Përkushtimi, ideali dhe e ardhmja e shqiptarëve.

Perkushtimi, Ideali, E Ardhmja

Çfarë ndikimi ka fillimi i punëve me përkushtim të madh dhe me ideale të larta në të ardhmen e Shqipërisë?

Sigurisht që qëllimi dhe mendësia njerëzore janë dy nga shtyllat më themelore të fillimit të çdo pune, çdo plani, apo realizimit të një ideali të përbashkët. Këto dy shtylla të qëndrueshme sigurojnë realizimin dhe mbarëvajtjen e çdo projekti të ndërmarrë.

Nëse shohim historinë tonë do kuptojmë se brezat e shkuar, si rilindasit, që i falën aq shumë idealit shqiptar, i ndërtuan përpjekjet e tyre mbi këto dy shtylla. Ata nuk dyshonin asnjëherë në vizionin e tyre për një Shqipëri të lirë e më të mirë. Prandaj, edhe veprimet e tyre shfaqnin format më të bukura të sakrificës njerëzore. Për shembull, edhe kur u rrezikohej jeta e tyre apo e familjes së tyre, ata gjithmonë vepronin e ndihmonin njëri-tjetrin. Fjala dhe nderi i tyre gjendej në veprim e jo në teori boshe.

Prandaj, edhe besa e rilindasve në çdo kuvend apo lidhje shqipëtare, pavarësisht dallimeve, ishte konform me idealin e tyre të përbashkët. E kur ata e jepnin atë besë as nuk u shkonte ndër mënd se cilat do ishin përfitimet e tyre personale. Ata e bënin përpjekjen e tyre duke ditur përgjegjësinë e përbashkët që kishin.

Edhe ne sot duhet të punojmë me të njëjtat ideale. Në këtë mënyrë populli shqiptar dhe Shqipëria nuk do zvarritet më në humnerat e përbuzjes e varfërisë individuale e institucionale. Ne duhet të kuptojmë thellësisht se, nëse secili prej nesh vepron mbi këto parime duke i parë ato si kushte të nevojshme për përparimin e përbashkët, populli jonë do arrijë të përparojë në çdo nivel, qoftë ai individual apo shoqëror.

Një popull që zotëron një koncep të tillë përkushtimi, shumë shpejt do ti korrë investimet e kthyera në suksese të pashmangshme. Në këtë stad arritjet individuale kthehen në arritje të përbashkëta dhe anasjelltas. Duke pasur një mendësi të tillë shumë shpejt do të krenohemi në mbarë botën me faktin e të qenit shqiptar. Për ta arritur këtë sukses ne duhet të bashkojmë forcat e të jemi mbështetje ndaj njëri-tjetrit.

 Ardit Kuqa është menaxher projektesh në fushën e biznesit dhe inovacionit social. Aktualisht punon si menaxher dhe drejtues projektesh në “Etude Plus” në zonën e Parisit. Arditi ka studiuar Inxhinjeri Biznesi, Studime Evropiane dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare. Ai është i apasionuar pas edukimit dhe sipermarrjes, si mekanizma për të përmirësuar jetën e qytetarëve, shoqërisë dhe funksionimin e demokracisë. LexoTani është njëra prej disa nismave që kontribuon në këtë aspekt. Arditi është i hapur kurdoherë për bashkëpunime dhe propozime; mund ta kontaktoni në [email protected] ose në profilin e tij LinkedIn – https://www.linkedin.com/in/kuqaardit-yourchoice/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *