Hafiz Ibrahim Dalliu 1878-1951, lindi në Tiranë në një familje vendase.Pasi mbaroi shkollën Ryzhdie në Tiranë vijoi studimet e larta në Stamboll për hoxhë dhe u njoh nga afër me veprimtarinë e Rilindjes Kombëtare. Hafiz Dalliu me shkrimet e tij u përpoq që të hapte shtigje drite në mendjet e në ndërgjegjen e bashkatdhetarëve, në atë periudhë tranzicioni dhe tepër kritike të historisë së kombit shqiptar të mbetur pa përkrahje e pa mbrojtje, mes armiqsh të shumtë e të pangopur. Të flasësh për Hafiz Dalliun nuk është asnjëherë e tepërt, porse për të njohur më mirë këtë figurë madhore islame, këtë luftëtar trim të shqiptarizmës, këtë poet gojëmjaltë të vargut shqip, gjithsecili në mënyrën e vet do të arrijë vetëm duke njohur shkrimet e këtij mësuesi veteran.
Disa nga nismat e marra nga nismat e marra nga Hafiz Ibrahim Dalliu
– Në vitin 1902 e gjejmë bashkëpunëtor me Filip Ashikun në hapjen e shkollave Shqipe në Tiranë duke vazhduar deri në fund të vitit 1903, kur këto shkolla u mbyllën.Hafizi vazhdoi të njëjtin aktivitet në mënyrë ilegale duke drejtuar kurse të gjuhës shqipe në familjet e qytetarëve tiranas si kurset në familjen e Murat Toptanit për ta rifilluar përsëri këtë aktivitet në mënyrë legale në vitin 1908.
-Në vitin 1908 së bashku me patriotët Refik Toptani, Mahmut Fortuzi, Hysni Dalliu etj. themeloi në Tiranë klubin patriotik “Bashkimi”, si mjet për të realizuar dhe mbrojtur të drejtat kombëtare. Klubi “Bashkimi” u hap nën patronazhin e Klubit të Manastirit dhe kishte një aktivitet shumë të gjerë
-Në frymën e Kongresit të Manastirit dhe për zbatimin e vendimeve të tij, u mendua të mblidhej një kongres kombëtar për të diskutuar mbi zhvillimin dhe përhapjen e mësimit të gjuhës shqipe. Për këtë arsye në datat 2-9 shtator 1909 zhvilloi punimet Kongresi i Elbasanit në të cilin morën pjesë 35 delegatë. Këtu mori pjesë edhe një delegacion nga qyteti i Tiranës që kryesohej nga Refik Toptani, në të cilin merrte pjesë edhe Hafiz Dalliu.Në zbatim të vendimeve të Kongresit të Elbasanit, më 2 dhjetor 1909 u hap shkolla Normale në Elbasan, me drejtor Luigj Gurakuqin dhe në trupin mësimor pedagogjik, përkrah Aleksandër Xhuvanit, Simon Shuteriqit, Sotir Peçit ishte edhe Hafiz Ibrahim Dalliu.
-Në vitet 1910 e gjejmë të angazhuar me armë në dorë në çetën atdhetare që drejtohej nga Abdi bej Toptani, e cila kreu veprime luftarake në Krujë e rrethinat e saj.
-Më 26 nëntor 1912 është pjesëmarrës aktiv në përgatitjen dhe zhvillimin e ceremonisë së ngritjes së Flamurit dhe shpalljes së pavarësisë në Tiranë. Hafiz Dalliu, pas ceremonisë së shpalljes së Pavarësisë në Tiranë, është autori kryesor i përgatitjes së një Letër-Proteste dërguar forcave ushtarake serbe që ndodheshin në zonën verilindore të Shqipërisë dhe përgatiteshin të mësynin Tiranën duke i vënë në dijeni se Tirana kishte shpallur pavarësinë dhe ishte e gatshme ta mbronte me çdo çmim.
-Në vitin 1920 është anëtar i delegacionit të trevës së Tiranës në Kongresin e Lushnjes dhe pas kthimit në Tiranë është një nga veprimtarët më aktivë në zbatim të vendimeve të Kongresit. Gjatë gjithë periudhës, deri në vitin 1924 është aktiv në ngjarjet politike të kohës.
-Gjatë periudhës së sundimit të Mbretit Zog është marrë kryesisht me studime në fushën e fesë islame duke bërë komente, duke përkthyer, zbërthyer e interpretuar libra të shenjtë si Kur’ani si dhe vepra të personaliteteve të shquara islame. Po ashtu ka bërë edhe studime në fushën e islamit që përbëjnë kontribut të tij personal në këtë fushë.
-Pas lufte e gjejmë anëtar të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe artistëve të Shqipërisë për aftësitë dhe kontributin e tij në fushën e letërsisë, por ai nuk mund të vazhdonte gjatë në këtë mënyrë. Personaliteti i tij që karakterizohej nga liria e mendimit dhe veprimit nuk mund të duronte kornizat ideologjike ku e futi artin dhe letërsinë diktatura komuniste. Iu kundërvu këtyre rregullave dhe për këtë përfundoi në burg ku edhe u sëmur rëndë dhe u nda nga jeta në vitin 1952, në moshën 74 vjeçare.
Veprat e tij
‘Veprat fetare’
-Texhvidi (Rregullat e leximit të Kuranit), botuar më 1921.
-Ilmihali (Mësime të Fesë Islame).
-Dhanti e Ramazanit, botimi i parë 1921.
-Ajka e kuptimeve të Kur’ani Qerimit (U botuan vetëm shtatë xhyze, pjesa tjetër mbeti pa u botuar).
-E lemja dhe jeta e të madhit Muhamed a.s. , 6143 vargje, 1934.
-Ç’është Islamizmi, 1935.
-Udha Muhamedane (Tarikati muhamedije) e Muhamed Bergjiviut, përkthyer nga Dalliu dhe botuar më 1936. Ribotuar më 2000 nga AIITC.
-Besimet e muselmanëve, në vargje. Botimi IV më 1937.
-Libri i së falmes, botuar më 1937.
Krijimtari artistike e studime historike
-Grenxat e kuqe të Tiranës, poem satirik në vargje, 1915.
-Dokrrat e hinit, satirë në vargje, 1922.
-Patriotizma në Tiranë, botuar më 1930.
Publicistikë
-Gazeta “Dajti” 1924.
-Gazeta “Dajti në gaz”
Për nder të tij kanë hapur një shkollë me emrin e tij,duke e vlerësuar të gjithë kontributin e tij për hapjen e shkollave Shqipe.
Orgest Met’hasa është student i fakultetit të shkencave humane në Universitetin e Elbasanit në degën gazetari. Aktualiteti, zhvillimet e vazhdueshme në rang kombëtar dhe ndërkombëtar nxisin interesin e tij për këtë fushë. Orgesti është i angazhuar në iniciativa sociale dhe sipërmarrje. Përveç studimeve, ai punon si menaxher në “MH HORIZONT”. Orgesti është gjithashtu kontribues në LexoTani me qëllim për ti ardhur në shërbim lexuesit shqiptar dhe për ta njohur atë me tematika të rëndësishme, të cilat prekin jetën e tyre në mënyrë direkte apo indirekte. Orgesti është kurdoherë i hapur për propozime dhe bashkëpunime: mund ta kontaktoni në [email protected]