Siç e dimë zgjidhja e sfidave dhe problemeve me të cilat përballet një popull apo një qeveri kërkon ide e plane të mirëmenduara. Këto të fundit duhet të jenë konform me realitetin, për t’iu përgjigjur sa më shpejt e efektivisht nevojave të popullit. Një ndër hapat është që përfaqësuesit e organizmave, institucioneve shtetërore apo të shoqërisë civile të jenë në krye të punës, nën filozofinë e shërbimit ndaj popullit.
Pra, drejtuesit duhet të jenë në shërbim të popullit dhe jo vetëm populli në shërbim të drejtuesve, edhe pse e kundërta ndodh rëndom në vendin tonë. Për këtë arsye, brezat e rinj duhet të edukohen për të qenë më kërkues ndaj drejtuesve. Nga ana tjetër, drejtuesit duhet të kuptojnë rëndësinë e të qënit shembull i zbatimit të ligjit, transparencës dhe llogaridhënies.
Kjo formë qeverisjeje bëhet e mundur kur drejtues e përfaqësues qëndrojnë pranë popullit e në krye të punëve që duhen bërë. Ajo bëhet e mundur duke premtuar e punuar gjatë gjithë vitit e jo vetëm në prag zgjedhjesh apo nevoje për mbështetje. Duke qenë se kjo nuk ndodh, gjërat duhet të ndryshojnë. Ky ndryshim duhet të fillojë me brezat e rinj.
Nga ana tjetër, ne duhet të kuptojmë se duke ushtruar autoritet, duke kërcënuar, apo duke imponuar mendime, nuk është e mundur arritja e rezultateve të matshme e të kënaqëshme. Pavarësisht mënyrës apo formës së propagandës, mungesa e këtyre rezultateve shihet, ndihet dhe jetohet në përditshmërinë e shqiptarëve.
Për shkak të mungesës së kësaj filozofie qeverisëse, besueshmëria ndaj qeverisë në Shqipëri është në nivelet më të ulëta. Sipas studimeve 70% e popullsisë nuk u besojnë drejtuesve të tyre në nivel lokal e vendor. Për ta ndryshuar këtë fenomen, administruesit duhet të jenë shembuj të respektimit të ligjit dhe në shërbim të njerëzve që përfaqësojnë. Në këtë mënyrë, populli jonë do të ndihet i sigurtë e do mund të hedh hapa besimi ndaj qeverive, qofshin ato të majta, të djathta apo të qendrës.
Fill, lind pyetja : a mundet që diçka kaq utopike për kulturën tonë politike të kthehet në një realitet të prekshëm e të jetueshëm ?
Sipas shembujve që na paraqet historia dhe demokracitë e konsoliduara kjo gjë është e mundur. Sigurisht, të gjitha palët duhet të jenë të vetëdijshme rreth vështirësive që përmbledh ky projekt deri në realizimin e tij. Kjo ndodh për arsye se ideja e të bërit diçka konkrete në ndryshimin e këtyre praktikave negative, të rrënjosura tashmë në shoqërinë tonë, dhe zëvëndësimi i tyre me një filozofi apo mentalitet tjetër mund të perceptohet si një proçes mutacionesh i pambarimtë. Ky proçes në sytë e shqiptarëve mund të shihet si një tranzicion i pamundur e ndryshim i vështirë. Ne si shqiptarë i rezistojmë ndryshimit, por edhe e duam atë. Prandaj, është e nevojshme që brezat e rinj, sikur ne, që e shohim si të domosdoshëm këtë lloj ndryshimi, duhet të punojmë pa u lodhur e pa u lëkundur që ky ndryshim të jetë i prekshëm.
Si përfundim, ata që do të punojnë kah kësaj forme të re qeverisëse do të jenë drejtuesit e së nesërmes dhe ngadhënjimtarët e një shqipërie më të mirë.
Ardit Kuqa është menaxher projektesh në fushën e biznesit dhe inovacionit social. Aktualisht punon si menaxher dhe drejtues projektesh në “Etude Plus” në zonën e Parisit. Arditi ka studiuar Inxhinjeri Biznesi, Studime Evropiane dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare. Ai është i apasionuar pas edukimit dhe sipermarrjes, si mekanizma për të përmirësuar jetën e qytetarëve, shoqërisë dhe funksionimin e demokracisë. LexoTani është njëra prej disa nismave që kontribuon në këtë aspekt. Arditi është i hapur kurdoherë për bashkëpunime dhe propozime; mund ta kontaktoni në [email protected] ose në profilin e tij LinkedIn – https://www.linkedin.com/in/kuqaardit-yourchoice/