Fjalët e huaja kanë zënë vend dhe janë duke u përdorur shumë në gjuhën shqipe, sidomos në raportimet e mediave të shkruara.
Në shtypin tonë, jo vetëm në organet gjuhësore e periodike, por edhe në shtypin e përditshëm, janë botuar dhe vazhdojnë të botohen artikuj e materiale të ndryshme për këtë çështje. Këto kanë dhënë dhe japin ndihmesë të madhe rreth gjuhës. Në fazën e sotme të zhvillimit të gjuhës letrare, kur kjo gjuhë është bërë pronë e masave të gjera punonjëse dhe kur edhe terminologjia teknike e shkencore ka marrë një përdorim mjaft të gjerë, del nevoja që puna për pastrimin e gjuhës letrare kombëtare nga huazimet e panevojshme të marrë një karakter më të organizuar dhe përmasa më të gjera.
Në ditët tona bëhen përpjekje për t’i nxjerrë jashtë përdorimit fjalët e huaja, kur për to kemi fjalë shqipe e më të njohura, që kanë plotësisht të njëjtin kuptim. Sipas disa studiuesve, ndër të tjera, fjalët e huaja e pasurojnë gjuhën, sipas të tjerëve ato e prishin, prandaj duhen nxjerrë të gjitha nga përdorimi. Në këtë çështje duhet mbajtur një qëndrim i drejtë dhe i mbështetur shkencërisht. E vërteta është se fjalët e huaja e prishin gjuhën kur pranohen e përdoren pa nevojë. Nuk duhen të merren e të përdoren fjalë të huaja në gjuhë kur kemi fjalët tona, veçse në ato raste kur ato sjellin një kuptim të ri, një nuancë të re, një ngjyrim emocionues a stilistik etj., që nuk e japin mjetet e shqipes. Në gjuhën tonë ndodh që brenda çerdhes së fjalëve të huazuara, disa fjalë janë zëvendësuar me fjalë shqipe, kurse disa të tjera të së njëjtës çerdhe jo, meqenëse nuk janë formuar ende fjalë gjegjëse, psh.: nacion, nacional dhe internacional janë zëvendësuar me komb, kombëtar dhe ndërkombëtar, kurse nacionalist, internacionalist e nacionalizëm nuk janë zëvendësuar ende.
Në këtë rast, gjuha standarde shqipe, me leksikun dhe me koloritin shprehës të saj, ofron mundësi jashtëzakonisht të mëdha për një gazetari të nivelit të lartë. Me këtë pikëpamje, na bën të kuptojmë se gjuha shqipe është e pasur dhe secili që e sheh veten në veprimtarinë e gazetarit duhet t’ia zgjojë vetes ndjenjën e gjuhës së vet amtare. Siç kuptojmë nga kjo, në raportimet e mediave tona, kështu edhe do të ruhej gjuha shqipe, pa u dhënë aspak hapësirë për fjalët e huaja të panevojshme.
“Unë mendoj që kultivimi i ndjenjës për gjuhën amtare bëhet në anën e leximit të vazhdueshëm.”
Ersid Karaj, është student i Fakultetit të Shkencave Humane në Universitetin e Elbasanit në degën gazetari. Ai është i apasionuar pas poezisë dhe letërsisë. Në vitin 2019 ka botuar vëllimin e tij të parë me poezi me titullin “As në qiell, as në tokë“ në moshën 18-vjeçare. Ersidi e sheh gazetarinë si një rrugëtim drejt aktualitetit dhe ndërtimit të intelektit të tij. Ersidi kontribon me shkrimet e tij në LexoTani, me qëllimi që të mundësojë një kontakt të vazhdueshëm me lexuesit në fushën e artit, poezisë dhe letërsisë, dhe jo vetëm. Ersidi është kurdoherë i hapur për propozime dhe bashkëpunime: mund ta kontaktoni në [email protected].