Gjykatësit e Kombeve të Bashkuara vendosën të martën të lënë në fuqi dënimin me burgim të përjetshëm për ish-komandantin ushtarak të serbëve të Bosnjës, terroristin e urryer të ballkanit Ratko Mladiç, për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
I cilësuar si “kasapi i Bosnjës”, ai u dënua në nëntor të vitit 2017 nën akuzat që përfshinin vrasjen e mbi 8 mijë djemve e burrave myslimanë në korrik të vitit 1995 në Srebrenicë, ndër mizoritë më të rënda në Evropë që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore. Masakra u krye në një zonë që ishte shpallur e mbrojtur nga Kombet e Bashkuara.
Ratko Mladiç ishte përgjegjës për rrethimin dhe bombardimin e Sarajevës ku u vranë 10 mijë civilë. Masakra e Srebrenicës dhe rrethimi shumëvjeçar i Sarajevës, ishin zhvillimet që kthyen botën kundër serbëve dhe nxitën sulme ajrore të NATO-s, që çuan në përfundimin e luftës me marrëveshjen e arritur ne Dayton të Ohios në Shtetet e Bashkuara, në nëntor të vitit 1995.
Ai është fajtor edhe për përndjekjen e myslimanëve dhe kroatëve gjithandej Bosnjës, dhe mbajtjen peng të pjesëtarëve të forcave të Kombeve të Bashkuara.
Vendimi i sotëm i apelit shënon edhe përfundimin e ndjekjeve penale të Kombeve të Bashkuara për krimet e kryera në luftën e Bosnjë që la pas vetes mbi 100 mijë të vrarë dhe miliona të zhvendosur.
Ratko Mladiç, i akuzuar në vitin 1995 nga Gjykata për Krime luftë në hapësirat e ish Jugosllavisë kishte qëndruar në Beograd në vitet e para pas ngritjes së akuzave ndaj tij, ndërsa ishte fshehur pas rënies së presidentit serb Sllobodan Millosheviç në vjeshtën e vitit 2000.
Në maj të vitit 2011 ai u arrestua në një fermë në Serbinë veriore, pas një periudhe trysnie të Bashkimit Evropian mbi Serbinë që aspiron integrimet evropiane.
Gjyqi kundër tij, u hap në maj të vitit 2012.
Gjykata për krime lufte në ish Jugosllavi u themelua në vitin 1993 dhe ishte gjykata e parë për krime lufte pas gjykatës ushtarake të Nurembergut në fund të Luftës së Dytë Botërore.
Ajo ngriti akuza ndaj 161 vetave, 90 prej të cilëve janë dënuar. Në mars te vitit 2016-të, kjo gjykatë shpalli fajtor shefin politik të Ratko Mladiçit, Radovan Karaxhiç, i cili aktualisht po vuan në Britaninë e Madhe dënimin me burgim të përjetshëm nën akuzat për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit.
Presidenti Biden e cilëson gjykim historik vendimin për Ratko Mladiçin
Vendimi i gjykatësve u mirëprit nga presidenti amerikan, Joe Biden, i cili tha se “ky gjykim historik tregon se ata që kryejnë krime të tmerrshme do të mbajnë përgjegjësi. Ai gjithashtu përforcon vendosmërinë tonë të përbashkët për të parandaluar që mizori të tilla të ndodhin në të ardhmen kudo në botë”.
Në një komunikatë të publikuar nga Shtëpia e Bardhë thuhet se Shtetet e Bashkuara ndihmuan në udhëheqjen e përpjekjeve ndërkombëtare për t’u dhënë fund mizorive në Bosnjë dhe Hercegovinë, për të vënë para drejtësisë ata që kryen krime atje dhe në pjesë të tjera të ish Jugosllavisë dhe për të vendosur një paqe të qëndrueshme.
“Drejtësia dhe pajtimi janë themeli i paqes dhe qëndrueshmërisë për të ardhmen, dhe vendimi i sotëm është gjithashtu një konfirmim i rëndësishëm se kjo është e mundur. Unë sinqerisht shpresoj se udhëheqësit në rajon do ta respektojnë këtë gjykim dhe do të përforcojnë rëndësinë e tij për sundimin e ligjit”, citohet të ketë thënë presidenti Biden.
“Mendimet e mia sot janë me të gjitha familjet e mbijetuara të shumë viktimave të mizorive të Mladiçit. Ne kurrë nuk mund ta zhbëjmë tragjedinë e vdekjes së tyre, por shpresoj që gjykimi i sotëm të sigurojë një farë ngushëllimi për të gjithë ata që janë të pikëlluar”, thuhet në deklaratën e presidentit Biden.