Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës ka publikuar raportin e saj për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit në Shqipëri. Në dokumentin prej 15 faqesh të përpiluar nga vëzhguesit në terren të asamblesë, evidentohet përfshirja e administratës në fushatë, apo përfitimi nga funksionet publike të kandidatëve.
“Partia në pushtet përfitoi nga detyra, përfshi këtu kontrollin e administratës vendore dhe keqpërdorimin e burimeve administrative. Por, kjo gjë u amplifikua nga mbulimi i medias për qeverinë. Gjithashtu, u pa që autoritetet përfituan nga funksionet publike”, shkruhet në raportin asamblesë Parlamentare e Këshillit të Europës.
Raporti përmend dhe shitblerjen e votës, si një fenomen të përhapur gjatë fushatës zgjedhore, ndërsa kërkon nga autoritetet një investigim serioz.
Delegacioni i Asamblesë ka shprehur shqetësimin mbi shitblerjen e votës nga partitë, si një fenomen i përhapur në fushatë. Delegacioni pret që institucionet përkatëse të marrin masa mbi këtë fenomen.
Sistemi i patronazhimit nuk u la pa përmendur as nga asambleja, e cila e sheh si shqetësim dhe cenim të votuesit rrjedhjen e të dhënave.
“Fushatës i mungoi vrulli dhe mesazhet u fokusuan kryesisht te kryetarët e partive, në vend të diskutimit të mirëfilltë mbi çështjet. Rrjedhja e të dhënave sensitive personale, duke përfshirë dhe preferencat partiake, ishin një shqetësim serioz, që i bën votuesit të cënueshëm”, shkruhet në raportin asamblesë Parlamentare e Këshillit të Europës.
Duke vlerësuar KQZ-në për punën e bërë, raporti nxjerr në pah dhe rolin e presidentit në zgjedhje, të cilin e sheh si ndikues të drejtpërdrejtë.
“Hapësira politike u dominua nga dy parti kryesore, Partia Socialiste dhe Partia Demokratike. Presidenti Meta, ish-kryetar i LSI-së, në ushtrimin e një roli kushtetues jo-politik, kishte një marrëdhënie të tensionuar publike me Kryeministrin Edi Rama dhe shpesh ndërmori iniciativa, ose kritioi ashpër qeverinë me terma të fortë, duke ndikuar drejtpërdrejtë në zgjedhje”, shkruhet në raportin asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës.
Raporti përmend dhe reformën zgjedhore, duke theksuar se disa prej rekomandimeve të Venecias ende nuk janë zbatuar.