Po nuk zumë mend, do të digjemi si minjtë të tërë, ose do të jetojmë në një tokë të shkretë – nga Mentor Kikia

Zjarret | Lexotani

I gjithë vendi po përballet me një situatë të pazakontë zjarresh. Fakti që po digjen edhe Greqia, Turqia, e vende të tjera të rajonit, nuk është ngushëllim, por tregues se alarmi është global tashmë.

Thatësira dhe temperaturat e larta janë në trend rritës. Klima ka ndryshuar në mënyrë dramatike, të paktën 3 dekadat e fundit dhe, tashmë nuk besoj se ka skepktikë që mendojnë se kjo është një tezë e fantashkencës.

Por të vijmë në shtëpinë tonë.

Kur përmbytemi, ne atëherë mësojmë se nuk kemi as çizme për të veshur, as motopompa, e as mjete të tjera, pa le rezerva ushqimore në depot e shtetit.

Kur digjemi, mësojmë se s’kemi zjarrfikëse, madje as lopata e kosore, dhe kemi vetëm një helikopter që vjen verdallë nëpër tym…

Paisja me mjete, trajnimi i punonjësve – investimi serioz në emergjenca – është detyrë po kaq emergjente sa edhe vetë emergjenca. Qeveria mund të heqë dorë nga disa projekte aurtostradash luksi dhe të orientojë financat pikërisht drejt menaxhimit, përballimit dhe mbi të gjitha, parandalimit të këtyre katastrofave.

Nuk ka asnjë dyshim. Vitin tjetër do të jetë më keq. Tjetrin, edhe më keq…

Sado nxehtë, shkenca nuk na thotë se druri ndizet vetë në temperaturën 41 gradë. Zjarret janë vënë nga njerëz me shkrepëse. E pra, këta barbarë, duhet të dalin para gjyqit. Shpjegimi se “janë barinjtë që djegin kullotat”, nuk duhet të shërbejë si justifikim.

Askush nuk duhet të ketë kurajë të dalë në ekrane e te krekoset, pasi flakët të jenë venitur, duke thënë: E fituam betejën me zjarret. 

Po e fituam, pasi u shkrumbuan mijëra hektarë pyje (nga ato që kanë mbetur ende).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *