Duke marrë shkas nga aksidentet rrugore që kanë ndodhur në vendin tonë ditët e fundit, mendova të shkruaj disa rreshta për të shpjeguar më mirë situatën, për të kuptuar shkaqet si dhe ndoshta për të propozuar disa zgjidhje të cilat mund të përmirësojnë këtë situatë. Po filloj duke përmendur një shifër të frikshme. Vetëm në gjysmën e parë të vitit 2021 në vendin tonë kanë ndodhur minimumi 570 aksidente me pasoja të rënda plagosje dhe vdekjeje. Nëse e krahasojmë me vendet e tjera ndoshta nuk duken shumë por kur marrim parasysh raportet e popullsisë kuptojmë seriozitetin e situatës.
Raporti i aksidenteve fatale në Europë është rreth 10 për 100,000 automjete, ndërsa në Shqipëri ky raport është rreth 110 për 100,000 automjete (statistikat i referohen vitit 2019). Ky krahasim hedh dritë mbi diferencën e frikshme që kemi me Europën. Siç u përmend kohët e fundit është vënë re një rritje e aksidententeve dhe fatkeqësisht shumë prej tyre kanë pasur pasoja të rënda. Natyrisht lind pyetja pse ndodhin kaq shumë aksidente në Shqipëri? Një përgjigje e vetme dhe gjithëpërfshirëse nuk ekziston. Janë shumë faktorë që qoftë veç e veç qoftë të kombinuara bëhen shkak për një bilanc të tillë aksidentesh.
Patentat
Le t’ja nisim që nga fillimi, patentat. Në mendimin tim edukimi që jepet në autoshkollat shqiptare nuk është i mjaftueshëm për të përgatitur shoferë të aftë të cilët mund të përballojnë situata të vështira që mund të shfaqen gjatë drejtimit të automjetit. Ekperienca personale në autoshkollë më ka mësuar vetëm gjërat bazë të praktikës dhe nje përgatitje minimale ndaj situatave me rrezik.
Për më tepër, në provimin e praktikës jam testuar për rreth 2 kilometra. Vetëm 2 kilometra! Si është e mundur që ti besosh dikujt patentën (rrjedhimisht automjetin) duke e testuar për vetëm 2 kilometra në rrugë urbane? Po aftësitë e mia të ngarjes natën? Po sjellja ime në autostradë, tatëpjetë, rrugë me kthesa, kryqëzime të rrezikshme, etj? Asnjëra nga të mësipërmet nuk u testua dhe shpeshherë nuk testohet. Më e keqja është se nuk kam mbaruar akoma me problemin e patentave.
Fatkeqësisht, është e kotë që ta mohojmë që ndodh në shumë raste që patenta të merret në mënyra të ndryshme nga persona që nuk e meritojnë ta kenë. Jam mëse i sigurt që cilido nga lexuesit ka të paktën një person të njohur që e ka marrë patentën në mënyra të paligjshme, qofshin këto me mik apo kundrejt shumave financiare. Problemi që sjell kjo gjë besoj se është i qartë dhe nuk ka nevojë për shtjellim të mëtejshëm. Ama për çfarë ka nevojë, është një zgjidhje.
Gjendja e automjeteve
Një tjetër shkak është gjendja e automjeteve. Një pjesë e mirë e automjeteve në qarkullim janë jashtë standardeve të sigurisë. Gjë që përveçse është në vetvete shkak aksidenti është gjithashtu përkeqësuese e situatës në raste aksidenti për shkaqe të tjera. Për një udhëtim të sigurt makina duhet të jetë gjithmonë në kushte optimale operimi.
Në veçanti duhet tu kushtohet disi më tepër vëmendje komponentëve të sigurisë si frenave, gomave, amortizatorëve, impiantit të airbag-ëve dhe impiantit ndriçues. Nëse qoftë edhe një nga këto komponentë nuk është në gjendjen optimale kopromentohet ndjeshëm siguria rrugore e mjetit. Kontrolli i të gjitha sistemeve të sigurisë është detyrë e kontrollit teknik të mjetit mirëpo fatkeqësisht edhe këtu ashtu si me patentat disa herë miku dhe leku hyjnë në mes. Dikush mendon se kurseu një shumë të vogël parash ndërkohë që atë shumë te vogël parash ai e ka futur në një llotari në të cilën po humbe ka shumë rrezik të ketë pasoja për jetën si për vete ashtu edhe për të tjerët.
Infrastruktura dhe sinjalistika
Shkaku i radhës është infrastruktura dhe sinjalistika. Është një e vërtetë që infrastruktura dhe sinjalistika e rrugëve shqiptare nuk është nga më të mirat. Shpeshherë sinjalistika ka mangësi ose gabime ndërsa rrugët kanë gropa të rrezikshme, puseta të hapura, kalime të rrezikshme etj. Të gjitha këto mangësi rrisin rrezikun e aksidentit si dhe përkeqësojnë pasojat në rast se aksidenti ndodh.
Dikush me të drejtë mund të thotë : “Rrugë të këqija ndonjëherë ka dhe nëpër vende të zhvilluara ama nuk ndodhin aksidente si te ne. “ – dhe është mëse e vërtetë. Çka na çon në pikën tjetër që për mendimin tim është problemi më i madh që kemi në këtë aspekt dhe shkaktari kryesor i aksidenteve.
Edukata e qarkullimit rrugor
I referohem edukatës së qarkullimit rrugor ose më saktë mungesës së saj, që në një farë mënyre apo në një tjetër lidhet me të gjitha shkaqet e listuar mësipër. Lidhet sepse dikush që ka edukatë të qarkullimit rrugor e di që po nuk e frekuentoi kursin e autoshkollës do ketë mangësi në formimin teorik dhe praktik dhe nuk e bën atë gjë.
