Shqipëria barazon pa gola në miqësoren me Uellsin në Cardiff, duke kaluar me sukses provën e parë të qershorit. Pjesa e parë ishte shumë më pozitive për skuadrën kombëtare por pjesa e dytë më e vështirë për faktin se kundërshtarët ngritën ritmin e lojës.
Rasti i parë i ndeshjes u shënua në minutën e 17-të, me Keidi Baren që dha një pasim të gjatë për Rey Manajn, i cili, pasi fiton duelin me Mepham, goditi fort drejt portës, por mbi tra.
Goditjen e këndit për Shqipërinë në minutën e 28-të, e ekzekuton Lenjani, por Ismajli nuk arriti ta godasë me forcë drejt portës.
Nga ana tjetër Uellsianët tentojnë të rinisin një kundërsulm të shpejtë, e cila e detyron Ismajlin të ndërhyjë për karton të verdhë me faull taktit.
Tension i tepërt në minutën e 38-të, kur pas një reagimi të Brooks ndaj Gjimshitit kryesori ndëshkon me karton të verdhë futbollistin vendas, por edhe Rey Manajn për shtyrjen që i dha një kundërshtari.
Pak çaste më vonë, vendasit i afrohen rrezikshëm portës tonë, por fatmirësisht devijimi i sulmuesit nuk ishte drejt portës.
Pjesa e dytë nisi mes Shqipërinë që ushtron presion në gjysmëfushën e Uellsit, për të ardhur te minuta e 50-të, kur Gjimshiti provoi nga distanca, por pa shënjestrën e duhur.
I pahijshëm gjesti i Norrington-Davies në minutën e 58-të, që sjell reagimin e stolit kuqezi, pas shtyrjes që i dha Rey Manajt, duke rrezikuar lëndimin e Rejas.
Abrashi rrezikon autogolin me devijimin e tij në të 59-ën dhe pak çaste më vonë (61’) trajneri italian i Shqipërisë kreu dy zëvendësime, duke hedhur në fushë Cikalleshin dhe Trashin, respektivisht për Balajn dhe Lenjanin, ndërsa në fillim të pjesës së dytë Veseli mori vendin e Dokës.
Vjen dhe momenti i Gareth Bale, që hyn në fushë në të 71-tën për ndeshjen e 92-të me përfaqësuesen. Dy momente të rrezikshme të njëpasnjëshme në portën e Selmanit (75’), në rastin e parë Trashi korrigjon gabimin e tij në vendosje, duke i ndërhyrë në momentin e fundit kundërshtarit dhe më pas Selmani reagon bukur pas goditjes nga distanca të Neco Williams.
Reja bën edhe tri zëvendësime të tjera, Qazim Laçi për Baren, Kallaku për Çekiçin dhe Seferi për Manajn.
Uellsi e rrit ndjeshëm presion në fundin e sfidës, me lojën që bëhet më e ashpër, aq sa duhet ndërhyrja e kryesorit me kartonët e tij për të ulur gjakrat (83’).
Asgjë nuk ndryshoi në minutat e mbetura, sfida përfundoi me rrjeta të paprekura, por që gjithsesi i ka vlejtur stafit teknik për sfidat e shtatorit në eliminatoret e Botërorit.