LETËR VËLLAIT – nga Fatmir Muja

Leter Vellait | Lexotani

I dashur vëlla!
Ne nuk po dimë më të përgjigjemi
sepse kemi harruar si pyetet
Nuk po e shohim më të vërtetën si qiellin mbi det
sepse po shikojmë pa menduar për sytë
e sytë shohin shumë, por jo veten

I dashur vëlla!
Në mes të shkretëtirës
Është lodhur një deve duke bartur ujin mbi shpinë
dhe po vdes nga etja
Ndoshta edhe peshku do të vdiste sikur të ngopej me
ujë
E uji lagë gjithçka përveç vetes

Kam qeshur pa e kuptuar pse erdha në botë duke
qarë
Kam qarë pa e kuptuar pse qesha symbyllur në djep
E dua dhimbjen që më zgjoi nga gjumi i jetës,
i asaj jete që nuk do të doja të ishte e imja
sepse kafazi sado që të jetë i gjerë
prapë kafaz është.

Duke u mahnitur se po i dallojmë të gjitha ngjyrat
Harruam të mendojmë për dritën që na e mundësoi dallimin.
Në rrugën e Pishtarit Ndriçues
Ka dritë për të gjithë ata që nuk i mbyllin sytë para saj
Dritës nuk i duhet dikush të dëshmojë se ajo ekziston
Sepse ajo vetë dëshmon për veten
Prandaj, ka kohë që nuk po dimë të përgjigjigjemi
Sepse kemi harruar se çdo pyetje ka brenda edhe përgjigjen

I dashuri vëlla
Nëse jeton si ishull në mes të detit të paanë
Një ditë do të vijnë anijet e të zbarkohen tek ti
Sepse nuk kanë ku tjetër…
Në rrugët e jetës mund të ecin mirë
Vetëm ata që e dinë ku shkojnë
Ata që nuk dinë të ngrohen, digjen
Digjen pa menduar se zjarri djeg gjithçka përveç vetes

I dashuri vëlla!
Duhet ta pranosh tri herë se je i padijshëm
Për ta kuptuar se padituria është sëmundje pa dhimbje,
por më e dhembshmja
duhet të shkurorëzohesh tri herë nga kjo botë
për ta kuptuar se kjo i ngjan një plake
e cila është fshehur nën vellon e nusërisë

Vëlla i dashur!
Kur ndihesh i vetmuar mes qiellit dhe tokës
Mendo si ndihen qielli dhe toka që të kanë në mes
Toka s’është e jotja, por ti je nga toka
Prandaj, thuaj ballit le ta puthë tokën
E atëherë do ta ndiesh dashurinë e Qiellit

Nëse mendja nuk mund ta qetësojë zemrën
Atëherë, thuaj zemrës le ta qetësojë mendjen
Sepse atë që kërkon mendja, e gjen zemra
Të gjitha vitet që shkuan i takojnë vdekjes
Çdo perëndim i diellit është edhe lindje e tij
Nëse nuk do ta humbasësh kohën,
Lutju Atij që është betuar në të!

O Zot!
Më jep aq mend ta kuptoj sa i pamend jam
Më jep aq dije ta kuptoj sa i padijshëm jam
Më jep aq forcë ta kuptoj sa i pafuqishëm jam
E kur ngadhnjej mbi tokë
Më bëj të mos harroj se prapë do të bëhem tokë!
O Zot! Unë që të kam vetëm Ty
I shikoj me dhimbje të gjithë ata që kanë çdo gjë veç Teje
E çfarë mund të ketë veç Teje?!
O Zot!

Fatmir Muja 2006

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *