Kartmonedhat e reja : a duhet të shqetësohemi për bukurinë e tyre apo për ekonominë? – nga Ardit Kuqa

Kartmonedhat E Reja

Kur të lind nevoja të informohesh rreth lancimit të kartmonedhave të reja në Shqipëri, i vetmi informacion që mund të lexosh nëpër shkrime e portale lajmesh janë tituj si : “si do duken kartmonedhat e reja“, “çfarë do ndodhë me katmonedhat e vjetra“, “kur do hidhen në treg“ etj. dhe asnjë analizë rreth ndikimit direkt apo indirekt që këto kartmonedha do kenë në ekonominë e vendit. 

Por le ti bëjmë një analizë të thjeshtë se përse po hidhen në treg këto kartmonedha? Çfarë ndikimi kanë ato në ekonomi dhe kujt do ti shërbejnë ato?

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë z. Gent Sejko, në një intervistë për mediat dha shpjegime lidhur me arsyet e hedhjes në qarkullim të një prerjeje me vlerë më të madhe të kartmonedhave, që sipas tij plotësojnë kërkesat e tregut. Ai shprehet se : “shtypja e kartëmonedhave të reja 1,000 dhe 10,000 lekë është pjesë e vijimësisë së një pune disavjeçare të Bankës së Shqipërisë për të emetuar serinë e re të kartëmonedhave Lek, si dhe njëkohësisht për të garantuar në çdo moment furnizimin e ekonomisë me para të gatshme”.

A ka vërtet nevojë tregu shqiptar për këto kartmonedha? Ja disa argumente…

Kudo në botë, shumica dërrmuese e pagesave dhe veprimeve financiare të ditëve të sotme janë duke u bërë në mënyrë dixhitale. Madje, e ardhmja po na drejton drejt parasë së decentralizuar, apo kriptomonedhave. Kjo për shkak se blerjet e bëra me para në dorë, përdoren zakonisht për shuma të vogla dhe për produkte si kafeja, dreka, pajisjet ose produktet ushqimore. 
Blerje të tilla rrallëherë tejkalojnë shumën prej një qind mijë lekë (të vjetra), gjë që kërkon përdorimin e kartmonedhave më të vogla.
 
Nga ana tjetër, shitësit gjithashtu nuk preferojnë të paguhen me kartmonedha të mëdha për sasi të vogla blerjesh. Po përdor valutën në euro për mos u ngatërruar në shembuj. Nëse dikush prej nesh paguan një picë që kushton 4€ dhe shitësit i jepet kartmonedha prej 100€, për shitësin nuk është aspak praktike, prandaj ai do ju kërkojë :

– nëse kemi ndonjë kartmonedhë më të vogël,
– nëse mund ta thyejmë diku tjetër dhe më pas të paguajmë, 
– nëse dikush tjetër mund të paguajë në vendin tonë,
– nëse mund të paguajmë me kartë bankare,
– ose shitësi mund ta pranojë me vështirësi kartmonedhën prej 100€ ose edhe ta refuzojë atë.

Nga ana tjetër, është gjithashtu me rrezik të lartë për gjithsecilin prej nesh të mbartë me vete shuma të mëdha parash në portofol, kjo për shkak humbjeje apo vjedhjeje. 

Sipas të dhënave të një sondazhi të vitit 2012 mendohet se konsumatorët zakonisht mbajnë me vete vetëm 56€ për person. Kjo pasi shumica e blerjeve më të mëdha, pra ato mbi 100€, bëhen zakonisht me kartë krediti apo çek. Nga ana tjetër, blerjet që kërkojë një sasi të madhe parash si p.sh makinat, shtëpitë etj, bëhen me transferta direkte bankare. E thënë thjeshtë, kartmonedha e re prej 10.000 lekë të reja nuk ka shumë përdorim pasi nuk është praktike në jetën e përditshme.

Sipas ekonomistëve, nxjerrja në treg e kartmonedhave me prerje të lartë mund të na japë përshtypjen se kjo është një zgjidhje e arsyeshme për ekonominë, por në fakt ajo shihet vetëm si një mënyrë e dobët e menaxhimit të ekonomisë. 
Nxjerrja e këtyre kartmonedhave jo vetëm që do të bëjë që ato me vlerë më të vogël të jenë të “pangopura“, por ato gjithashtu do rrisin inflacionin dhe kostoja e mallrave do të rritet gjithashtu. Nga ana e ekonomistëve kjo është një formë vetëvrasjeje për ekonominë e vendit në plan afatgjatë. Për t’i shpëtuar kësaj humnere, qeveritë do të përfundojnë në shtypjen e më shumë parave dhe jo në përpjekjen për t’i ulur ato. Kjo do të formojë një aspekt domino drejt rritjes së shfrenuar të inflacionit.

Kjo shpjegon se printimi i më shumë parave nuk rrit prodhimin ekonomik por vetëm rrit sasinë e parave që qarkullojnë në ekonomi. Nëse shtypen më shumë para, konsumatorët janë në gjendje të kërkojnë më shumë mallra, por nëse firmat kanë akoma të njëjtën sasi mallrash, ata do të përgjigjen duke vendosur çmime më të larta. Pra, në një model të thjeshtuar, shtypja e parave thjesht do të shkaktojë inflacionin.

Le të marrim një shembull : Sipas studimeve, me norma inflacioni prej 2% apo më shumë, kartmonedha 100€-she rreth vitit 2050, do të ketë vlerën e 50 eurove që kemi sot. Ndërsa në vitin 2090 do të ketë vlerën e 20€ që kemi sot. Akoma pak vite më vonë me të njëjtën kartmonedhë 100€-she sot, do mund të blinim vetëm një picë dhe një sufllaqe. 

Prandaj, le të mos interesohemi për bukurinë e kartmonedhave por të interesohemi se çfarë do të sjellë ajo për ekonominë.

Po kujt i shërbejnë këto kartmonedha të mëdha që do lancohen në Shqipëri?

Duke e analizuar këtë fenomen nga ky prizëm, ekonomisti amerikan Keneth Rogoff arsyeton se kartëmonedhat me prerje të madhe përdoren kryesisht nga kriminelët dhe shmangësit e taksave. Duke hequr këto prerje dhe duke i detyruar kriminelët të mbështeten në prerje më të vogla si 5€ apo 10€, Rogoff pretendon se krimi do të bëhej një përpjekje më pak fitimprurëse. Sa për shmangësit e taksave, ata do të shtyhen në ekonominë formale. Kjo, pretendon ai, do të ishte e dobishme për financat e qeverisë. Me më pak evazion fiskal, të ardhurat e qeverisë do të rriteshin.

Rogoff kundërshton gjithashtu prezantimin e një super kartmonedhe të re, për të njëjtën arsye që ai bën thirrje për ndalimin e atyre 100 dollarëshe. Një super kartmonedhë e re, të themi një kartmonedhë 1.000 dollarëshe, do të ishte një ndihmë për shmangësit e taksave dhe krimin e organizuar. 
Sipas bankierit Peter Sands, 10 milion dollarë në formë kartmonedhash njëqind dollarësh peshojnë 10 kilogramë, një shumë që një tregtar droge mund ta fshehë e transportojë në shtatë çanta apo valixhe. 
Nga ana tjetër duke përdorur kartmonedhat e mëdha prej 1.000 dollarë, krimi ndihmohet pasi e njëjta shumë do mund të fshihet apo transportohet në një çantë të vetme duke mos rënë shumë në sy. Nga ana tjetër, për shmangësit e taksave do jetë më e lehtë për të paguar një kontraktor me kartmonedha të mëdha.

Krimi dhe shmangia e taksave duken si dy arsye interesante të cilat i përshtaten situatës së tanishme në Shqipëri. Pra, nën fjalët e guvernatorit Sejko lind pyetja : kartmonedhat që po lancohen në Shqipëri a do t’i shërbejnë tregut dhe popullsisë apo fshehjes së krimit dhe mashtrimit me taksat?

Sigurisht është mbi ju të vendosni, kështu që sigurohuni të interesoheni më pak rreth bukurisë së kartmonedhave dhe më shumë se çfarë do të sjellë kjo për ekonominë tonë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *