Pse shqipëtarët duhet të kontrollojnë jetën politike dhe jo politika jetën e shqipëtarëve?

Dddddssss | Lexotani

Gjithmonë shqipëtarët kanë qenë të interesuar rreth jetës politike, të ndarë në të majtë, të djathtë ose të qëndrës apo siç i njohim ndryshe PS, PD dhe LSI. Edhe sot, shqiptarët ashtu ndahen, duke bërë tifozllëk për to siç bëjnë për Milanin, Interin dhe Juventusin.
Ne jemi mësuar të bërtasim për këto skuadra futbolli, duke i mbështetur shpesh, madje edhe duke drejtuar fyerje e urrejtje ndaj njëri tjetrit, por në fund nuk kemi pasur asnjë përfitim. Ky fenomen ndodh edhe sot me skuadrat politike ku shqipëtarët ndahen mes tyre, fyhen, shahen e urrehen dhe ndonjëherë derdhin gjak për këto skuadra politike. Në fund rezultati qëndron i njëjtë : asnjëra prejt tyre nuk e lumturoi familjen tënde, nuk e shkolloi fëmijën tënd, dhe nuk të dha një shifër më shumë në rrogën tënde etj…
Përkundrazi, në rastin e parë të mori kohën, vëmendjen e familjes dhe të shtoi urrejtjen ndaj kundërshtarit, etj…. Në rastin e skuadrave politike, të përdori në kohë zgjedhjesh, të shtoi taksat, ta prishi teatrin, të zhvati e të bëri të ikje nga vendi yt ose të rrish por duke e urryer këtë vend që “nuk bëhet“.
Problemi i këtij tifozëllëku është padija dhe heshtja, e cila na ka bërë ti shesim edhe shpirtin të ashtuquajturve politikanë apo politikëbërës. Për këtë arsye ne nuk kemi bërë ndonjëherë kritikë ndaj vetes dhe tifozllëkut politik që mbështesim. Kjo sepse na ka munguar kultura politike. Ne kemi zgjedhur më të thjeshtën; nënshtrimin dhe besimin e verbër ndaj tyre. Këtë e kemi bërë pa marrë parasysh se jemi ne ata që po e vuajmë, dhe pa kuptuar se këto skuadra politike nuk shohin xhepin tonë por xhepin e tyre.
Kjo duhet dhe do të ndryshojë, por ky ndryshim vjen nga ti. Prandaj është koha që çdo shqipëtar të marrë në dorë të ardhmen e tij duke marrë në dorë jetën politike. Për ta kuptuar më thellë ndikimin dhe rëndësinë që kanë këto zgjedhje që bëjmë po jua parashtoj në formë analogjie.

Imagjinoni shtëpitë tona bashkë me familjen tonë. Ambient ku çdokush prej nesh bën më të mirën për mbarëvajtjen e shtëpisë. Nga ana tjetër, prindërit tanë që punojnë pa u lodhur vetëm për ne, duke mos pasur kurrëfarë pritshmërie për shpërblim. Ata shpeshherë sakrifikojnë veten e tyre, jetën e tyre dhe vuajnë vetëm për të na mundësuar një të ardhme sa më të mirë. Kujdesi ndaj nesh për ta, nuk është vetëm detyrim por edhe kënaqësi, duke mos patur kurrëfarë përfitimi.
A jemi ne të kënaqur me ta? Sigurisht.
Kjo ndodh sepse ne jemi të qetë duke e ditur se ata kanë si qëllim interesin tonë më të mirë dhe ne nuk keni nevojë të ja rikujtojmë këtë prioritet atyre.

Tanimë shtëpia jonë është Shqipëria, familja jonë e madhe është populli shqiptar dhe “prindërit tanë“ janë politikëbërësit. Në këtë rast jemi ne që i zgjedhim këta të fundit, ndryshe nga shembulli i parë. Ne u kemi deleguar atyre fuqinë tonë duke i zgjedhur si drejtues, nën umbrellën e disa parimeve morale e ligjore siç janë ligjet dhe kushtetuta. Këto vlera morale ndërtojnë ato që sot i njohim si institucionet drejtuese ku përmendim; kushtetutën, shoqërinë civile, gjykatat në tërësi, parlamenti, OJQ-të dhe të gjitha institucionet e tjera shtetërore dhe jo vetëm.
Këto institucione nën direktivat kushtetuese janë mbrojtësit e këtyre parimeve morale dhe kontrolluesit e fuqisë. Në parim ato balancojnë fuqitë nën parimin e të drejtave dhe gjykimit të barabartë.
Në rastin e Shqipërisë ky është pikërisht boshllëku i kulturës dhe institucioneve politike. E ardhur nga një periudhë e gjatë e komunizmit, nën kulturën e shtypjes së të drejtave bazike gjë e cila ka bërë që populli shqipëtar ta pranojë pa kundërshtim nënshtrimin dhe përçmimin. Kjo gjë është përkthyer në mungesën e një shoqërie civile të mirëorganizuar e cila nuk arrin dot të jetë aktor balancues. Përkundrazi, në më të keqen e rasteve është kthyer në atë që unë e quaj “shoqëri servile“, e cila i nënshtrohet direktivave të mazhorancës apo opozitës për ti shërbyer interesave të tyre.

Nga ana tjetër institucionet e sipërpërmendura janë mosfunksionale dhe në më të keqen e rasteve, të kapura me themel që prej rrëzimit të komunizmit. Këto institucione drejtojnë jetën politike të shqipërisë dhe eventualisht jetën e shqipëtarëve brenda dhe jashtë vendit. Drejtuesit politik gjithashtu janë të paprekshëm dhe i kanë kthyer pozicionet dhe përgjegjësitë e tyre në trashëgimi personale e familjare. Duke qenë të tillë, ata kanë ndërtuar edhe një sistem të përqëndruar nën tutelën e tyre të pangopshme, duke kontrolluar në detaje kundërshtarët dhe mbështetësit e tyre politik. Kodi zgjedhor i tanishëm është mjeti që lejon këtë lëmsh.

Ky kod i sotëm zgjedhor i ka hequr fuqinë apo sovranitetin popullit duke e bërë të pamundur për ta që të zgjedhin drejtpërdrejt përfaqësuesit të cilët duhet të mbrojnë interesat e tyre. Këta përfaqësues, që pas ndryshimeve kushtetuese të 2008-ës zgjidhen nga kryetarët e partive duke i nënshtruar, kur ata cënojnë interesat e kryetarëve apo grupeve klanore. Marrëveshje kjo e cila ka sjell një degradim të mëtejshëm të kulturës poltike, forcës së shoqërisë civile dhe standarteve ekonomike dhe mungesë totale të opozitës apo mendimit ndryshe. Pavarësisht ndryshimit të qeverive sistemi mbetet po i njëjtë, i nënshtruar.

Kjo është arsyeja përse shqipëtarët duhet të marrin në dorë jetën politike. Përfaqësues të nënshtruar, institucione mosfunksionale dhe të kapura, trashëgimi klanore dhe kriminalizimi i çdo parimi moral e kushtetues janë disa nga arsyet përse kjo formë qeverisjeje dhe përfaqësimi nuk i përshtatet interesave të shqipëtarëve.
Demokracia siç e përmendëm më lartë është mundësia e popullit të zgjedhë se si dëshiron ta përdorë sovranitetin e tij dhe cilit përfaqësues dëshiron të ja delegojë. Për këtë duhet së pari të ekzistojë mundësia e zgjedhjes së përfaqësuesve.

Përfaqësuesit tanë janë si drejtuesit e shtëpive tona. Imagjinoni sikur dikush tjetër që ju nuk e njihni dhe nuk e zgjidhni të zhvendoset në shtëpinë tuaj aktuale dhe të drejtojë jo vetëm shtëpinë tuaj por edhe jetën tuaj. A do ta pranonit? Sigurisht që jo. Ju as nuk i njihni parimet dhe moralet e tij dhe as nuk e keni zgjedhur si drejtues, por jua kanë impozuar.
Nëse përgjigja për shtëpinë tuaj ishte jo atëhere përgjigja duhet të jetë e tillë edhe për shtëpinë tonë të përbashkët, për vendin tonë. Kjo përgjigje duhet të jetë e njejtë edhe për shqipëtarët që jetojnë brenda kësaj shtëpie të madhe por edhe e atyre që jetojnë jashtë saj.

Për ne është momenti të marrim kontrollin mbi jetën tonë dhe mos e lëmë atë në duart e interesave klanore të kaheve të ndryshme politike.
Tani është momenti që ne të marrim në dorë jetën politike dhe të zgjedhim përfaqësuesit tanë. Në momentin që ata nuk i kryejnë detyrat e tyre ne mund ti zëvëndësojmë. Kjo fillon me votën tonë dhe me ndryshimin e kodit zgjedhor të tanishëm. Këtu fillon demokracia, zgjedhja dhe jeta e prosperiteti i shqipëtarëve. Le të dalim nga kjo histori nështrimi verbues dhe të shkojmë me plot furi përpara si hedhja e shigjetës, pasi është tërhequr mjaftueshëm në hark. Le të godasim në shenjë padrejtësitë duke marrë në dorë jetën politike, fuqinë tonë, sovranitetin tonë.

Le të jetë pikëpamja jonë politike dinjiteti dhe përparimi i shqipëtarëve.  

Ardit Kuqa, është i apasionuar pas edukimit dhe sipërmarrjes. Atij i pëlqen ta sfidojë veten me gjëra të reja. Arditi ka studiuar Marrëdhënie Ndërkombëtare, Studime Europiane dhe Inxhinjeri Biznesi. Punon si menaxher dhe drejtues projektesh në NGO të ndryshme në Paris, Francë. Ai është CEO i LexoTani dhe disa nismave të tjera.
Kontakto: [email protected]

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *