Një ditë para Ditës Ndërkombëtare të Rinisë, Qeveria e Republikës së Kosovës për herë të parë themeloi Komisionin Shtetëror për Rini si mekanizëm kyç i Qeverisë për bashkëpunim, mbështetje dhe vendimmarrje karshi rinisë sonë.
Ky komision do të bëjë harmonizimin e dokumenteve strategjike si programi i Qeverisë së Republikës së Kosovës, planet e punës së ministrive dhe strategjitë nacionale që ndërlidhen me rininë. Komisioni gjithashtu do të jetë pjesë e procesit të hartimit të Strategjisë Kombëtare për Rininë duke përfshirë masa dhe aktivitete që merren përsipër nga ministritë sektoriale, dhe më pas bënë monitorimin dhe vlerësimin periodik të zbatimit të Strategjisë.
Themelimi i një trupi të tillë është rekomandim i Këshillit të Evropës për të siguruar një qasje horizontale në politikën rinore, por pak shtete arrijnë ta bëjnë këtë. Prandaj përtej rezultateve konkrete që presim nga ky komision, themelimi i tij është hap i rëndësishëm drejt avancimit të mëtejmë të politikës rinore në Kosovë.