Këshilli i Europës dhe Moneyval kanë marrë vendimin që ta mbajnë Shqipërinë në listën e vendeve me risk të lartë për pastrimin e parave dhe financimin e terrorrizmit. Kjo çështje u prek në raportin vjetor të publikuar nga Komiteti i Ekspertëve Moneyval. Sipas raportit ata e kanë cilësuar vendin tonë si vend nën mbikqyrje të thelluar, status negativ që i është dhënë Shqipërisë që prej 2018-ës.
Por, çdo të thotë mbikqyrje e thelluar? Sipas kushteve të Moneyval, zyrës së posaçme të KE që vlerëson çdo vend për masat kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, një shtet vendoset në mbikqyrje të thelluar, kur ka renditje negative në 8 ose më shumë elementë vlerësues në parandalimin e pastrimit të parave.
Gjithashtu, Departamenti Amerikan i Shtetit në vitin 2018, pati nënvizuar se Shqipëria ka rezultate negative në përballjen me pastrimin e parave, me kontrabandën e narkotikëve dhe armëve dhe emigrantëve në atë vend. Njëkohësisht edhe strukturat policore Gjermane patën nënvizuar se krimi në Shqipëri është i motivuar politikisht dhe se Shqipëria mbetet mbrapa në luftimin e këtyre fenomeneve negative.
Vlen gjithashtu të theksohet se Task Forca për Veprimin Financiar, një organizëm i krijuar nga G7 për të luftuar pastrimin e parave nëpër botë, e vendosi shqipërinë në listën gri krahas shteteve si Gana, Xhamaika, Kamboxhia, Siria dhe Uganda si një vend me probleme serioze në kuadrin ligjor për luftën ndaj pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.
Në vitin 2018, Këshilli i Europës i la një vit kohë Shqipërisë që të korrigjonte mangësitë e theksuara ligjore për të mbyllur shtigjet e pastrimit të parave, por qeveria e tanishme dështoi. Si rezultat, raporti i Moneyval i kësaj të marte, e lë sërish Shqipërinë në të njëjtën listë.