Tre lojtarë me prejardhje afrikane, që humbën penalltitë për Anglinë në ndeshjen e vendimtare të Kampionatit Evropian të Futbollit kundër Italisë të dielën në mbrëmje, iu nënshtruan abuzimit racist në internet, duke bërë që Federata Angleze e Futbollit (FA) të lëshojë një deklaratë që dënon gjuhën e përdorur kundër lojtarëve.
Bukayo Saka, 19 vjeç, një nga lojtarët më të rinj në skuadrën angleze, humbi penalltinë që i dha titullin Italisë dhe i mohoi Anglisë trofeun e saj të parë ndërkombëtar, që nga Kupa e Botës e vitit 1966.
Ishte dështimi i tretë nga penalltitë për Anglinë përfshirë edhe dështimet e lojtarëve, Marcus Rashford dhe Jadon Sancho.
Federata e Futbollit tha në deklaratë se ishte tmerruar nga abuzimet ndaj tre lojtarëve.
“Ne do të bëjmë gjithçka që është e mundur për të mbështetur lojtarët e prekur ndërsa bëjmë thirrje për ndëshkimin e ashpër të kujtdo që është përgjegjës”, thuhet në deklaratën e FA-së.
“Ne do të vazhdojmë të bëjmë gjithçka që është e mundur për t’i dhënë fund diskriminimit në lojë, por i lutemi qeverisë të veprojë shpejt dhe të miratojë ligjet e duhura në mënyrë që abuzimet të përballen me pasoja”.
Kryeministri britanik, Boris Johnson, dënoi të hënën abuzimet raciste.
“Pjesëtarët e kësaj skuadre të Anglisë meritojnë të priten si heronj, jo të abuzohen …” shkroi kryeministri Johnson në rrjetet sociale duke nënvizuar se “ata që janë përgjegjës për këtë abuzim të tmerrshëm duhet të kenë turp nga vetvetja”.
Ekipi i Anglisë u shpreh “i neveritur që disa nga skuadra jonë – që kanë dhënë gjithçka për fanellën këtë verë – i janë nënshtruar abuzimit diskriminues në internet pas ndeshjes së sotme”.
Policia Metropolitane e Londrës tha se po hetonte mesazhet “ofenduese dhe raciste” në rrjetet sociale.