Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, ka emëruar gjyqtarin e Gjykatës së Apelit, Kreshnik Radoniqi si kryesuesin e ri të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, pas shkarkimit të Valdete Dakës.
Sipas njoftimit të presidencës, Valdete Daka në shumë raste, nuk ka arritur të jetë forcë e pavarur ndaj polarizimeve politike.
Tutje, sipas tyre, në proçesin e fundit zgjedhor, KQZ ka qenë e polarizuar dhe mbledhjet e vendimmarrja janë shoqëruar me tensione.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është organ i pavarur kushtetues, dhe përgjegjësia për ta ruajtur pavarësinë e KQZ-së së pari është përgjegjësi e kryesuesit të Komisionit. Kryesuesi i KQZ-së nuk vjen nga radhët e partive politike, por emërimi i tij bëhet me një proces të veçantë, fakt ky i cili tregon se kryesuesi duhet të jetë i pavarur në veprimet e tij edhe kur brenda KQZ-së mund të ketë presione nga subjektet politike. Në proçesin e fundit zgjedhor, KQZ ka qenë e polarizuar dhe mbledhjet e vendimmarrja janë shoqëruar me tensione si kurrë më parë”, thuhet në njoftimin e presidencës.
Sipas, presidencës, “Kryesuesja e KQZ-së, në shumë raste, nuk ka arritur të jetë forcë e pavarur ndaj polarizimeve politike dhe që vendimmarrja e saj të drejtohet nga interesi i përgjithshëm publik, e që për rrjedhojë ka cenuar integritetin dhe besimin e qytetarëve ndaj KQZ-së. Presidentja Osmani vlerëson se veprimet e kryesueses së KQZ-së nuk duhet të jenë shkak për humbjen e besimit qytetar ndaj institucionit, në veçanti pasi sivjet do të mbahen zgjedhjet lokale”.
“Legjislacioni në fuqi parasheh se presidentja është autoriteti kompetent për të emëruar kryesuesen e KQZ-së, sikurse edhe për ndërprerje të mandatit të saj. Ndaj, presidentja ka nxjerrë vendimin për lirimin nga detyra të znj. Valdete Daka, duke pasur në konsideratë vlerat demokratike të integruara në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, si dhe duke pasur parasysh se pavarësia dhe integriteti i KQZ-së ka një rëndësi vitale në zgjedhjet demokratike”, thuhet tutje në njoftimin e tyre.
“Kreshnik Radoniqi është gjyqtar në Departamentin Special të Gjykatës së Apelit. Gjyqtari Radoniqi, në vitin 2006 është diplomuar në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, ndërsa në vitin 2013 ka përfunduar studimet master në SHBA. Provimin e jurisprudencës e përfundoi në vitin 2007.
Radoniqi cilësohet si gjyqtar me kredibilitet të lartë profesional dhe paanshmëri në vendim-marrje. Emërimi i gjyqtarit z. Kreshnik Radoniqi si kryesues i ri i KQZ do të siguroj që integritet i KQZ nuk dëmtohet më tutje si dhe do të mundësojë mbarëvajtjen e organizimit të zgjedhjeve lokale të bazuar në gjithëpërfshirjen e votuesve në ditën e zgjedhjeve brenda dhe jashtë Republikës së Kosovës.
Presidentja Osmani i ka uruar punë të mbarë z. Radoniqi, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së integritetit të KQZ-së dhe funksionimit të tij në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet për zgjedhje”, përfundon njoftimi i tyre.