– Dikush që ka edukatë të qarkullimit rrugor e di rëndësinë e mirëmbajtjes së automjetit dhe vlerën e saj prandaj e mban mjetin në kushte optimale edhe pa arritur koha e kontrollit teknik.
– Dikush që ka edukatë të qarkullimit rrugor di ti marrë parasysh kushtet e infrastrukturës apo sinjalistikës sado të këqija qofshin ato, dhe rregullon ngarjen në bazë të atyre kushteve.
– Dikush që ka edukatë në qarkullimin rrugor e di që nëse do të pijë alkool nuk duhet ti afrohet timonit dhe i merr masat që në fillim (p.sh: përdor shërbimin taksi).
– Dikush që ka edukatë në timon di si ta moderojë shpejtësinë sipas kushteve të rrugës.
– Dikush që ka edukatë në timon nuk përdor celularin gjatë ngarjes.
Për këtë të fundit kisha dëshirë të zgjerohesha pak më tepër se pikat e tjera pasi është fenomen më i përhapur dhe shumë i rrezikshëm. Ekspertët në një studim thonë se mesatarja e humbjes së vëmendjes gjatë përdorimit të celularit në timon kur dikush po shkruan një mesazh është 4.5 sekonda. Në rrugë urbane ka shumë të papritura, prandaj shpejtsia maksimale e lejuar është më e ulët por një humbje e vëmendjes për aq kohë herët a vonë do të bëhet shkak për një aksident sado i vogël qoftë ai.
Në shpejtësi më të larta ne rrugë jo-urbane, përdorimi i celularit është po aq ndoshta dhe më tepër i rrezikshëm seç ishte në rrugët urbane. Duke ecur me 90 km/h nëse e humbasim vëmendjen në celular aq sa është koha mesatare e arritur në studimin e mësipërm, pra 4.5 sekonda, ne kemi përshkruar 110 metra distancë pa i pasur sytë në rrugë. 110 metra bëjnë diferencën mes frenimit në siguri të plotë dhe vdekjes së sigurt në disa raste.
Si për ti hedhur kripë plagës kohët e fundit është përhapur një fenomen shumë i shëmtuar mes adoleshentëve. Përmes mediave sociale si TikTok, Snapchat apo Instagram këta të fundit sfidojnë njëri tjetrin kush bën më shumë manovra në trafik. Shpeshherë këto manovra tej mase të rrezikshme përveç përdorimit të celularit në timon që e përdorin për të regjistruar videot përfshijnë ecje kundra vajtje, parakalime të gabuara, tejkalime të tepërta të shpejtësisë në zona të banuara e shumë shkelje të tjera.
Më e keqja është se është formuar një koncept tejet i gabuar për perkufizimin e fjalës “shofer i mirë “ apo siç e quajnë veten në disa prej videove “pilotë “. Aftësitë e ngarjes nuk tregohen në rrugë ku ka makina të tjera, këmbësorë e bicikleta që qarkullojnë. Edhe ata që janë shoferët më elitarë, pilotë të mirëfilltë të rangjeve më të larta të motorsportit jo vetëm që nuk i bëjnë këto lloj manovrash por i dënojnë rëndë.
Është paradoksale se si shoferët më të mirë në botë që e meritojnë vërtetë emrin pilotë e dënojnë këtë mënyrë ngarjeje ndërkohë që disa adoleshentë duke bërë pikërisht atë lloj ngarjeje që pilotët e mirëfilltë dënojnë, e quajnë veten pilotë. Ky problem do zgjidhje të menjëhershme. Sa më parë të zgjidhet aq më shumë jetë shpëtohen. Edhe problemet e tjera patjetër që kanë nevojë për zgjidhje por më emergjentja është kjo, mungesa e edukatës në qarkullimin rrugor.
– Njëra nga zgjidhjet është forcimi i kontrolleve dhe gjobave për shkelje të rrezikshme aq më tepër për shkeljet që ndodhin në zona të banuara.
– Një nga zgjidhjet e tjera që do të propozoja është futja e një lënde për këtë lloj edukimi në shkollat 9-vjeçare ose të mesme, që të mbillet edukata e nevojshme për të rritur breza me të ardhme me më pak aksidente e fatalitete.
Disa nga lexuesit do pyesin, “ok po unë çfarë mund të bëj?” Kesaj pyetje do i përgjigjesha me fjalën : “sensibilizohu”. Ndryshimi në një shoqëri fillon nga individi. Gjërat e sipërpërmendura që nuk të pëlqejnë kur i bëjnë të tjerët mos i bëj as vetë. Sensibilzo familjen, të afërmit dhe shokët. Mos lër as veten as ata të ndikoheni nga video te medias sociale. Vetëm kështu mund të fillohet të bëhet diçka konkrete për përmirësimin e situatës.
Ngit i sigurtë, respekto rregullat e qarkullimit, kushtoi vëmendje mirëmbajtjes së automjetit tënd, bëhu ti vetë i pari që eliminon korrupsionin. Duke bërë këto gjëra, herët a vonë, në mënyrë direkte apo indirekte, duke e ditur apo ndoshta pa e ditur mund të bëhesh shkak për shpëtimin e një jete qoftë kjo e jotja apo e një tjetri. Ju lë të reflektoni pak për fisnikërinë e këtij veprimi dhe e mbyll duke thënë : “Ecni me kujdes, mos u bëni statistikë.“