Hollanda ka qenë një ndër vendet më skeptike për çeljen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian. Ndryshe nga raportet “e sheqerosura” të Komisionit Evropian, qeveria holandeze dhe sidomos parlamenti i këtij vendi nuk e kanë marrë asnjëherë të mirëqenë atë që shkruhej në letrat e Brukselit, por kanë nisur misione verifikuese në vendin tonë me përfaqësues nga parti të qeverisë dhe të opozitës.
Sipas letrës së dërguar parlamentit hollandez, qeveria e Hollandës bie dakord me analizën e Komisionit Europian se zgjedhjet në 25 prill u zhvilluan normalisht dhe në mënyrë transparente dhe se e rëndësishme është që opozita do të kthehet në parlament. Por në letër ngrihen një sërë detyrash ku më të rëndësishme janë hetimet për parregullsitë.
“Qeveria (e Hollandës) e konsideron të rëndësishme që rastet e mashtrimit zgjedhor të hetohen me kujdes nga SPAK” – thuhet në letrën që i ka kushtuar një vëmendje të veçantë edhe çështjes së përdorimit të paligjshëm të të dhënave nga Partia Socialiste, një skandal i denoncuar nga lapsi.al dhe i njohur si afera e patronazhistëve. Në këtë pikë Hollanda kërkon që çështja të zbardhet.
“Ekzistenca dhe rrjedhja e bazës së të dhënave me informacione personale të ndjeshme, të cilat shkaktuan shumë bujë pak para zgjedhjeve do të duhet gjithashtu të hetohet. Raporti përfundimtar i ODIHR-it për këto zgjedhje nuk është publikuar ende. Qeveria e Holandës e konsideron të rëndësishme që çdo rekomandim në këtë raport të zbatohet në kohën e duhur”.
Në këtë letër përmendet gjithashtu edhe një tjetër çështje që i kërkohet Shqipërisë ta adresojë : ajo e shit-blerjes së votës.
“ODIHR ka përmendur parregullsi, përfshirë edhe blerjen e votave që të denoncohen në Kolegjin Zgjedhor dhe autoritete të tjera që ato të merren me këto çështje në mënyrën e duhur. 33 raste janë çuar përpara SPAK” – nënvizon dokumenti.
“Qeveria e Hollandës beson se autoritetet shqiptare duhet të ndërmarrin një hap të mëtejshëm në hetimin dhe ndjekjen penale të komisionerëve zgjedhorë dhe votuesve të përfshirë në këtë fenomen. Rastet e reja të paraqitura si rezultat i zgjedhjeve të fundit gjithashtu kërkojnë trajtim të shpejtë. Është e rëndësishme të parandalohet që këto hetime të mos vonohen, siç ishte rasti në zgjedhjet e mëparshme” – shkruan qeveria e Hollandës.
Më pas dokumenti merr në analizë të gjitha kushtet e vëna një vit më parë. Vlerësohet fakti që Gjykata Kushtetuese ka nisur të funksionojë dhe që po plotësohet edhe Gjykata e Lartë. Gjithsesi qeveria e Hollandës kujton se ende nuk ka një vendim për ligjshmërinë e zgjedhjeve lokale të 2019-ës duke e konsideruar këtë një kusht të papërmbushur dhe e lë sërish në konkluzionet përfundimtare si detyrë të Gjykatës Kushtetuese.
“Ende nuk ka një vendim përfundimtar mbi ligjshmërinë e zgjedhjeve lokale në 2019. Kabineti shpreson që paneli i gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të arrijë një përfundim së shpejti” – citon letra drejtuar parlamentit hollandez.
Një tjetër detyrë është vënia përpara drejtësisë e zyrtarëve të lartë që shkelin ligjin.
“Qeveria është e kënaqur që Shqipëria së fundmi ka bërë përparim me reformat në temat prioritare dhe në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Të dhënat tregojnë gjithashtu progres në këtë fushë, megjithëse numri i dënimeve të zyrtarëve të nivelit të lartë mbetet shqetësues”.
Qeveria e Hollandës thotë në fund se Shqipëria mund të nisë negociatat duke mbajtur tryezën e parë ndërqeveritare edhe pse nënvizon se kjo nuk do të thotë se Shqipëria është gati të bëhet anëtare e BE.
“Kjo nuk do të thotë që Shqipëria së shpejti do të jetë në gjendje të anëtarësohet në BE. Reformat e sundimit të ligjit janë larg nga të plota dhe për këtë arsye do të jenë thelbësore për procesin e gjatë pas hapjes së negociatave të pranimit me Shqipërinë.
Institucionet duhet të forcohen, politikanët dhe qytetarët duhet të mësohen me pavarësinë e gjyqësorit, vetingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve si dhe të plotësohen të gjitha vendet e lira në sistemin e drejtësisë.
Progres është bërë, por lufta e vazhdueshme kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit do të kërkojë vëmendje të vazhdueshme dhe bashkëpunim ndërkombëtar, përfshirë partnerë të tillë si Hollanda”– thuhet në letër.