Në vazhdim mund të lexoni dy poezi të fazës së hershme krijuese të Dritëro Agollit. Bëhet fjalë për poezinë “Gjurma “, botuar në vitit 1954 dhe poezinë “Vjersha ime e parë” në vitin 1955.
Gjurma
Dikur dy shokë qemë,
Të dashuronim ty,
S’do mend që njerin doje
Dhe s’mund të doje dy .
Të marrë kemi qenë,
Kur jemi rrahur kot ,
Po unë atëherë isha
Vërtet një Don Kishot!
Përbri shtëpisë sate
Me baxhë në pullaz
Ai ngadalë vinte
Dhe unë e ndiqja pas .
Me të ne buzëvarur
Takoheshim në terr,
Pa thënë tungjatjeta
Dhe mbushur plot me vrer .
Nën dritëzën e llambës
Të shihnim vjedhur ty,
Për cilin ti mendoje,
S’e dinim ne të dy!
Po unë atëherë isha
Vërtet një Don Kishot,
Me ëndrra trëndafilash
E mbushja mendjen plot !
Nuk rrodhi dhe aq ujë
Nga lumi nëpër zall,
Kur ti u bëre nuse
Në fshatin nën një mal .
Ah , shoku im i vjetër
Të mori në shtëpi;
Ish futur gjer në palcë
Lanetja dashuri!
Po mua ma ka qejfi
Drejt teje pak të ngas
Dhe nën dritaren tënde
Të fshihem, të trokas,
Se ndofta paskam mbetur
Si dje një Don Kishot
Dhe nga mullinjtë e erës
Vërtet s’u ndakam dot…
1954
Vjersha ime e parë
1.
Ku linda unë ngrinin bejte shumë
Dhe bejtet ngjitnin shtigjet e përpjetë;
Ato në fshat ngaherë bënin zhurmë,
Siç bën një radio , apo një gazetë.
Një plaku që jetonte në mëhallë
Nazim Berat i thoshin me të drejtë ,
Se ishte bejtexhi i madh , i rrallë
Dhe fjalën si hanxhare kish të mprehtë .
Në mbrëmje vija shpesh me bejtexhinë ,
Në breg të lumit ulesha menduar ,
Se doja ta mësoja mjeshtërinë
Për mua aq të dashur , aq të çmuar !
2.
Njëherë më pat folur duke qeshur :
“Pse s’bën dhe ti ca bejte me pak fjalë ?
Ne kemi Xumen tonë qimezverdhur ,
Që vjedh bostan dhe ul kurrizë e dalë!”
Po veç për kurrizdalin s’kisha qejf
Të bëja bejte kot si ca të tjerë :
“Për veshëvarurin mulla Istref
Me vargje do ta mbush që sot defterë!”
Po plakut djersë e ftohtë i ra në ballë
Dhe më vështroi mes frikës në lëndinë ;
” Më duket se të ha kurrizi , djalë,
Do vuash , po ta tallësh perëndinë!”
3.
Një ditë në mësim të historisë
M’u shkrep të bëja bejte për mullanë :
” Mulla , ti ia nxjerr fundin revanisë,
Kur ne të tjerët s’kemi se ç’të hamë !”
Po një nga shokët vjershën ma kish parë
Dhe më kallzoi me vrap te kryeplaku ,
Pastaj për shpatullash më hoqën zvarrë
Dhe gjunjëve në pluhur rrodhi gjaku.
Gjithë atë ditë s’erdha dot në vete ;
Ja, ky ish honorari im i parë ,
Që do të thosh se vjersha s’bëhet lehtë,
Se dhe për shpatullash të heqin zvarrë !
1955
Ersid karaj lindi në Elbasan në vitin 2001. Mbaroi shkollën e mesme në gjimnazin “Dhaskal Todri” Elbasan.Vazhdon studimet e larta në Universitetin e Elbasanit në Fakultetin e Shkencave Humane në degën Gazetari. Pasioni i tij për letërsinë ka nisur qysh në moshën 12-vjecare. Ka botuar një libër me poezi me titullin “As në qiell, as në tokë”, në vitin 2019. Aktualisht studion, por duke ia kushtuar pjesën më të madhe të kohës letërsisë. Ersidi është i hapur kurdoherë për bashkëpunime dhe propozime; mund ta kontaktoni në [email protected]