Imagjinoni sikur situata jonë profesionale, familjare dhe private të dukej vërtet aq mirë sa ne mundohemi ta shfaqim gjatë ditës, nën shoqërinë e miqve, shokëve, fisit apo edhe njerëzve të panjohur. Sigurisht, jo vetëm ti, por në nivele të ndryshme çdokush mundohet të ndërtojë një fasadë perfekte të jetës së tij sapo lind dielli. E vërteta është se kur dielli perëndon, dhe ne jemi brenda zonës tonë private të reflektimit aty i ulim barrierat dhe ndeshemi me realitetin, jo edhe aq perfekt.
Në këtë situatë, i ulur me vetëdijen tënde lind pyetja se si mund ta kthejmë këtë fasadë të bukur në realitet? A është kjo e mundur? A ka ndonjë formulë transformuese?
Nëse shpirti dhe mendja jote janë të hapura për risi dhe pozitivite, atëhere ji i vetëdijshëm që për çdo problem e ka një zgjidhje dhe për çdo sëmundje e ka një shërim. Vetëm se, zgjidhja dhe kura duhen kërkuar, për ato probleme dhe sëmundje të pazgjidhura deri më tani.
Sigurisht që edhe për pyetjen tënde të mësipërme e ka një zgjidhje. Një nga strategjitë më interesante të kthyera në praktikë deri më sot është ajo e Dave Brailsford i cili strategjinë e tij e quan “aggregation of marginal gains“, ose grumbullimi i fitimeve marxhinale. Ideja e kësaj strategjie është “të kërkuarit e një mundësie të vogël përmirësimi në çdo gjë që ti bën“.
Le ta shpjegojmë ndryshe; Dave Brailsford kur mori në drejtim çiklizmin britanik si drejtor i performancës, i dha asaj një trajektore të re. Kjo për arsye se në 110 vitet e fundit çiklistët britanikë kishin fituar vetëm një medalje ari në garat olimpike. Aq e rëndë ishte situata e tyre, saqë një nga kompanitë më të mëdha të prodhimit të biçikletave në europë kishte refuzuar ti shiste skuadrës britanike për shkak të imazhit negativ që ata mund ti jepnin markës.
Në momentin që Dave Brailsford erdhi në drejtim në 2007, ai vuri në zbatim strategjinë e tij në lidhje me këtë fushë. Por çfarë bëri ai konkretisht?
Për ta kuptuar strategjinë e tij dhe për ta aplikuar atë në çdo fushë të jetës tuaj do jua thjeshtoj me disa nga shëmbujt që ai përdori :
Së pari ai mori biçikletën dhe e studioi çdo pjesë të saj : gomat, timonin, frenat, kolltukun etj… dhe strategjia e tij ishte që të përmirësonte çdo aspekt të biçikletës.
Për shembull, Dave bashkë me ekipin :
– ridizenjuan kolltukun e biçikletës për ta bërë më të rehatshëm për çiklistët,
– lyen gomat me alkol për të mundësuar një kontroll më të mirë,
– testuan dhe ndryshuan llojin e copës së veshjes për çiklistët në varësi të ambientit ku do të zhvillohej gara,
-etj.,
Sigurisht Dave dhe skuadra e tij nuk ndaluan me kaq, por ata panë çdo aspekt direkt dhe indirekt që përfshihej në atë fushë dhe u munduan ta përmirësonin me të paktën 1%. Sepse sipas Dave, nëse çdo aspekt të detajuar e përmirëson me 1% këto aspekte veçmas nuk tregojnë shumë, por kur bëhen bashkë ato e bëjnë ndryshimin e madh.
Për këtë arsye Dave dhe ekipi i tij vazhduan të kërkojnë aspekte dhe pika që duheshin përmirësuar :
– ata testuan lloje të ndrshme ilaçesh të cilat mudësonin shërim më të shpejtë të muskujve të çiklistëve,
– ata punësuan një mjek që ti mësonte çiklistëve mënyrën më të mirë për të larë duart, në mënyrë që të shmangnin gripet,
– ata gjetën llojin më të mirë të dyshekëve dhe jastëkëve në mënyrë që çiklistët të bëjnë gjumë sa më të mirë,
– etj…
Tanimë lind pyetja se për çfarë shërbyen të gjitha këto përmirësime të vogla dhe a ndikuan ato në rezultatet e çiklistëve britanikë?
Përgjigja është PO, sepse vetëm 5 vite pasi Dave Brailsford mori në drejtim çiklizmin britanik, ata dominuan rrugët dhe garat. Në lojrat olimpike të 2008-ës në Beijing ata fituan 60% të medaljeve të arta. Katër vjet më vonë në lojrat olimpike në Londër ata vendosën nëntë rrekorde olimpike dhe 7 rrekorde botërore. Në të njëjtin vit një çiklist britanik ishte i pari anglez që fitoi « Tour de Francës », gara më e madhe në çiklizëm. Vitin e ardhshëm një koleg i tij e fitoi, i cili e fitoi sërish në 2015, 2016, 2017, duke i dhënë britanikëve pesë fitore të « Tour de France » në 6 vjet. Pra përgjatë 10 viteve, nga 2007 më 2017, çiklistët britanikë nën drejtimin e drejtorit të performancës Dave Brailsford dhe me anë të aplikimit të strategjisë së tij arritën të fitonin 178 kampionate botërore, 66 medalje ari olimpike dhe para-olimpike dhe 5 « Tour de France ».
Le të rikthehemi tek pyetja e parë se si mund të përfitojmë ne, në mënyrë që ajo që prezantojmë gjatë ditës, në biseda, para njerëzve të ndryshëm të jetë plotësisht reale ? Si mund ta përmirësojmë jetën tonë private, familjare, shoqërore dhe profesionale, etj..,?
Përgjigja është shumë e thjeshtë ; ashtu si Dave, edhe ne duhet të shohim në çdo aspekt të jetës ronë, ta ndajmë atë në pjesëza të vogla dhe t’i përmirësojmë ato nga 1% në mënyrë që kur të mblidhen së bashku, ndryshimi të jetë i dukshëm.
Ja disa ide se si mund të bëhet kjo; mënyra më e mirë është duke krijuar disa sjellje apo zakone të vazhdueshme. Për shembull, nëse problemi yt janë vonesat në punë apo takime, ju mund ta bëni zakon të zgjoheni më herët, ose të dilni më herët nga shtëpia, ose të përdorni një transport më efektiv, etj.,
Nëse problemi juaj është lodhja e shpejtë, mund të provoni të konsultoni njëmjek, të ushqeheni shëndetshëm, të bëni ushtrime fizike dhe të qëndroni në lëvizje të vazhdueshme duke shmangur uljet e tejzgjatura etj…
Nëse problemi juaj është mungesa e eksperiencës, mund të filloni një praktikë diku, të kryeni një trajnim, të bëni punë vullnetare, të zgjidhni një mentor, etj…
Kjo është një nga strategjitë që individë, shoqëri dhe institucione mund të ndjekin në mënyrë që ato të arrijnë objektivat dhe qëllimet e tyre, cilatdo qofshin ato. Kjo është një nga strategjitë që ti duhet të provosh, funksionimi i së cilës varet nga ty. Mos e lër këtë lexim thjesht teori, ktheje në praktikë dhe realizo vetveten duke aplikuar strategji të ndryshme.
Strategjitë dhe ndryshimet e mëdha kërkojnë kohën e tyre, dhe duhet të realizohen në mënyrë të vazhdueshme dhe të përditshme. Kjo formë strategjie e vazhdueshme hedh poshtë teorinë e cila cilëson se që të bësh dicka të jashtëzakonshme duhet të bësh gjëra të mëdha. Në fakt është e kundërta, ajo që duhet është përpjekje e vogël por e vazhdueshme në çdo aspekt. Sipas Dave dhe strategjisë së tij, mjafton vetëm 1% përpjekje për çdo aspekt.
Ardit Kuqa, është i apasionuar pas edukimit dhe sipërmarrjes. Atij i pëlqen ta sfidojë veten me gjëra të reja. Arditi ka studiuar Marrëdhënie Ndërkombëtare, Studime Europiane dhe Inxhinjeri Biznesi. Punon si menaxher dhe drejtues projektesh në NGO të ndryshme në Paris, Francë. Ai është CEO i LexoTani dhe disa nismave të tjera.
Kontakto: [email protected]