Me ndihmën e efektivëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës u shmang katastrofa e zjarrit në autostradën Shqipëri-Kosovë.
Një vatër shumë e rrezikshme zjarri masiv, mbi tunelin e Kalimashit, në Autostradën Shqipëri- Kosovë u mbyll në orët e para të ditës së sotme, (10.08) duke shmamgur një katastrofë të mundshme, bllokimin e lëvizjes, jetën dhe banesat e fshatrave pranë tij. Era e fortë përhapi zjarret nga Mali i Rrunës, që prej disa ditësh është pushtuar nga zjarri, në terrenin mbi tunelin e Kalimashit duke rrezikuar sigurinë e lëvizjes në këtë autostradë dhe banesat në fshatrat përreth. Vatra e re e zjarrit mbi këtë tunel u vu nën kontroll me ndihmën e efektivave të Forcës së Sigurisë së Kosovës,(FSK) dhe strukturave zjarrfikës të Kosovës dhe Kukësit. Burime zyrtare bënë me dije se nga Kosova mbërritën 9 automjete zjarrfikëse dhe 34 zjarrfikës.
Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj e bëri të ditur angazhimin në median sociale, duke shkruar, se ndërkohë “një kontigjent i FSK është nisur drejt zonave të prekura nga zjarret për t’u angazhuar në operacione bashkë me forcat reaguese të Shqipërisë.” Të martën (10.08) autoritetet shqiptare kanë njoftuar, se efektiva të Forcave të Armatosura bashkë me ato të FSK dhe strukturat zjarrfikëse të Kukësit do të vazhdojnë operacionet për të vënë nën kontroll vatrat e zjarreve masive. Mali i Rrunës, (1875 metra) vazhdon të mbetet i pushtuar nga zjarret dhe ka burime vatrash zjarri në zonat rreth tij.
Vatra të reja zjarresh edhe në rajone të tjera
Vatra të reja zjarri krijohen vazhdimisht krahas dy vatrave më shqetësuese: njëra në Gadishullin e Karaburunit (Vlorë) dhe tjetra në Malin e Rrunës, ( Kukës). Të tilla vatra janë hapur edhe në rajonet jug-lindore të Shqipërisë, në Korçë dhe Pogradec, ku zjarri ka përfshirë pyllin e Mokrës. Në Thirë, (Mirditë) vatra disa ditore e zjarrit, ka rrezik të përhapet në zonat e banuara.
Ministria e Mbrojtjes në deklaratën e mbrëmshme, (09.08) për situatën e zjarreve në gjithë territorin e vendit bëri me dije që “në gjysmën e sipërfaqjes së prekur nga zjarri në pyjet e Voskopojës situata është drejt përmirësimit.”
Një vatër tjetër zjarri e rrezikshme e hapur së fundi është ajo në kufirin me Malin e Zi, në zonën e quajtur,”Qafa e Tërkuzit” që po ndiqet “me seriozitet” thekson deklarata e Ministrisë së Mbrojtjes. “Me ndërhyrje të përqëndruar nga toka dhe ajri tanimë është larguar rreziku i flakëve në drejtim të parkut Kombëtar të Llogarasë, por operacioni vijon për të nomalizuar situatën”, bën me dije Ministri i Mrojtjes, Niko Peleshi.
Sipas Institutit të Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit, (IGJEUM) sot, (10.08) dhe nesër (11.08) pritet të jenë të rrezikuara nga zjarret zona në Lezhë, Durrës, Tiranë, Elbasan, Fier, Berat, Korçë, Vlorë dhe Gjirokastër.
Dëmet nga zjarret, që kanë hyrë në javën e tretë, janë të pallogaritshme: qindra hektarë pyje dhe kullota të djegura, fshatra të evakuara. Fatmirësisht nuk ka humbje në njerëz. Viktimë e vetme mbetet Andrea Haxhiraj, 64 vjeçari nga fshati ”Azim Zeneli” në Lunxheri, Gjirokastër, që humbi jetën nga asfiksimi në mbrojtje të vreshtës së tij që kishte marrë flakë.