Mjeda: mjeshtër i pashembullt i formës e i gjuhës poetike në shqip. Poezi – “GJUHA SHQYPE”

Poezia, Shqip

Ndre Mjeda është poet dhe shkrimtar shumë i njohur. Ndre Mjeda, teolog, shkrimtar, gjuhëtar, deputet shqiptar.

Veprimtarinë poetike Ndre Mjeda e nisi që herët. Poema romantike e njohur Vaji i bylbylit u shkrua më 1887; në të ndihen fryma patriotike dhe nota përmallimi, që shquanin paraardhësit e tij L. De Martinin, N. Bytyçin etj. Që nga kjo kohë e deri më 1917 kur pa dritën e botimit vëllimi me vjersha Juvenilia, Ndre Mjeda shkroi, por nuk botoi gati asgjë. Të kësaj kohe janë poema tjetër romantike I tretuni, në të cilën është derdhur malli për atdheun, për njerëzit dhe natyrën e vendit me bukuritë e saj, vjersha Shtegtari, Malli për atdhe, Gjuha shqype, Bashkoniu! etj. 

Ndre Mjeda dha ndihmesën e tij edhe në fushën e gjuhësisë. Puna e tij u zhvillua në: gramatikë, leksikologji, filologji. Krijoi alfabetin që u zbatua prej shoqërisë Agimi me kriterin shkencor për çdo tingull një shkronjë, duke përdorur shenjat diakritike. Dha ndihmesë të shënuar në lëvrimin e gjuhës letrare.

Mjeda mbetet mjeshtër i pashembullt i formës e i gjuhës poetike në shqip dhe mjeshtri më i madh i tingëllimit në shqip deri më sot.

Vepra e Ndre Mjedës u botua e plotë në tri vëllime në Prishtinë në vitin 1982 nën përkujdesjen e Sabri Hamitit dhe një studim mjaft i vlefshëm me shtatë vëllime nga Mentor Quku.

GJUHA SHQYPE

Përmbi za që lshon bylbyli,
gjuha shqipe m’shungullon;
përmbi er’ që jep zymbyli,
pa da zemren ma ngushllon.

Ndër komb’ tjera, ndër dhena tjera,
ku e shkoj jetën tash sa mot,
veç për ty m’rreh zemra e mjera
e prej mallit derdhi lot.

Nji kto gjuhë që jam tue ndie,
jan’ të bukra me themel
por prap’ kjo, si diell pa hije,
për mue t’tanave iu del.
…………………………..

Ku n’breg t’Cemit rritet trimi
me zbardh, Shqipe, zanin tand,
e ku Drinit a burimi
që shpërndahet kand e kand.

Geg’ e tosk’, malsi, jallia
jan’ nji komb, m’u da, s’duron;
fund e maj’ nji a Shqipnia
e nji gjuh’ t’gjith’ na bashkon.

Qoftë mallkue kush qet ngatrrime
ndër kto vllazën shoq me shoq,
kush e dan me flak’ e shkrime
çka natyra vet’ përpoq.

Por me gjuhë kaq t’moçme e mjera
si nj’bij’ kjo që pa prind mbet:
për t’huej t’mbajshin dhenat tjera,
s’t’kishte kush për motër t’vet.

E njat tok’ që je tue gzue,
e ke zan’ tash sa mij’ vjet,
shqiptaria, që mbet mblue
sot nën dhe, edhe shqip flet.

Ersid Karaj, është student i fakultetit të shkencave humane në Universitetin e Elbasanit në degën gazetari. Ai është i apasionuar pas poezisë dhe letërsisë. Në vitin 2019 ai ka botuar vëllimin e tij të parë me poezi me titullin “As në qiell, as në tokë“ në moshën 18-vjeçare. Ersidi e sheh gazetarinë si një rrugëtim drejt aktualitetit dhe ndërtimit të intelektit të të tij. Ersidi kontribon me shkrimet e tij në LexoTani me qëllim që të mbajë sa më afër lexuesit në fushën e artit, poezisë dhe letërsisë. Ersidi është kurdoherë i hapur për propozime dhe bashkëpunime: mund ta kontaktoni në [email protected]

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back To Top