Në zgjedhjet e 25 Prillit 2021 z. Agron Shehaj ishte deputeti i dytë më i votuar në njësinë numër 5 në Qarkun e Tiranës. Ai vinte fill pas z. Lulzim Basha, i cili është kryetari i tanishëm i Partisë Demokratike. Shehaj bëri një fushatë elektorale interesante duke qenë sa më afër qytetarëve dhe duke marrë 13852 vota prej tyre.
Por rrugëritimi i tij drejt suksesit duket se nuk mbyllet këtu. Pas humbjeve të vazhdueshme të Partisë Demokratike, Agron Shehaj vendos të kandidojë për kryetar të PD-së. Këtë lajm ai e ka bërë të ditur ditën e djeshme përmes një postimi në rrjetet sociale Facebook.
Postimi i Agron Shehaj:
“Shqipëria ka sot nevojë për opzitë të fortë, parimore dhe frymëzuese. Shqipëria ka sot nevojë për Partinë Demokratike!
Ne demokratët do ta kapërcejmë gjendjen e vështirë ku jemi dhe do ngrihemi më të fortë se më parë. Përballë autokracisë, korrupsionit dhe paaftësisë së qeverisë, ne do të ndërtojmë alternativën e lirisë, ndershmërisë dhe aftësisë.
Për këtë duhen energji të reja, vizion i ri, drejtim i ri.
Me ketë bindje, kam vendosur të kandidoj për kryetar të Partisë sime. Konkurimin nuk e shoh si garë për një post, por si një përpjekje të përbashkët me të gjithë demokratët që dëshirojnë që partia jonë të jetë partia e anëtarëve: një parti e vërtetë demokratike, moderne dhe e hapur.
Unë besoj se çdo njeri duhet të luftojë duke dalë në shesh për atë që beson. Unë besoj se shërimi nga humbja vjen nga veprimi dhe jo nga apatia e ankimit për padrejtësitë, që sigurisht kanë ndodhur. Unë besoj se përparimi vjen përmes ndryshimit dhe jo ripërsëritjes së të njëjtave gabime.
Dua të shpreh mirënjohjen për të gjithë ju që më keni besuar e nxitur të marr përgjegjësinë e garës. Unë kam hyrë në politikë për të punuar për njerëzit, jo për t’u pasuruar dhe nuk do ju zhgënjej”.