Mbase për t’ju përgjigjur kësaj pyetjet e cila ka me mijëra përgjigje brenda, mund të ketë njerëz më të mençur e më të zotë, poet e njerëz të letrave të cilët mund të japin një përgjigje edhe më të spikatur sesa unë.
Nëse dikush nga ju do më pyesi: – Ç’është poezia për ty? Unë do t’i përgjigjesha shumë shkurt: ” – Poezia është ana ime më e sinqertë…” Gjithkush prej nesh në jetën e përditshme, mund të gënjejë, mund të mashtrojë, e mund të bëjë mjaft devijime për diçka që s’mund ta thotë ose ta bëjë. E pikërisht në këtë grup futem edhe unë. Por kur bie fjala për poezinë, do të thosha se vetëm në poezi nuk mund të gënjej e të mashtroj dot. Ajo është ana ime më e vërtetë; më e sinqerta, më e shenjta. Besoj shumë se ti që po e lexon këtë artikull, ende nuk e ke marrë një përgjigje të mirëfilltë, ndonëse ke pak kohë që po lexon këto rreshta.
Të them të vërtetën: “poezia është kërkimi për të zbuluar vetveten”, sepse përgjigja përfundimtare nuk do të ta them as unë e as dikush tjetër.
Shumë vite më përpara, një shkrimtar i madh e i njohur Amerikan, Robert Frost, duke bërë një krahasim për përkthimin nga gjuha origjinale me gjuhën që duam të përkthejmë, thotë diçka shumë interesante për poezinë.
Ai thoshte: poezia është ajo çka ngel pa u përkthyer nga gjuha origjinale.
Pra, nëse provojmë të marrim një poezi të një autori shqiptar dhe e përkthejmë në gjuhën angleze, ajo çka ka ngelur pa u përkthyer nga gjuha shqipe, thotë Robert Frost, është poezia.
Atëherë, kush ka ngelur pa u përkthyer nga gjuha shqipe? Është “fryma”, është “shpirti” kjo gjë nuk përkthehet.
Besoj se tashmë po e kupton thelbin dhe establishmentin e këtij perceptimi!?.
Dhe unë mund të thosha akoma më shumë raste perceptimi, por janë pafund…
Por ajo që dua të nënvizoj për ta mbyllur, është se poezia është e përjetshme, është e përhershme. Disa e konsiderojnë çështje moshe, çështje kalimtare e kohës.
Një poet shqiptar i madh me emrin Ilirian Zhupa, të cilin e konsideroj poetin më të preferuar për mua, thotë: “Poezia është si dashuria, nuk plaket kurrë, pavarësisht nga mosha.”
Dhe këtu dal në konceptin që përmenda pak më parë që “poezia është e përjetshme dhe e përhershme…”
Ersid karaj lindi në Elbasan në vitin 2001. Mbaroi shkollën e mesme në gjimnazin “Dhaskal Todri” Elbasan.
Vazhdon studimet e larta në Universitetin e Elbasanit në Fakultetin e Shkencave Humane në degën Gazetari. Pasioni i tij për letërsinë ka nisur qysh në moshën 12-vjecare. Ka botuar një libër me poezi me titullin “As në qiell, as në tokë”, në vitin 2019. Aktualisht studion, por duke ia kushtuar pjesën më të madhe të kohës letërsisë. Ersidi është i hapur kurdoherë për bashkëpunime dhe propozime; mund ta kontaktoni në email-in e tij: [email protected]