Poezia e Fatos Arapit

Fatos Arapi

Po e nis këtë shkrim artikulli për poetin Fatos Arapi, me vetë parathënien e tij të një vëllimi me poezi të zgjedhura nga viti 1962 -1989, me titullin: “Më jepni një emër”

Dy fjalë

Sa herë botoja diçka, unë nuk e lexoja. Thellë vetes më mundonte dhembja: mund ta kisha bërë më të mirë. Dhe më e rëndësishmja: një poezi e botuar je ti, është shpirti tënd. Jo ai që ti mendon për veten, por ai që ti je në të vërtetë. Në jetë mund të sillesh ndryshe nga ç’je, mund ta zbukurosh veten, mund ta fshehësh. Nuk është diçka e jashtëzakonshme hipokrizia e përditshme njerëzore. Ajo shpesh na bëhet natyrë e dytë. Në art jo, në poezi jo. Në shpirtin tonë, fatlumturisht, ka një këndth, një kthinë ku nuk hyn dot shtirja, hipokrizia. Atje është arti, ai i vërteti, dua të them. Jeta ime ka kaluar nëpër kohë tmerrësisht të rënda, që shtrihen gati prej fillimit të shekullit të 20-të. Ndër mokrat e fatit shqiptar, ajo ka qenë tepër e vështirë dhe tragjike:
Sa mund t’i qëndroja besnik vetvetes? Çfarë Fatosi krijova prej vetes sime?
E keni në veprat e mia.


Po ju them sinqerisht se, cilido që do të jetë njeriu që ju do të takoni aty, unë përsëri do të ndiej dhembje. Nuk do të jem i kënaqur prej tij. Përherë ka diçka të paarritshme drejt së cilës duhet të shkojmë.

*

Sa herë e marrë në dorë këtë vëllim të Fatos Arapit, fillimisht do lexoj dy-tre herë parathënien, pastaj poezitë e tij. Ka plot njerëz të cilët e kanë takuar Fatos Arapin, dhe e kanë njohur atë si njeri. Por unë jo, asnjëherë. E kam njohur atë vetëm nëpërmjet veprave. Dhe shpesh mendoj me vetën, që edhe nëse do ta kisha takuar fizikisht, nuk kisha për ta njohur më shumë siç e njoh në veprat që ai na ka lënë.

Ju do thoni si? Siç thotë dhe vetë ai në parathënien, që poezia është vetë ai, ndryshe nga jeta e përditshme që mund të duket njeriu. E kjo, më lumturon vërtetë, sepse atë e takoj në poezi përditë…Ia njoh vargun, dhimbjen, trishtimin, fjalën, dashurinë, dilemat, rrugët ku ka ecur, heshtjen…etj. A mund t’më kundërshtoni tani që nuk e njoh?

Fatos Arapi i cili bashkë me Ismail Kadarenë dhe Dritëro Agollin përbënin triadën e poetëve më të shquar të shekullit të shkuar, ka qenë dhe do mbetet një nga zërat më të fuqishëm në letërsinë shqipe; për dimensionin e lartë poetik, për lëvrimin e vargut, spirancën e fjalëve, meditimet, bashkbisedimet..etj.

Duke qenë se arrita në konkluzionin “bashkëbisedim”, Fatos Arapi është nga Poetët e rrallë për bashkëbisedimin poetik, që shtrihet në gjendje emocionale dhe shpirtërore.
Një nga bashkbisedimet e tij më të lëvruar e cila është një nga më të e dashurat për mua, është poezia që po e shkruaj më poshtë…

TI DO VISH

Ti do vish, e dashur, si s’do vish?
Kur e di se unë ty të pres
duke ndjer’ frymëmarrjen e vet mbrëmjes
duke ndjer’ frymëmarrjen e vet pritjes
duke ndjer’ frymëmarrjen e vetmisë
Ti do vish, e dashur, si s’do vish?
Kur e di që unë po të mundnja,
rreth vetvetes rruzullin do vërtitnja
si një portokall’ në dorën time-
të rrjedhë koha shpejt
e ti të vish…

Kjo poezi është një thirrje e brendshme e dashurisë që ai bën. Thirrje e cila shkon deri në përpjekje për ta ndryshuar kohën që ai e cilëson “portokalle” e ta bëjë atë të rikthehet tek ai. Kjo gjë vihet re që në fillim kur ai bën pyetjen madhështore poetike, “Ti do vish, e dashur, si s’do vish?” Kjo pyetje vë theksin e të gjithë vargjeve në vazhdim…

Një poezi tjetër bashëbisedimi është poezia “Mos eja në ëndërr” e cila dua ta përmend për rëndësinë e bukur që ka.

MOS EJA NË ËNDËRR

Mos eja në ëndërr, e paëndërrta ime.
Nuk jam Safua me zemër të brishtë. –
Ngopur me vdekjen e dashurisë
gjer në grykë, jam!
Edhe në gjumin e vdekjes
trembem nga britma ime
për ty.
Mos eja në ëndërr, e paëndërrta ime.
Mos e bëj shakanë e mbrëmshme.
Si ta duroj ditën,
që më sheh me sy ëndrre?

Sërish këtu kemi të bëjmë me një bashkëbisedim me dashurinë, e cila tashmë kthehet në një ankth, që e shoqëron poetin vazhdimisht. Për të mos parë më vuajtje dhe vdekje të dashurisë e cila tashmë nuk është pjesë e tij. E kjo prapë vë theksin që tek vargu i parë “Mos eja në ëndërr, e paëndërrta ime.”

Për të vazhduar më tej për poezitë e tij, po e nis me poezinë “Jeta”.

Jeta

Jeta është stacion ndarjesh e takimesh.
Jemi përherë udhëtarë
dhe ndër duar, bagazh të pandarë,
një valixhe të vogël
përpjekjesh, sulmesh, kujtimesh.

Poeti e quan jetën stacion ndarjesh e takimesh, dhe mendoj që vërtetë është e tillë. Është “përpjekje” që njeriu bën çdo ditë për të mbijetuar, pa u ndaluar me “valixhe” udhëtimesh, “sulmesh” që hasim gjatë jetës, “kujtimet” e paharrueshme dhe të pandashme që na ndjekin nga pas çdo moment…

Për ta mbyllur këtë artikull, dua të shkruaj një tjetër poezi të bukur, filozofike, përtej çdo kufiri për dashurinë të cilën ai e shfaq si të papërmbushur ndaj vetes…
(Dhe duke ju sugjeruar ta lexoni sa më shumë dhe sa mê shpesh këtë poet të jashtëzakonshme.)

Si s’të desha pak më shumë

Unë e desha përtej vdekjes,
Ashtu dashurova unë
Edhe prap s’ia fal dot vetes:
S’i s’e desha pak më shumë…
Pak më shumë ku shpirti thyhet,
T’i them ndarjes: – Prit, ca pak…
Të gënjejmë mallin që s’shuhet,
Kujtimin të gënjejmë pak.
Përtej vdekjes, përtej botëve,
Atje ku nis “ca pak” tjetër,-
Asaj që më rri mes Zotave:
“Si s’të desha pak më tepër…”.

Ersid karaj lindi në Elbasan në vitin 2001. Mbaroi shkollën e mesme në gjimnazin “Dhaskal Todri” Elbasan.
Vazhdon studimet e larta në Universitetin e Elbasanit në Fakultetin e Shkencave Humane në degën Gazetari. Pasioni i tij për letërsinë ka nisur qysh në moshën 12-vjecare. Ka botuar një libër me poezi me titullin “As në qiell, as në tokë”, në vitin 2019. Aktualisht studion, por duke ia kushtuar pjesën më të madhe të kohës letërsisë.
Ersidi është i hapur kurdoherë për bashkëpunime dhe propozime; mund ta kontaktoni në [email protected]

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *