Që krimi të mos përsëritet më!

Vrasesi I Gruas

Prej më shumë se 37 ditë, mediat greke të çdo formati kishin fokusuar të gjithë vëmendjen e tyre tek ngjarja në Glyka Nera. Pas një hetimi të hollësishëm dhe profesional të ngjarjes nga autoritetet greke, rezultoi se autori i vrasjes që tronditi Greqinë dhe jo vetëm, ishte bashkëshorti i të ndjerës Karolinë, 32-vjeçari Babis Anagnostopulos.

Kjo ngjarje përveçse shkaktoi një tërmet të vërtetë dhe tronditi shoqërinë greke, nga ana tjetër nxori në pah edhe një herë çështjen delikate të “familjes ideale”, të dhunës dhe krimit brenda familjes, e aq më tepër të “shoqërisë perfekte”!

Kjo për vetë faktin se mediat në vend, si çdo herë tjetër të pangopura për klikime, për disa komente dhe më shumë debat të ndezur në rrjetet sociale etj, etiketuan si autorë shqiptarët me epitetet dhe gjuhën e urrejtjes si herët e shkuara, por dhe të grupeve të tjera emigrante që jetojnë në Greqi. Sigurisht kjo pa menduar qoftë dhe një herë të vetme pasojat shumë të rënda që shkakton në shoqëri, aq më tepër pa patur një vendim përfundimtar të autoriteteve përkatëse rreth autorësisë së krimit. 

Parë nga një këndvështrim tjetër, duket se shoqëria greke ndodhet në një situatë aspak të volitshme, madje mund të themi të dominuar nga stereotipet dhe ndjenja e theksuar e ksenofobisë, ndasisë, të qenit “ndryshe” etj, të kultivuara aq mirë. 

Siç rezulton, këto janë kultivuar prej vitesh nga mediat jo profesionale dhe ato profesionale (viktime të fake news) dhe forcave të ndryshme që e shfrytëzojnë për interesa politike, apo një vote më shumë. 

Frika dhe ankthi për të ardhmen krijojnë reagime që variojnë nga ankthi i thjeshtë deri tek radikalizimi dhe barbaria. 

Njerëzit si individë me edukimin e tyre, me ndërgjegjen e tyre, me vetëdijen e tyre, me të kuptuarit e tyre për realitetet, me zakonet e tyre, me paragjykimet e tyre, besimet e tyre, formojnë rrymat e mendimit dhe vetëdijes që formojnë mënyrën se si ata e jetojnë momentin.

Është koha që shteti helen të reagojë. Instancat përkatëse të reagojnë, çdo faktor i shoqërisë dhe vetë shoqëria duhet të reflektojë dhe të reagojë fuqishëm sa nuk është vonë për të shmangur ngjarjen e radhës dhe për të mos na bërë përsëri spektatorë.

Përderisa jemi pjesë e pandarë e kësaj shoqërie pavarësisht kartonit që mbajmë në xhep, është dhe detyra jonë për të mos u ndjerë viktimë, për të mos e ndarë veten nga pjesa tjetër e shoqërisë, por si pjesë e saj të bëjmë të pamundurën që shoqëria jonë të bëhet më e mirë dhe e ardhmja e fëmijëve tanë të jetë më e sigurt, pasi në fund të fundit: thithim të njëjtin oksigjen, ëndërrojmë njësoj, ulemi në të njëjtat banga shkolle, duam më të mirën për të ardhmen e fëmijëve tanë, duam një familje perfekte dhe sigurisht një shoqëri më dinjitoze që ka vend për të gjithë me të gjitha veçoritë e gjithsecilit. – nga Etmond Guri

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *