Një birrari publike dhe tre lloje hajvanesh – nga Sokol Shameti

Birraqat | Lexotani

Pikë së pari, të ngremë pyetjet e duhura. Pse duhet që një institucion shtetëror si bashkia, të përdorë fonde publike për të paguar animatorë, këngëtarë e argëtues të tjerë në një veprimtari të biznesit privat si e ashtuquajtura “festë e birrës”?

A nuk është kjo gjë që e quakan “festë” asgjë tjetër veçse transferim i aktivitetit të zakonshëm tregtar të një kompanie nga njësitë e parapara ku ajo paguan taksa për të shitur mallin e vet, në një hapësirë publike me vizibilitet të madh të cilën ajo e merr falas?
– Cili është interesi publik këtu? Pse pikërisht festë birre?
– Pse jo festë libri, ose konkurs gatimi shtëpiak, ose dekorim i më trimave mes zjarrfikësve, ose panair i shkencave të natyrës?
– Pse duhet të promovohet alkolizmi masiv nga një institucion shtetëror e të përdoren para të vlefshme taksash – që mund të shkonin për ndihmë ekonomike, ushqim të të uriturve apo strehim të të pastrehëve – për t’i financuar një kompanie private infrastrukturën ku ajo do të shesë mall e do të shtojë fitimet e veta të cilat ajo gjithsesi nuk i ndan kurrë me publikun?
– A është hetuar ndonjëherë për vendimmarrje si kjo, në dukje naive e qëllimmira, që kanë si pretekst argëtimin e japin si rezultat peshkimin e qytetarëve duke i kthyer me marifet në konsumatorë të detyruar produktesh private?

Kaq për mitin e “festës së birrës” që është vetëm një dëshmi sesi biznesi privat jo thjesht e korrupton dhe e vë në shërbim të tij institucionin publik, por madje edhe pretendon prej publikut që kjo të pranohet si gjë normale, si punë “tradite”.

Së dyti, këmbëngulja prej mushke e zyrtarëve publikë për të mos ia përshtatur kërkesave e ndjeshmërisë së publikut përbërjen e animatorëve e artistëve që po paguhen me para publike në një aktivitet me qëllime private, lë të kuptohet se “ustai” i vërtetë i këtyre zyrtarëve që nuk është publiku por biznesmeni privat të cilit po i organizohet aktiviteti, nuk është se do t’ia dijë shumë për ato dokrrat “muzika bashkon njerëzit”, “ta ndajmë politikën nga arti” etj etj. Jo. Ai mendon ndryshe. Muzika daç t’i ndajë e daç t’i përçajë njerëzit, për të interes ka ahengu, tollovia në të cilën ai do shesë krikëlla birre e do bëjë lekë. Për logjikën e biznesmenit njeriu nuk është njeri që mendon por klient që konsumon. Ky është qëllimi i bossit dhe zyra e tij për marketing e promocion (që paralelisht njihet edhe me emrin “bashki e Korçës”) këtë duhet të ketë mendje kur ia zbaton shefit “vizionin”.
Është normale që në këto rrethana zyrtarja shtetërore që kanë nxjerrë të mbrojë mediatikisht kotësinë e këtij aktiviteti, të tingëllojë si agjente shitjesh, me po atë limit fjalori e me të njëjtat frenime të befta trunore.

Së fundi, ka plasur kriza e zgjedhjes specifike si krye-yll i aktivitetit privat me financim publik, të një “artisti” si Bregoviçi, një plagjatori patologjik, hajdut partiturash prej kohës së grupit “Kopsa e bardhë”, e po ashtu benjamin e klloun oborri i Millosheviçit, nga ata që vishnin bluza me shenjën e cakut të bombardimit ajror në mbrëmësoret “sensibilizuese” e vetë-viktimizuese të elitës jugosllave në Beogradin e 1999 kur kjo ankohej pse NATO nuk po e linte të qetë ushtrinë serbe t’i shfaroste krejt 2 milion terroristët shqiptarë në Kosovë.

Si çdo mall artistik serb edhe Bregoviçi shkakton krizë disaplanëshe në Shqipërinë e re kapitaliste.

