Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani në një ceremoni solemne ka dorëzuar medaljen presidenciale pas vdekjes për Beau Biden, djalin e presidentit të SHBA-së, Joe Biden, për kontributin e tij në fushën e drejtësisë pas luftës në Kosovë.
Medalja presidenciale është pranuar nga ambasadori i SHBA-së në Prishtinë, Philip Kosnett, ndërsa përmes video-mesazhit të pranishmëve iu është drejtuar presidenti Biden.
Në këtë ceremoni morën pjesë e kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, kryeministri Albin Kurti, përfaqësues të institucioneve dhe partive politike.
Presidentja Osmani në fjalimin e saj ka çmuar lart rolin që Beau Biden kishte në trajnimin e gjyqtarëve dhe themelimin e institucioneve të Kosovës së pasluftës.
“Krijimi i institucioneve dhe trajnimi i gjyqtarëve, të cilin, së bashku me kolegët e tjerë amerikanë, Beau Biden e filloi para pavarësisë, sot përbën njërën ndër shtyllat kryesore të institucioneve më të rëndësishme të Kosovës”, tha Osmani.
Për më tepër, Osmani ka përmendur edhe rolin e presidentit Joe Biden për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës.
Në video-mesazhin e tij presidenti i SHBA-së Joe Biden tha se familja e tij ndihet e nderuar pasi presidentja Vjosa Osmani ndau medalje për djalin e tij të ndjerë Beau Biden, i cili kishte shërbyer pas luftës në Kosovë.
“Duke e ditur se sa njerëz ka prekur, ne jemi përgjithmonë mirënjohës për të gjithë njerëzit e Kosovës, të cilët Beau i deshi aq shumë, kështu që ai besoi aq thellë në pavarësinë dhe demokracinë tuaj”, shprehet Biden.
Për më tepër, presidenti amerikan ka folur edhe për kontributin e Beau Biden për popullin e Kosovës pas luftës.
“Si avokat në Departamentin e Drejtësisë të SHBA-së, ai doli vullnetar për të shkuar në Kosovë, në Republikën e Kosovës për të mbështetur Pavarësinë tuaj dhe demokracinë tuaj të re, dhe mbi të gjitha sundimin e ligjit.”, tha Biden.
Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett, duke pranuar medaljen presidenciale post-mortem për Beau Biden, ka shprehur besimin e tij se miqësia Kosovës-SHBA do të vazhdojë të forcohet akoma më shumë në të ardhmen.
Beau Biden ndërroi jetë si pasojë e sëmundjes së kancerit në tru në vitin 2015. Ai ka shërbyer në Kosovë pas mbarimit të luftës, përkatësisht më 2001, në trajnimin e gjykatësve dhe prokurorëve vendorë.
Kjo është hera e dytë që Kosova nderon djalin e presidentit amerikan. Më 2016, në vitin e fundit të Bidenit si nënpresident amerikan, ai, së bashku me familjen e tij, kanë vizituar Kosovën, për të inauguruar rrugën Beau Biden afër kampit Bondsteeel.