Ndërsa ushtarët i mbanin një armë në kokë, shtatë vjeçarja Elbenita Kajtazi këndonte në mendjen e saj. Tani, 20 vjet më vonë, zëri i sopranos kosovare ka magjepsur audiencat në Glyndebourne, shkruan The Times.
Si fëmijë që jetonte në Mitrovicë, një qytet që është ende i ndarë, asaj i pëlqente të këndonte. Ndërsa në vitin 2018, në udhëtimin e saj të parë në Angli, Kajtazi, 27 vjeç, fitoi çmimin e audiencës në inagurimin e Kupës së Operas Glyndebourne.
“Të këndosh për mua është si terapi. Kur ishim në gjendje të ktheheshim në shtëpi pas luftës të gjithë ishim aq të lumtur që ishim gjallë, kështu që askush nuk do të fliste për atë që ndodhi ”, tha ajo për Times. “Për brezin tim, të gjithë fëmijët që përjetuan kaq shumë trauma, nuk ishte gjë e mirë. Familja ime u torturua në shtëpinë tonë, ushtarët kërcënuan babanë tim që të largohej duke mbajtur një automatik në kokën time. Opera më ndihmon ta përpunoj këtë – unë mund të këndoj me gjithë emocion dhe t’i them botës se jam këtu “.
Ndërsa gjyqtarët e konkursit i dhanë çmimin e parë Samantha Hankey, një mexo-soprano amerikane, ishte çlirimi “i papërpunuar emocionalisht” i Kajtazit të arisë së Konstanze nga Il Seraglio i Mozartit që fitoi një të tretën e votave të audiencës.
Ajo tha: “Si këngëtarë, kjo është pika jonë: nuk ka të bëjë vetëm me vlerësimin e gjyqtarëve dhe dhënien e pikëve, ka të bëjë me njerëzit dhe nëse ata ju duan apo jo. Ne këndojmë për ta dhe duhet t’i bëjmë të ndiejnë diçka. Është një arritje shumë e madhe; fitimi i çmimit të audiencës është një ëndërr e realizuar ”.
Elbenita, më e madhja nga shtatë fëmijët, nuk u rrit në një familje muzikore. Nëna e saj “kishte një zë të bukur”, por u tërhoq nga shkolla kur ishte e re dhe nuk e ndoqi atë.
“Si fëmijë kam kënduar gjatë gjithë kohës, por ndonjëherë ishte vetëm në kokën time”, tha Kajtazi. “Sa herë që do të kishte një situatë të rrezikshme – ushtarët hynin në shtëpinë tonë ose diçka e tillë – unë gjeja një cep dhe i këndoja vetes. Të kënduarit ishte mënyra ime për të qenë në gjendje të ndihesha e sigurt ”.
Babai i Elbenitës, një mësues, e inkurajoi atë të performonte pasi ata u kthyen në Kosovë nga Shqipëria. Ajo vendosi që të studiojë muzikë në Universitetin e Prishtinës.
“Unë kurrë nuk kisha dëgjuar opera, nuk e dija që ekzistonte”, tha ajo. “Kam mësuar duke parë videot e Maria Callas në YouTube. E kuptova që të kënduarit mund të kishte të bënte me emocione, opera e lejon këtë ”.
Il Seraglio është përralla e një fisnikeje të re Spanjolle që rrëmbehet nga piratët, ndahet nga i dashuri i saj dhe shitet në skllavëri. Shfaqja e Elbenitës në Sussex ishte “magjepsëse”, sipas anëtarëve të audiencës.
“Harroj gjithçka kur jam në skenë. Thjesht përshtatem. Është një arratisje. Në atë moment isha Konstanze, po jetoja historinë e saj, dhimbjen e rrëmbimit dhe të qënit larg të dashurit të saj. Ishte kaq e papërpunuar. Kur interpretoj harroj që jam Elbenita dhe jam shumë e lumtur në vetvete ”.
Elbenita, e cila jeton në Gjermani me burrin e saj, një kompozitor, është banuese në Operën e Berlinit dhe që në 2019 u bashkua me ansamblin e Operës Shtetërore të Hamburgut. Kosova nuk ka teatër, por ajo shpreson ta ndryshojë atë. Ëndrra e saj është të këndojë “La Traviata“ të Verdit në skenën e vendlindjes së saj.
Më shumë se 180 garues nga 44 vende garuan në Kupën e Operës në Glyndebourne. Përveç çmimit të audiencës, Elbenita u rendit e treta nga gjyqtarët, duke fituar 7,500 paundë.
Së fundmi, me anë të një video nga Vjena, sopranoja e famshme shqiptare Elbenita Kajtazi ka njoftuar se është zgjedhur në mesin e 15 konkurrentëve në edicionin e këtij viti të “BBC Cardiff Singer of the World” 2021, dhe që përfaqëson Republikën e Kosovës. “Unë dëshiroj nga thellësia e zemrës time t’ju përfaqësoj sa më mirë dhe të largohem e kënaqur me këtë garë”, tha Elbenita.