Vazhdojnë luftimet për Karabakun, Rusia ofron të ndërmjetësojë bisedimet për paqe

Lufta Në | Lexotani

Rusia ofron të organizojë bisedimet për paqe mes Azerbajxhanit dhe Armenisë. Ministri i Jashtëm, Sergej Lavrov, tha se i ka bërë një ftesë zyrtare të dyja vendeve, të cilat prej ditësh po luftojnë me artileri të rëndë për kontrollin e rjaonit Nagorno-Karabakh.

Ai njoftoi se për këtë ka biseduar me homologët e shteteve respektive. Në këtë çështje është përfshirë edhe presidenti rus, Vladimir Putin, i cili ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun francez, Emmanuel Macron.

Të dy liderët theksuan nevojën e menjëhershme për një armëpushim, thirrje e cila përsëritet vazhdimisht nga komuniteti ndërkombëtar dhe Organizata e Kombeve të Bashkuara. Rusia është pjesë e një aleance ushtarake me Armeninë dhe ka një bazë në këtë shtet. Megjithatë ka marrëdhënie të ngushta edhe me Azerbajxhanin.

Pavarësisht përfshirjes së fuqive të mëdha, palët janë ende shumë larg tryezës së negociatave. Për të pestën ditë radhazi, ka pasur luftime në rajonin Nagorno-Karabakh. Më shumë se 100 persona janë vrarë e plagosur që nga e diela e kaluar, mes tyre dhe civilë.

Nagorno-Karabakh është zyrtarisht një territor i Azerbajxhanit, por kontestohet nga Armenia pasi rajoni udhëhiqet nga etnikë armenë.

/Lexotani.com/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *