“The power of the people is stronger than the people in power” është ajo që pohoi Wael Ghonim, një nga figurat e rëndësishme të revolucionit Egjiptian të vitit 2011. Ai kundërshtonte qeverinë Egjiptiane që abuzonte me fuqinë, e cila ishte e korruptuar, dhe në vend mbizontronte mungesa e lirisë së shprehjes. Por përse njerëzit duhet ta përdorin fuqinë e tyre dhe cilat janë mënyrat e përdorimit të saj? Si mund të aplikohet kjo fuqi dhe a është ajo domosdoshmërisht një mjet i errët dhune?
Siç e dimë, fuqia prej njerëzve mund të marrë shumë forma në varësi të llojit të ndryshimit që kërkohet të arrihet prej tyre. Ajo ndikohet edhe në varësi të individit, qeverisë, kompanisë, komunitetit, etj, mbi të cilët bie përgjegjësia për ta bërë atë ndryshim. Shpeshherë këto forma apo mjete janë peticionet, protestat paqësore, bojkotet, memet, fushatat politike apo mosbindjet civile, dhe rrallëherë përdorimi i “mjeteve të fundit” tematikë të cilën nuk do e shtjellojmë në kontekstin shqiptar.
Ky shkrim do të jetë një përpjekje për ti mundësuar lexuesit një udhëzues rreth mjeteve e mënyrave pozitive se si mund të sjellim ndryshim në çdo aspekt dhe nivel që prek jetën tonë individuale e kolektive.
- Format e Presioneve Politike
Përgjatë historisë kanë ekzistuar shumë mënyra sesi zgjedhësit kanë ndikuar dhe diktuar pozitivisht politikanë të ndryshëm dhe qeveri, të cilët mund të ndryshojnë apo ndikojnë politikat, rregullat dhe ligjet nën përgjegjësinë e tyre. Sigurisht këto metoda nuk kanë qenë gjithmonë të lehta sepse format qeverisëse, politikat dhe regjimet janë komplekse dhe ndryshojnë në varësi të shteteve dhe kulturave të tyre politike. Për më tepër, ligjet lokale apo individuale të shteteve mund të kufizojnë apo pamundësojnë aftësinë për t’u përfshirë në politikë dhe aftësimin e të drejtave ligjore e kushtetuese. Më poshtë do të shtjellojmë disa nga taktika më efektive të presioneve politike të përdorura gjerësisht në mbarë botën të cilat mund të aplikohen edhe në kontekstin shqiptar:
- Pjesmarrja në votim[1].
Sipas John Lewis, “Vota është e çmuar. Pothuajse e shenjtë. Ajo është mjeti më i fuqishëm paqësor që kemi në një demokraci”. Kjo deklaratë prej tij na bën të kuptojmë se, inkurajimi i njerëzve për të votuar mund të ndikojë vetëm pozitivisht në mbarëvajtjen demokratike të një vendi. Kjo për arsye se votimi mundëson përfaqësimin e popullsisë dhe interesave të tyre, mundësinë e pjesëmarrjes në vendimmarrje rreth çështjeve që prekin jetën e përditshme, kontrollin dhe balancën e fuqisë së të zgjedhurve nga populli etj… Për më tepër, jo shumë vite më parë, njerëzit ishin të gatshëm të rrezikonin jetën e tyre për të siguruar të drejtën e votës. Një e drejtë kjo të cilën ne e gëzojmë falë tyre dhe të cilën nuk duhet ta marrim për të mirëqenë.
Sigurisht, përpara se të votoni këshillohet; të njihni zonën tuaj zgjedhore, reflektoni se cilat janë karakteristikat pozitive të kandidatëve, të njihni kandidatin të cilin mendoni të votoni, të njihni programin e tyre politik dhe programin politik të partisë së tyre, etj, dhe pastaj me bindje të votoni[2]. Kjo për arsye se një votues i informuar arrin të bëjë një zgjedhje më të mirë sesa një votues i painformuar.
Nëse prekim pak realitetin shqiptar kuptojmë se një përqindje e madhe e qytetarëve shqiptarë nuk votojnë. Sipas një studimi nga OSCE-ja, KQZ-ja shpalli pjesëmarrjen e përgjithshme të votuesve prej 53.5% në zgjedhjet e 23 qershorit 2013-të.[3] Nga ana tjetër pjesmarrja e votuesve shqiptarë në zgjedhjet e 25 qershorit 2017 ishte akoma më e ulët, qeveria në pushtet u zgjodh me pjesmarrjen e 46.8% të zgjedhësve. A është kjo një gjë pozitive për demokracinë në Shqipëri? Sigurisht që jo. Kjo për arsye se vetë pjesmarrja e votuesve në votim quhet një akt dhe veprim demokratik i mbështetur në kushtetutë. Ajo është e rëndësishme sepse sa më i madh të jetë numri i votuesve aq më i madh do jetë përfaqësimi i tyre. Sa më i madh përfaqësimi, aq më i gjërë kontrolli ndaj të votuarit. Sa më i thellë kontrolli ndaj të votuarit aq më shumë rritet detyra, përgjegjësia dhe frika e tij për të përmbushur premtimet dhe për të përfaqësuar denjësisht elektoratin e tij.
Duhet patur gjithashtu parasysh se mosvotimi sjell vetëm shkaqe negative si p.sh zgjedhjen e kandidatëve të padëshiruar, mos dëgjimin e zërit tuaj dhe kauzave të tua, moskontrollin ndaj drejtuesve etj… Për këto arsye dhe të tjera duhet të votohet.
Për të shpjeguar rëndësinë e çdo vote marrim shembullin e zgjedhjeve të 2011-ës në Tiranë, ku zgjedhja e kryetarit të ri të bashkisë u vendos prej më pak se 100 vota. Në përfundim të zgjedhjeve Basha kryesonte me 0,04% kundrejt Ramës. Rezultati final ishte 49.74% për Bashën kundrejt 49.70% për Ramën. Përqindja totale e votuesve të Tiranës ishte 53.01%, një përqindje shumë e ulët që vendosi qeverisjen vendore dhe si do të qeveriseshin banorët e tiranës në vitet në vijim.
Si përfundim, secili prej nesh duhet të kuptojë se votimi është një veprim i rëndësishëm dhe qytetar. Pranaj, në zgjedhjet e ardhshme, përveçse secili prej jush duhet të votojë, njëkohësisht, duhet të siguroheni që shokët/shoqet, kolegët/et dhe të gjithë të afërmit tuaj të shkojnë të votojnë. Kjo mund të realizohet me kontributin tuaj duke i nxitur ata të votojnë dhe duke i shpjeguar atyre rëndësinë e votimit. Një akt ky i një rëndësie të madhe sepse votimi vendos kush do të na qeverisë dhe si do të qeverisemi etj…
- Pjesëmarrja në promovimin e një kandidati.
Promovimi i kandidatëve politikë nuk është gjithmonë negativ. Këto janë vetëm stereotipe që vijnë prej mosnjohjes. Pra, nëse sipas votuesve ekziston një kandidat politik që mendohet se ka fuqinë dhe aftësinë për të bërë një ndryshim pozitiv që është i rëndësishëm për kauzën e popullsisë në zonën e prekur, ju mund të tuboni njerëz për të mbështetur fushatën e këtij kandidati. Kjo mund të arrihet duke promovuar kandidaturën dhe programin e tij/saj politik. Shembulli i një kandidati i cili i shërben komunitetit dhe që njihet pozitivisht për kontributin e tij ndaj demokracisë bën të nevojshëm promovimin e tij/saj.
Një shembull interesant është ai i kandidaturës së Barack Obamës, “ngjarja, “Walk for Change”, tërhoqi më shumë se 10,000 vullnetarë, nga 50 shtete, të cilët ndihmuan vullnetarisht në promovimin e Barack Obamës për zgjedhjet presidenciale.
Në rastin e Shqipërisë, e rëndësishme është mbështetja e një kandidati i cili ka një program konkret dhe realist për zgjidhjen e shqetësimeve kryesore të elektoratit të tij, pavarësisht kahut politik të cilit mund ti përkasin këta të fundit. Sigurisht pas përzgjedhjes së kandidatit mbetet prioritet kërkimi i llogarive ndaj kandidatit tuaj për premtimet që ka dhënë dhe programin që ka ndërtuar.
Nga ana tjetër mbështetja e kandidatëve të cilët kanë një histori pozitive shërbimi ndaj popullsisë është primordiale. Kandidatët duhet të jenë të shkolluar, të besueshëm, mendjehapur, njohës të mirë të njerëzve dhe problematikave të shoqërisë, të organizuar, me integritet social e kulturor, etj,. Këta kandidatë duhet të votohen edhe në mos qofshin të kahut politik që secili prej nesh mbështet apo në qofshin kandidatë të pavarur.
Kandidatët që nuk duhen votuar, edhe në qofshin të kahut politik që secili prej nesh mbështet janë ata të cilat kanë sjellje të kundërta si ato të lartëpërmendura.
- Protestat politike
Mitingjet, marshimet dhe grevat janë ndër mjetet kryesore të përdorura zakonisht për të protestuar veprimet apo vendimet e padrejta, negative të politikanëve ose të një qeverie. Shembulli i protestave të shoqërisë civile në Shqipëri ndaj çështjes së armëve kimike cilësohet si një nga shembujt më të suksesshëm të përdorimit të këtyre mjeteve demokratike. Sepse, ashtu si Rosa Parks ka theksuar, “është më mirë të protestosh, sesa të pranosh padrejtësinë”. Por, ndryshe nga revolucionarët, protestuesit politikë ruajnë një formë bindjeje se sistemi politik i momentit është akoma i aftë të korrigjojë dhe përmirësojë vetveten. Në rast të kundërt, lind nevoja për një revolucion.
Megjithatë, protestuesit politikë nuk mbështeten vetëm në mënyrat tradicionale të pjesëmarrjes politike, si votimi apo liria e shprehjes, ose sepse ata nuk kanë të drejtë apo qasje në këto të drejta ose sepse nuk i konsiderojnë ata efektive në lidhje me situatën ku ndodhen.Këto protesta mund të marrin forma të ndryshme, si p.sh dallimi midis protestave paqësore dhe atyre të dhunshme. Protestat paqësore mund të përfshijnë peticionet, artikujt, veprat e artit, bllokimet (sit-in), grevat dhe demonstrata paqësore. Ndërsa format e dhunshme mund të përfshijnë shkatërrimin e pronës, dëmtimet trupore dhe akte terrorizuese, të cilat janë të patolerueshme në një sistem të lirë e demokratik.
Në rastin e shqipërisë disa nga protestat më të suksesshme kanë qenë protestat studentore, protesta e armeve kimike, protestat mjedisore etj…
- Lobimi (Advokimi)
Falë zhvillimeve të fundit në botën e komunikimit, vërejmë se ekzistojnë mënyra të ndryshme të lobimit të cilat mund të përdoren si përpjekje për të ndikuar në politikbërje. Kjo mund të bëhet në mënyra të ndryshme; p.sh duke punuar pranë një vendimmarrësi për një çështje tuajën, ose me anë të konsultimeve, pjesmarrjes në konferenca, takime publike, etj. Një mënyrë tjetër e lobimit janë takimet ballë për ballë, bisedat telefonike apo komunikimet e shkruara. Sigurisht, të gjitha këto forma lobimi, këshillohen të bëhen duke respektuar kuadrin ligjor.
Një shembull interesant për tu marrë parasysh ishte advokimi për t’i dhënë fund eksperimentimit mbi kafshët. Ky lobim pranë Koalicionit Europian mundësoi vendosjen e një përfaqësuesi në komitetin e Bashkimit Evropian i cili kreu rishikimin etik të eksperimentimit të kafshëve dhe sugjeroi alternativa të reja që zëvendësonin këto forma eksperimentimi.Një shembull tjetër është të bashkuarit dhe mbështetja e kuazave të ngrituara nga organizatat e shoqërise civile. Një rëndësi të veçantë ka pjesmarrja në konsultime publike për projektligje apo projekte të ndryshme.
- Nxitja e Mediave
Së pari, sipas një studimi Norvegjez të 2019-ës nga studiues të universitetit të Oslos theksohet se “media është një nga mjetet që mund të ndikojë në axhendat, alokimin e burimeve dhe vendimet e çështjeve brenda burokracive publike[4].“ Ky është një konkluzion i cili sugjeron se çfarëdolloj përfshirje apo formë nxitjeje qytetare ndaj mediave lokale luan një rol të rëndësishëm në proçesin e vendimmarrjes demokratike dhe gjithpërfshirëse.
Shkrime të botuara në gazetat, revistat ose bloget e njohura nuk kalojnë pa u vënë re nga politikbërësit apo stafi i tyre. Kjo është veçanërisht e vërtetë nëse vendimmarrësi është i përmendur në shkrim apo thirrje, rreth një çështjeje për të cilën ai ose ajo po punon apo është i interesuar.
Nga ana tjetër, jo vetëm mediat lokale, apo ato të shkruara, por edhe mediat sociale po marrin gjithmonë e më shumë peshë në këtë aspekt.
Një shembull interesant është Shqipëria, pasi elektorati i grupmoshës 18-29 vjeç përfaqëson më shumë se ¼ e të gjithë votuesve shqiptar. Shifra këto të sjella nga INSTAT më 2013-ën. Sot në 2021-shin, supozohet që kjo shifër është rritur akoma më tej, me rritjen e përdorimit të teknologjisë nga të rinjtë.
Këto shifra paraqesin një rëndësi themelore të realitetit politik shqiptar, ku shohim përpjekjen e partive të mëdha politike në vend, të cilët po sillen tanimë më shumë si biznese sesa si platforma e parti politike. Kjo formë e të sjellurit quhet ndryshe marketing politik. Mjet i cili po merr hapsirë jo vetëm gjatë fushatës politike para zgjedhjeve, por duket se po kushtëzon shitjen e çdo veprimi apo “produkti“ politik të nxjerrë nga gjiri i partive politike.
- Kontaktimi i Politikaneve
Në vende të ndryshme demokratike, zgjedhësit kanë mundësinë dhe të drejtën të kontaktojnë drejtpërdrejt politikanë dhe zyrtarë të qeverisë në forma të ndryshme[5]. Nga dërgimi i mesazheve apo kërkesave me e-mail, letra, telefonata deri tek marrja e takimeve personale ballë përballë në zyrë.
Këto mundësi herë realizohen në mënyrë individuale e herë kthehen në fushata të përbashkëta. Kjo formë kërkese paqësore mundëson që nevojat tuaja të merren në konsideratë në mënyrë sa më paqësore dhe mirëkuptuese nga politikanët dhe politikbërësit që ju keni votuar.
Sigurisht është e rëndësishme të jetë në dijeninë e çdo qytetari se parlamenti i shqipërisë ka zyra deputetësh në qarqe të cilët përfaqësojnë zonën apo qarkun në fjalë. Këto zyra janë në shërbim të qytetarëve dhe ato duhet të shihen prej këtyre të fundit si pika referimi për ti komunikuar problematikat lokale përfaqësuesve të zonës. Ky lloj komunikimi mund të arrihet me anë të organizimit të një grupi qytetar i cili mund ti shfaqë kërkesat e tij në mënyrë të shkruar ose në mënyrë të drejtpërdrejtë duke kërkuar takim fizik me vetë përfaqësuesit e zonës apo qarkut. A është e mundur kjo? Sigurisht që po. Ashtu siç kontakti përfaqësues-qytetarë është i mundur në prag zgjedhjesh është gjithashtu i mundur pas zgjedhjeve.
Referencat:
[1] Kushtetuta e Shqipërisë – Neni 45, pika 1 : “Çdo shtetas që ka mbushur tetëmbëdhjetë vjeç, qoftë edhe ditën e zgjedhjeve, ka të drejtën të zgjedhë dhe të zgjidhet”.
[2] Kushtetuta e Shqipërisë – Neni 45, pika 3 : “Vota është vetjake, e barabartë, e lirë dhe e fshehtë”. [3]https://www.osce.org/files/f/documents/9/0/108194.pdf
[4] https://journals.sagepub.com/doi/10.1177/0267323119861513
[5] Kushtetuta e Shqipërisë – Neni 48: “ Kushdo, vetë ose së bashku me të tjerë, mund t’u drejtojë kërkesa, ankesa ose vërejtje organeve publike, të cilat janë të detyruara të përgjigjen në afatet dhe kushtet e caktuara me ligj”.
Ardit Kuqa, është i apasionuar pas edukimit dhe sipërmarrjes. Atij i pëlqen ta sfidojë veten me gjëra të reja. Arditi ka studiuar Marrëdhënie Ndërkombëtare, Studime Europiane dhe Inxhinjeri Biznesi. Punon si menaxher dhe drejtues projektesh në NGO të ndryshme në Paris, Francë. Ai është CEO i LexoTani dhe disa nismave të tjera.
Kontakto: [email protected]