli i sheqernave në gjak. Kjo bën të mundur që organizmi të konsumojë sheqernat e depozituar në mëlçi dhe muskuj për të përballuar nevojat metabolike të trupit. Glikogjeni i depozituar në mëlçi dhe yndyrnat në lëkurë e organe shpërbëhen e konsumohen prej nevojës për energji ditore. Kjo rezulton në rënien e peshës trupore. Prandaj, agjerimi konsiderohet me shumë vlerë për personat mbipeshë dhe për diabetikët në mënyrë që organizmi i tyre të vijë në balancë.
Agjërimi është pushim për veshkat.
Shumë studime kanë treguar se mospirja e ujit për një periudhë 10-12 orë në periudha të caktuara nuk është aspak e dëmshme por përkundrazi, ka shumë përfitime për motabolizmin. Nevoja për lëngje në trup shkakton dehidratim të lehtë, të cilin organizmi e përballon me anë të një rezerve të mjaftueshme lëngjesh të përqëndruara në organizëm. Nga ana tjetër në rastin kur njeriu nuk ka gurë në veshka, të dyja veshkat pushojnë nga aktiviteti i përditshëm i eleminimit të lëngjeve të tepërta dhe atyre toksike. Suneti (Veprimi) i Profetit Muhamed (a.s) kur na këshillon që syfyri (ngrënia e mëngjesit) të shtyhet sa më vonë dhe iftari (ngrënia e darkës) të mos vonohet, mundëson që koha e dehidratimit të zvogelohet sa më shumë të jetë e mundur.
Pra si përfundim mund të kuptojmë që mosmarrja e lëngjeve për një periudhë të shkurtër çon në rënien e moderuar të presionit arterial dhe mund të jetë pozitive për ata të cilët vuajnë nga hipertensioni arterial.
Agjërimi si detoksifikim (pastrim) i trupit.
Përveç aspekteve pozitive që agjërimi ka për pastrimin e shpirtit të besimtarit, agjërimi vepron gjithashtu si detoksifikant apo pastrues shumë efektiv për trupin e njeriut. Kjo për arsye se kur trupi fillon të konsumoje nga rezervat e dhjamit për energjinë e nevojshme që i duhet ai djeg materialet toksike të dëmshme që mund të jenë prezente në depozitat e
dhjamit. Duke mos ngrënë gjatë ditës, trupi do të ketë rastin e rrallë të detoksifikojë (pastrojë helmet) nga sistemi tretes përgjatë gjithë Muajit të bekuar të Ramazanit.
Agjërimi si tranzicion i butë.
Meqë agjërimi zgjat nga agimi deri në perëndim të diellit, lëndët ushqyese të organizmit zëvendësohen në çdo iftar dhe syfyr. Kjo siguron një tranzicion të butë nga perdorimi i glukozës si burim kryesor i energjise deri te përdorimi i yndyrës, duke parandaluar përdorimin e proteinave muskulare për metabolizmin. Për të parandaluar tretjen e proteinave, vaktet duhet te permbajnë sasi të mjaftueshme të karbohidrateve dhe të yndyrnave. Pas disa ditësh agjërimi, në trupin e njeriut vihen re nivele më të larta të endorfinave në gjak, te cilat na bejnë më të lumtur dhe na japin një ndjesi mirëqënie të përgjithshme mendore dhe fizike.
Agjërimi i Ramazanit.
Agjërimi gjatë Ramazanit ka shumë urtësi; ai është një ushtrim vetë-disiplinimi. P.sh për duhanpirësit e rregullt, apo ata që kanë varësi nga një lloj ushqimi, ose nga një pije e caktuar (fiksim), si prsh., kafeja, ëmbëlsirat etj., agjërimi për ta është një mënyrë e mirë për të thyer zakonin, duke shpresuar dhe këmbëngulur në nivelin personal që efekti të vazhdojë edhe pas agjërimit.
Efektet psikologjike të Ramazanit janë të mirënjohura dhe të vërtetuara nga shumë agjërues në mbarë botën. Ata tregojnë për një ndjenjë paqeje dhe qetësie të brëndshme.
Profeti Muhamed (a.s) na ka keshilluar duke na thënë se:
“Nëse dikush ju ngacmon me fjalë apo me gjeste agresive, thuajini: unë jam me agjërim (dy herë)”.
Kjo na mundëson të kuptojmë urtësinë që armiqësia gjatë këtij muaji nuk ka vend midis njerëzve në mënyrë që të bëhet pjesë e karakterit njerëzor dhe të vazhdojë pas mbarimit të agjërimit.
Brenda ditëve të para të agjërimit personi fillon të ndjehet më mirë fizikisht, madje pa rënë akoma në peshë dhe këtë mirësi besimtarët e shoqërojnë me punë dhe vepra të mira dhe lutje të shumta. Nga ana tjetër vullneti dhe freskia mendore përmirësohen dukshëm. Shumë besimtarë kontrollojnë nivelet e glicemisë, kolesterolit, triglicerideve etj., përpara fillimit të Ramazanit dhe pas tij, duke vërtetuar kështu një përmirësim të këtyre parametrave në fund të agjërimit.
Arbi Tarja së shpejti diplomohet në mastër shkencor për Stomatologji. Ai është i angazhuar aktivisht në konferenca të ndryshme dhe në edukimin e rinisë rreth tematikave vitale si pastertia dhe higjena orale. Fokusi i tij shkencor i studimit është mbi temën “Çrregullimet në Artikulacionin Temporo Mandibular tek protezë-mbajtësit mbi 10 vjet”.
Fjoralb Pashollari është i diplomuar dhe i liçensuar në Fizioterapi. Atij i pëlqen aktiviteti fizik dhe është i apasionuar pas fushës së tij. Ai ndjehet mirë kur ndihmon klientët e tij të gjejnë energjinë e tyre fizike dhe psikologjike. Fjoralbi ka disa vite eksperiencë në këtë profesion.
Kontakto: [email protected]