Së pari, Bregoviçi fut në krizë brezin e “disidentëve” antikomunistë të viteve 80, të cilët përmes adhurimit të dikurshëm të muzikës “së sllavit” e televizionit “të sllavit”, ushtronin fshehtas antikomunizmin e tyre. Si kategori këta ish-çuna kullerë të së kaluarës, i përafrohen paradhomës së një diagnoze psiqike. E urrenin Enver Hoxhën se ishte komunist e i sjellë në krye të Shqipërisë prej serbëve Dushan e Miladin, e nga ana tjetër për inat të këtij Enveri, përqafonin muzikën e atdheut të Miladinit e Dushanit, meqë ky vend ishte (sa çudi) po ashtu anti-enverist e anti-shqiptarokomunist si këta.
Kur komunizmi ra dhe vendi fqinj s’e prishi terezinë e antishqiptarizmit të vet, këta panë sesi heronjtë e tyre antikomunistë, mes tyre dhe Bregoviçi i Bjello Dugmes si infrastrukturë kulturore e titizmit superior modern mbi enverizmin inferior folklorik, kishin qenë në fakt gjatë gjithë kohës, thjesht infrastrukturë antishqiptarizmi. Tani këta nuk dinë ç’të bëjnë me Bregoviçin, ta adhurojnë për hir të zgjedhjeve hormonale të rinisë e të dalin si hajvanë të ditëve tona apo ta urrejnë e të quhen hajvanë të penduar? Gjykuar nga sasia e çelësave bashkiakë dhe ftesat për koncerte të koleksionuara nga Bregoviçi në Shqipëri, është e qartë se në radhët e ish-kullerëve që sot kanë pushtet politik dhe ekonomik, predominon zgjedhja e parë.

Së dyti, Bregoviçi fut në krizë kozmopolitët e sotëm që në vitet 80 s’ishin dot disidentë sepse sapo kishin lindur, ndërsa sot janë “majtistë” havjari dhe snobizmi. Bregoviçi u duket këtyre si punë rebelimi ndaj hegjemonisë kulturore e politike perëndimore, si hero i një disidence moderne anti-kapitaliste, si i deklasuar që sfidon me butësi artistike dhunën brutale sistemike. Mirëpo qasja mbetet problematike për shkak se pavarësisht shkathtësisë së Bregoviçit për ta paketuar shërbimin e tij nacionalist e shovinist të viteve 90 thjesht si formë rezistence internacionaliste ndaj rendit sundues, fansat e tij “të majtë” e dinë që nuk ka internacionalizëm pa anti-kolonializëm e krejt puna e Bregoviçit (dhe Kusturicës) ndërkohë është një përpjekje këmbëngulëse në mbështetje të shtypjes kolonizuese të popujve të ish-Jugosllavisë.

Muzika e Bregoviçit, kur nuk është vjedhje e paturpshme e këngëve të Shaban Bajramoviçit të gjorë, është synim për ta paraqitur e justifikuar spiralen e përgjakshme ku Serbia zhyti kroatë, boshnjakë e shqiptarë, jo si zbatim të ndonjë strategjie me miratim unanim por thjesht si rezultat i një psikologjie mendjelehtë, improvizuese, pafajësisht alkoolike e në rrethana normale aspak keqdashëse e cila fundja relativizohet e gjendur te çdo ballkanas, serb, shqiptar, rom apo boshnjak qoftë ai. Në fakt ajo çfarë dimë nga luftërat në Kroaci, Bosnje e Kosovë është e kundërta. Shfarosjet, vrasjet, genocidi nuk ishte ndonje ngjarje incidentale në rrëmbim e sipër nga pija e ndonjë grupi të shthurur çetnikësh. Jo të gjithë vranë të gjithë, e nuk pati ndonjë minishengen përbashkues terrori e masakrash. Jo. Pati qartazi një agresor e shumë viktima. Ajo që ndodhi ishte dhunë e planifikuar, sistematike, e institucionalizuar e Serbisë mbi të tjerët.

Bregoviçi, Kusturica e të tjerë artistë ishin pjesë e këtij plan-veprimi, luajtën rolin që u kishin caktuar dhe kurrë nuk u distancuan prej asaj çka bënë. Kozmopolitët pseudo-majtistë në Tiranë e Prishtinë janë kësisoj në krizë: a të shfaqen si hajvanë që janë gati të adhurojnë edhe një shovinist të maskuar si internacionalist, apo të shfaqen si hajvanë që s’janë në gjendje të shohin se internacionalisti që adhurojnë është thjesht një shovinist?

Të isha si Bregoviçi do isha i kënaqur: sapo futa tre gjenerata shqiptarësh në krizë. Po ashtu do më vinte të qeshja nga përpjekjet e dëshpëruara të asaj pakice që i thërret arsyes së bashkëqytetarëve të vet për ta refuzuar këtë krizë e s’merr përgjigje. Rroftë festa e birrës pra. Të paktën e dimë çfarë janë ata që do ta popullojnë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *